Ndonëse keni kohë deri më datë 6 dhjetor për të menduar për pemën tuaj, me siguri shumë prej jush e kanë nisur tashmë zbukurimin e saj.
Na lejoni t’ju japim disa këshilla, për ta zbukuruar pemën tuaj në mënyrën më estetike dhe elegante të mundshme. Shtëpia juaj do të përfshihet menjëherë nga fryma festive dhe e ngrohtë e Krishtlindjes!
1. Kini kujdes skemën e ngjyrave! Nëse doni një pemë tradicionale Krishtlindjesh, zgjidhni ngjyrat: e kuqe, jeshile dhe e artë. Jeshilja sigurohet nga vetë bredhi, ndaj zbukurimet zgjidhini në dy ngjyrat e tjera.
2. Vendosni dritat të parat! Mirë është që dritat të jenë njëngjyrëshe, për të mos e rënduar pemën me ngjyra të tepërta, të panevojshme. Për më tepër, ka diçka magjike në dritat e arta, të cilat ngjajnë si xixëllonja në pemë.
3. Pas dritave, vendosni rruazat! Pra, ideja është që zbukurimet e gjata, të cilat e rrethojnë pemën, të vendosen të parat. Edhe te rruazat qëndroni besnikë të skemës së zgjedhur të ngjyrave. 2-3 ngjyra në një pemë janë mëse të mjaftueshme.
4. Vendosni topthat dhe zbukurimet teke! Sigurohuni që t’i shpërndani në mënyrë të barabartë. Vendosni një topth të kuq e një topth të artë afër njëri-tjetrit, në mënyrë diagonale, si një fushë shahu. Kështu mbuloni të gjithë sipërfaqen e pemës dhe nuk e rëndoni shumë atë.
Po ashtu, thyejeni herë pas here largësinë midis topthave me fjongo, zilka apo çfarëdo zbukurimi të keni ndërmend të vendosni. Mos harroni të ruani njëtrajtshmërinë!
5. Mos harroni yllin e pemës! Është mbyllja perfekte e procesit të zbukurimit, ndaj sigurohuni që ta vendosni fare drejt, pa u anuar nga asnjë anë.
Pak para kohe, por gëzuar festat!