KreuFashion

Një udhëtim mesh ngjyrash në qytetet më piktoreske të Evropës!

Qytetet me ngjyra

Një udhëtim mesh ngjyrash në qytetet më piktoreske të Evropës

E vërteta është se jeta është e bukur kur ka më shumë ngjyrë. Ndaj edhe vendet që sugjerojmë janë destinacionet më të gjalla në Evropë, ku disa kanë ngjyra aq të rralla sa të bëjnë të hysh në një botë fëmijënore, larg zhurmës së metropoleve dhe hijes së rëndë të qiejgërvishtësve. Shumica e vendeve gjenden në bregdet, ndaj mos ngurroni të kridheni në ujë për t’u freskuar e më pas të shijoni këto qyteza të vogla të gjitha të transformuara falë ngjyrave. Mund të filloni udhëtimin tuaj nga Cinque Terre në Itali, e të ndiqni pastaj rrugën drejt Spanjës e Portugalisë, në Poloni e deri në brigjet e Irlandës ku do të mahniteni jo vetëm nga fasadat plot ngjyra të këtyre vendeve, por dhe nga enegjia pozitive dhe gjallëria që ato dhurojnë.

 

Cinque Terre 

Cinque Terre, do të thotë pesë tokat në greqisht, sepse përbëhet nga pesë fshatra, që ndodhen në rivierën italiane të Ligurias. Konsiderohet një nga vendet më romantike në Itali, por edhe një ndër destinacionet që kryeson listat e shumë njerëzve për t’u vizituar sidomos gjatë verës. Mund të shkoni nga një fshat në tjetrin me varkë, me tren, apo edhe në këmbë. Ditën mahnitesh nga ngjyrat e shtëpive të cilat duket sikur vështrojnë detin nga maja e kodrës, ndërsa mbrëmjeve ato reflektohen mes dritash në ujrat e detit. Arkitektura unike e shtëpive thuajse të kapura krah për krah me njëra tjetrën është mbrësëlënëse, duke ofruar një panoramë paksa tropikale, edhe pse gjendesh pikërisht mbi mesdhe. Mund të vizitoni lagjet e vogla në çdo moment të ditës, ku mund të shijoni gatimet tradicionale me bazë peshkun e freskët.

 

Zalipie 

Zalipie është një fshat i vogël në Poloninë juglindore. Në këtë fshat, ka një traditë që nuk ekziston në një pjesë tjetër të vendit, ajo e pikturimit të banesave, oborreve dhe çdo mjedisi tjetër rrethues. Edhe pse kjo ndodh prej gati një shekull, si një traditë e gjallë, ku spikasin motivet me lule popullore, aty mund të marrësh një ndjesi të bukur dhe pozitive. Fakti që është një vend i izoluar i ka bërë banorët të jenë tejet krijues, duke e mbushur kohën me vizatime me ngjyra të larmishme, ku spikaisn lulet karakateristike të fshatit, hardhitë apo peizazhi i natyrës që i rrethon. Kjo ka bërë që numri i turistëve të rritet duke e bërë këtë fshat të renditet ndër të paktët në glob, ku vetë banorët shprehin emocionet e tyre përmes ngjyrave.

 

Kinsale

Qyteza e vogël Kinsale ndodhet në bregdetin e provincës Cork në Irlandë dhe është padyshim një vendpushim i bukur. Ajo që do të zbuloni në çdo rrugicë prej kalldrëmi është fakti se brenda tyre do të gjeni një botë përrallash të mbushur me ngjyra nga më të ndryshmet dhe me mozaikë dokorativë në çdo cep, nga fasadat e restoranteve deri tek sheshet e qytetit. Një pjesë e qytetit shpërthen mes të kaltrës detare, e më pas gjendesh papritur në një botë me nuanca neon nga parvazet e dritareve deri tek lulet dekorative, duke të bërë të mendosh sikur je në një fshat ku jetojnë fëmijë.

 

Costa Nova 

Shtëpitë me shirita me ngjyra në Costa Nova në Portugali që njihen ndryshe si ‘palheiros’, u përdorën nga peshkatarët për të mbajtur aty rrjetat e peshkimit. Por gjatë shekullit të 19-të palheirot janë rikthyer në shtëpitë më të bukura për pushuesit vendas dhe të huaj. Fryma marinare e vijave mbizotëron ngado tek shtëpitë dy katëshe të cilat edhe për nga forma e tyre i ngjajnë një anije. Karshi shtëpive në plazh mund të hasni disa dyqane që shesin tripas dhe bolachas, një lloj krepi me biskotë, pa harruar dyqanet e akulloreve dhe restorantet që ofrojnë pjatat më të mira me produkte detare.

 

Wroclaw

E ndërtuar në brigjet e lumit Oder në Poloninë perëndimore, Wroclaw është një qytet përrallor. Me parqe të mëdha, ndërtesa shumëngjyrëshe të stilit gotik dhe pallate elegante, të jeni të sigurt se ky do të jetë një udhëtim magjik. Zemra e Wrocław është sheshi i saj mesjetar i tregut Rynek, i cili është një nga më të mëdhenjtë në Poloni dhe me siguri një nga më piktoreskët në të gjithë Evropën. I rindërtuar pas vitit 1945, qyteza u vesh me ngjyra të gjalla, sa do ta keni të vështirë ta bëni një foto në një vend. Shumë prej ndërtesave të vjetra janë pikturuar me ngjyra të ndritshme që pasqyrojnë gjallërinë rinore dhe krijuese të qytetit.

 

Fshati Smurf

Ky fshat i bukur blu në Spanjë u bë i njohur si “fshati i parë smurf në botë”. Për qindra vjet, shtëpitë e fshatit të vogël Júzcar, ishin të bardha dhe nuk kishte asgjë të veçantë derisa në pranverën e 2011, drejtuesit e Sony Pictures u shfaqën aty dhe ndryshuan gjithçka. Ata po kërkonin një nga qytetet e bardha të Andaluzisë për ta pikturuar në blu. Në fillim, fshatarët ishin skeptikë, por zyrtarët thanë se publiciteti i fshatit do ta bënte atë të famshëm, pasi do të shënonte premierën e Los Pitufos. Pasi banorët pranuan, fshati u shndërrua në një fshat smurf, ndërsa Sony u zotua të rilyejë shtëpitë në ngjyrën e tyre origjinale pas 6 muajsh. Por pas gjashtë muajsh, pasi kishin shijuar numrin e madh të turistëve, vendasit vendosën ta linin fshatin blu.

 

__________

Botuar ne Revisten Bordo

Gusht – Shtator

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF