Një variant i ri i virusit SARS-COV-2 që u shfaq pak javë më parë në Britani ka ngjallur panik në Europë dhe shumë shtete kanë mbyllur kufijtë me Britaninë.
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se vaksina kundër Covid jep efekt edhe ndaj mutacioneve që pëson virusi, përfshirë dhe atë që është përhapur së fundi në Angli dhe ka shpërndarë panik në të gjithë botën.
Postimi i dr. Ilir Alimehmeti
“Asgjëje në jetë nuk duhet t’i frikësohemi, por duhet vetëm ta kuptojmë. Është koha që të kuptojmë më shumë në mënyrë që të frikësohemi më pak.” Cit.: Prof. Dr. Marie Curie (Fituese e dy çmimeve Nobel)
Mos u frikësoni nga mutacioni i ri anglez i SARS-CoV-2 miqtë e mi! Vaksina e njeh më së miri! Nuk i shpëton dot! Rrjedha natyrore e ndodhive është: Çdo virus krijon mutacione që të mbijetojë, përfshirë SARS-CoV-2. Më pas vjen aftësia e njeriut, këtë herë e superlaboratorëve anglezë, për ta identifikuar mutacionin. Më pas vijnë provat që testojnë variantin e modifikuar nëse ka ndryshuar aq shumë sa të quhet i ri. Së fundmi, nëse vërtetohet që është virusi i ri, modifikohen vaksinat dhe terapitë.
Lajmi i mirë është se: “MUTACIONI N501Y NEUTRALIZOHET NJËSOJ NGA VAKSINA BNT162b2 (PFIZER)” . Autorët morën në studim mostra serike nga 20 persona të vaksinuar me vaksinën Pfizer. Në këto mostra serike u injektua të dy variantet, ai i njohur N501, dhe i riu Y501. Rezultati: asnjë diferencë në aftësinë neutralizuese të antitrupave të prodhuar nga vaksina Pfizer.
Pra, miqtë e mi, sipas shprehjes italiane “mos e fashoni kokën përpara se të vriteni”, rrini të qetë dhe mos dëgjoni çdo lajm që vjen nga televizori. Mbani veshët hapur karshi njoftimeve shkencore zyrtare dhe jo ndaj deklaratave të personazheve politike. Deri më sot nuk kemi arsye për ta fashuar kokën nga ky variant i virusit. Forca miq, shtrëngoni dhëmbët edhe pak dhe fikni televizorët!”



















