Ditën e djeshme një foto e mësuesit Maliq Torra nga fshati Mokërr i Pogradecit teksa mbante në duar disa shkarpa për të ndezur sobën e klasës ku ai jep mësim, u shpërnda me shpejtësi në media online e rrjete sociale! Ishin të shumtë ata që u prekën nga ky gjest kaq i thjeshtë e njëkohësisht njerëzor i mësuesit që kërkon sadopak të ngrohë fëmijët të cilëve u jep dije!
E ndërsa jo pak ishin ata që menduan se mungesa e druve në shkolla në ato zona ku temperaturat zbresin disa gradë nën zero, ka detyruar mësuesin ti gjejë vetë drutë, i ftuar nëpërmjet një lidhje Skype në programin ‘Ftesë në 5’ Torra tregoi se fatmirësisht në shkollën e tyre nuk ka mungesë drush dhe ato që ai mbante në dorë ishin disa shkarpa që ndihmojnë zjarrin të ndizet më shpejt.
“Unë nuk jam mësuar me këtë vëmendje sepse kam 13 vite që e bëj diçka të tillë në këtë shkollë, çdo ditë. Sërish nuk kuptoj pse diçka e tillë u politizua apo u krahasua me epokën e Migjenit, jo ka-jo s’ka drru shkolla. Shkarpat i marr për të ndezur zjarrin, janë drrutë që ngrohin nxënësit. Kjo është thjesht përditshmëria ime”; sqaroi mësuesi!



















