Nuk ka mundur të fitojë betejën me koronavirus ish-deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello. Politikani është ndarë nga jeta në moshën 59 vjeçare, në Turqi, aty ku po kurohej për Covid-19. Ai ndodhej i shtruar në spital prej 23 ditësh.
Lajmin e ka konfirmuar dhe socialisti Namik Dokle, me një mesazh të ndjerë për mikun dhe kolegun e tij.
“Sa i trishte! Sa i pabesueshem ky lajm i mesnates per vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende te gjashtedhjetat, na e mori covidcolera! C’behet keshtu? Po na behet fejsbuku varreze!!! Lamtumire, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurre buzeqeshjen tende te pandare, shakane tende mbushur me miresi…”, shkruan Dokle.
Marko Bello ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për tre mandate, nga viti 2001-2013. Gjatë kësaj periudhe ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.
Ndërkohë, në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zv/ministër i Mbrojtjes.