KreuStil Jetese

Meteora ,vendi i Perëndive

Udhëtim në malet që prekin qiellin. Masivi shkëmbor vendosur në fushën e Kallabakës, me një panoramë unike, përzier me ikonat dhe stilin bizantin që gjenden në kishat e ngritura mbi shkëmb

Vendosur në zemër të Greqisë, Meteora nuk është aspak vendi më i përshtatshëm për t’u arritur. Edhe pse mund të duket thuajse i paarritshëm, i vendosur në majë të shkëmbinjve, ky vend dedikuar më shumë Zotit sesa njeriut, mund të kthehet në një destinacion joshës, mbushur plot me adrenalinë. I dyti kompleks kishash, më i madhi në Greqi, manastiret u ndërtuan në vitin 1344 nga prifti Athanasios Koinovitis, i cili solli nga Mali Athos një grup ndjekësish të cilët zgjodhën këtë shkëmb si destinacion për ndërtimin e tyre, por edhe një strehë shpirtërore për murgjit, të cilët ishin më të sigurt. Ngjitja aty dikur bëhej me anë të një shkalle druri, derisa në vitet 1920 u ndërtuan disa shkallë të cilat u gdhendën në shkëmbinj, e më pas një urë vendosur mbi një pllajë të ngushtë, e cila lehtësisht të çonte në majë të shkëmbit ku gjenden edhe objektet e kultit. Periudha e duhur për të vizituar Meteora-n, jo vetëm për shkak të klimës, por edhe për panoramën fantastike është nga Marsi në Qershor, ndaj zgjidheni si destinacion, pasi nuk do të zhgënjeheni nga bukuria dhe kultura e rrallë që fshihet në këtë vend.

Manastiret fluturues

Manastiret e ngritura në majë të malit në Meteora, janë një mrekulli e krijimtarisë njerëzore. Duket e pabesueshme sesi në majë të shkëbinjve janë ndërtuar këto ngrehina, ku sot jetojnë ende murgjër dhe murgesha të cilët i kanë dedikuar jetën Perëndisë. Nga 24 manastire dikur, gjurmët e të cilavë janë kaq të dukshme, sot kanë mbetur në këmbë vetëm gjashtë prej tyre. Meteora në greqisht do të thotë “pezull në ajër” dhe manastiret janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Manastiret të cilat duken sikur rrinë pezull në ajër, janë ndërtuar gjatë shekullit të 14-të dhe janë mbrojtur nga murgjit gjatë pushtimit osman. Kjo mënyrë jetese rezultoi të ishte shumë e sigurt për periudhat e vështira të pushtimeve, gjithsesi vetëm 6 prej tyre i kanë rezistuar kohës, prej të cilëve 5 janë manastire meshkujsh dhe 1 është për femra.

Manastiri më i madh dhe më i popullarizuar në Meteora është Megalo, i cili ka një arkitekturë unike dhe krenohet për pamjen e luginës që të lë pa frymë. Një tjetër manastir që duhet të vizitoni është Agios Stefanos, i cili është një vend shumë interesant për tu eksploruar, sidomos për faktin që është një nga manastiret e pakta për femra. Agios Stefanos ka edhe një muze të vogël me sende kishtare. Hyrja aty është e lejueshme çdo ditë, përveç të hënave. Mos harroni të visheni siç duhet sepse kodi i veshjes është i rreptë. Manastiri Agios Charalambos u ndërtua nga murgu Ambrosios.

Princi Vladislav i Vllahisë i dha kafkën e shenjtorit murgeshave si një dhuratë dhe ruhet ende deri në ditët tona. Kjo kishë ka një çati prej druri dhe është zbukuruar me piktura murale të bëra nga prifti Ioannis nga Stagoi. Një prej më interesantëve është manastiri i Agia Triada, që do të thotë Trinia e Shenjtë dhe është përdorur për skenat e filmit “For Your Eyes Only” të James Bond. Sapo hyni në manastire, mund të shihni afresket e mëdha dhe relike bizantine. Mos harroni të vizitoni shpellën e Theopetrës ndodhet 4 kilometra dhe në këndvështrimin arkeologjik është një sit i cili përmban të dhëna kulturore shumë të rëndësishme nga epoka e Neandertalëve. Shpella ka një hyrje 17 metra të gjerë dhe 3 metra të lartë dhe ka një dhomë drejtkëndëshe 500 metra katrorë.

Panorama

Turizmi fetar është shumë i popullarizuar në Meteora. Manastiret e ndërtuara në kohën Bizantine, nuk janë arsyeja e vetme pse turistët dynden aty, pasi sa i përket peizazhit, ai është, sigurisht, perfekt për eksplorimin e natyrës. Nga majat e larta mund të shkrepni foto me një panoramë të shkëlqyer, duke e kthyer këtë udhëtim në një eksperiencë mbresëlëse.

Plastira

Liqeni Plastira është një tjetër atraksion dhe ndodhet shumë afër Meteorës. Liqeni në të vërtetë është artificial dhe ka një formë harku, me pamje piktoreske, e cila krijohet nga malet Agrafa që reflektohen mbi sipërfaqen e ujërave. Liqeni Plastira është magjik sepse rrethohet me pyje të gjelbërta prej lisi dhe gështenje, ndaj edhe konsiderohet një vend ideal për pushime romantike, sidomos për muajin e mjaltit. Mund të shëtisni me kalë apo biçikletë, të bëni rafting apo të lundroni me varkë.

Ushqimet

Kuzhina greke vlerësohet për thjeshtësinë e shijes dhe përbërësit e freskët. Baza është tryeza familjare, ku spikat mishi dhe peshku, përzier me aromën e vajit të ullirit, portokalles dhe limonit, erëzave si rigoni, majdanozi apo borziloku. Nëse keni provuar musaka, kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta shijoni atë greke, sepse pjekja ikonike greke në furrë e patëllxhanit të pjekur me mish qengji të grirë, domate, patate, qepë dhe erëza, do të jetë një shije e cila do t’ju ngelet gjatë në mendje.

Pijet

Kafja tipike greke, qoftë e ngrohtë apo e ftohtë është krenaria më e madhe e Meteorës. Frapeja është një kafe tipike greke, e kombinuar me ujë dhe akull, e preferuar në çdo stinë. Po ashtu pija e famshme uzo, e konsideruar sipas legjendës, e preferuara nga perënditë greke për të arritur pavdekësinë ka një shije unike. Mos u largoni pa provuar edhe verën. Veraria Loudas gjendet në rrëzë të maleve madhështore Meteora, ku mund të shijoni verën e kuqe, trëndafil dhe atë të bardhë.

Akomodimi

Infrastruktura pritëse në Meteora është e fokusuar më së shumti të banesat vendase të kthyera në hotele të vegjël dhe me një dekor tipik shtëpiak, me arkitekturë bazike prej pllakash dhe gurësh gëlqerorë, pishina të vogla të kaltra dhe oborre të mbushur me ullishte, portokalle si dhe lule të shumta.

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF