Prej dy ditësh Tirana është përfshirë në protesta të dhunshme, për shkak të vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i Forcave Shqiponja. Prej orës 18:00 dhe deri në orën 21:00 të ditës së djeshme (E enjte 10 dhjetor), qindra qytetarë vërshuan rrugëve të Tiranës duke shkaktuar një situatë tejet të tensionuar.
Protestuesit nisën të godisnin me gurë dhe sende të forta institucione, semaforë, makina të parkuara…Gjatë përleshjes pati konfrontime mes protestuesve dhe policisë duke shkaktuar edhe të lënduar mes të dy grupeve.
Turmës së revoltuar, autoritetet ju përgjigjën duke përdorur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë me autobotet me ujë, gaz lotsjellës, shkopinj dhe plumba gome. Sipas Euroneës, deri më tani janë kryer dhjetra arrestime, teksa raportohen edhe të lënduar.



















