
Rovena Dilo është një këngëtare mjaft e dashur për publikun shqiptar. Por në fëmijëri, ajo paska pasur dëshira të tjera, shumë larg këngës. Përmes një postimi në Instagram, Rovena tregoi se asokohe ishte frymëzuar nga piloti Armando Gjoka për t’u bërë pilote, pasi ai njeri personifikonte për të mbrojtjen dhe sigurinë.
“Dikur, shumë e vogël,thosha do bëhem pilote! Atëherë në qiellin e Tiranës kalonin rrallë avionë apo helikopterë dhe kur ndodhte të gjithë kalamajtë ulërinin si të çmendur në kor, “Aeroplani kaçatorr, mere nusen me vapor” se kam kuptuar kurrë këtë kalim te çuditshëm nga një mjet fluturimi tek një mjet lundrimi, por besoj se e gjitha bëhej për shkak te rimës. Gjithsesi ekzaltimi ishte kaq i madh saqë kishte nga ata fëmijë që kalonin në ngjirrje. Por arsyeja kryesore mendoj,që kam dashur të bëhem pilote,ka qënë komshiu ynë, piloti Armando Gjoka, një ushtarak i ri shembullor, një djalosh i jashtezakonshëm me sy blu e buzëqeshje guximtare, i cili humbi jetën në manovra ushtarake në moshën 26 vjeçare! Ai më frymëzonte pa fund, tek vinte veshur me uniformën e tij të aviatorit nga shërbimet dhe të gjithë ne fëmijët e adhuronim deri në habi! Ai ka qënë arsyeja e parë besoj,që kam respektuar dhe vlerësuar çdo militar të këtij vendi! Armando Gjoka nuk e mori kurrë titullin hero i popullit, por për mua dhe shumë të tjerë që e njohëm në atë kohë,ai ka qënë personifikimi i mbrojtjes dhe sigurisë,teksa kthehej veshur me uniformën e pilotit nga stërvitja me avionin e tij, me të cilin ndonjëherë në të rrallë kalonte edhe mbi qiellin e Tiranës e na bënte ne të gjithëve të na rrihte zemra fort…”, thuhet ne postimin e saj.