Për shkak të pandemisë, shumë prej nesh sezonin e verës këtë vit e nisën vonë, e ndonëse në fund korriku, me siguri shumë prej jush ende nuk i kanë nisur pushimet. Dhe në fakt, para se t’i mësyni plazhit, detit, pishinës e orëve të gjata në diell është fiks momenti për të mësuar disa truke, sugjerime, këshilla e trende që do të jenë kryefjalë për flokët këtë sezon.
Specialistja e kujdesit të flokëve, Aida Zotkaj ndau me bordo.al gjithçka që duhet të dimë për përkujdesjen, ngjyrat dhe modelet që duhet të kemi parasysh gjatë këtyre muajve, por duke mos theksuar gjithmonë faktin se pavarësisht trendeve apo fjalës së fundit të bukurisë, duhet të kemi parasysh, që ngjyrat e flokëve duhet të kombinohen me ngjyrën e lëkurës.
‘Mënyra më e mirë për të ndjerë ndryshimin në paraqitjen e jashtme eshtë tek flokët. Ajo çfarë do të këshilloja së pari është të kemi më shumë dashuri për flokun, sidomos këtë periudhë kur dihet se uji i detit, klori i pishinave apo ekspozimet e gjata në diell e dëmtojnë shumë. Përgjedhja e produkteve të duhura, që përshtaten me tipologjinë e flokut tuaj është A-ja e nisjes së përkujdesjes. Produktet që përdorim për t’i dhënë vitalitet flokut, kanë rëndësi bazike. Unë sugjeroj një shampo të përshtatur me tipin e flokut përdorimin e një maske trajtuese dhe veçanërisht përdorimin e mbrojtësit të flokut para përdorimit të tharëses gjatë ekspozimit në diell’; këshillon guru-ja e flokëve Aida në parantezën e saj. Për të vijuar më tej me trendet dhe modelet që do të trejtojnë modën e flokëve këtë verë.
“Sa i përket ngjyrave, si trend apo sugjerim për verë 2020 është ngjyra kafe, çokollatë apo ngjyra e bronxtë. Pastaj për vajzat që duan, apo pëlqejnë më shumë nuancat e biondes, balayage vijon të mbetet në modë edhe këtë sezon, e po ashtu biondet mund të qëndrojnë edhe në nuancat e bezhës apo mjaltit”; tregon profesionistja
Zakonisht ndodh pas plazhit që shumë prej nesh pëlqejnë që të bëjnë një ndryshim një prerje të re në flokë, por dhe nga ato që freskimin e ‘look-ut’ duan ta realizojnë para se të nisen në plazh, ndaj për të dy rastet Aida zbulon se prerja ‘bob’ është shumë moderne për këtë sezon, nga më i shkurtri tradicionali e deri tek ai më i gjatë që vjen në formën e valëzimit të kaçurrelit. Për të mos harruar edhe gërshetat që duken se nuk do të dalin kurrë nga moda dhe në çdo verë do të jenë zgjedhja më sensuale dhe e rehatshme për stinën e relaksit.
https://www.instagram.com/aida_zotkaj_official/?hl=en