
Rinia shqiptare e përbërë nga grupmosha 15-29 vjeç ka pësuar një tkurrje për shkak të emigracionit. Sipas Instat, këtë vit janë 18 mijë të rinj më pak krahasuar me një vit më parë.
INSTAT raportoi se popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me 16.2 mijë persona në raport me janarin 2020 ose me 0.8 për qind. Por në grupet e reja, rënia ishte më e fortë. Popullsia në grup moshën 15-29 vjeç shënoi tkurrje më të madhe me rreth 18 mijë persona. Në këtë interval moshe pakësimi më i madh ishte për të rinjtë 15-19 vjeç me mbi 8 mijë persona.
Reduktimi në grupet më të reja të popullsisë në moshë lidhet me dy faktorë themelorë: rënia drastike e lindjeve pas vitit 2000 dhe niveli i lartë e emigracionit në moshat e reja. Gjatë vitit të kaluar INSTAT raportoi se emigruan nga vendi rreth 24 mijë persona, shumica e të cilëve ishin mosha të reja.
Rënia e popullsisë po ushtron presion tek forca e punës, e cila është në një cikël tkurrës pa kthim për shkak të lindshmërisë së ulët, por emigracioni i lartë e ka përkeqësuar më shumë trendin.
Popullsia në moshë pune shënoi rritje për grup-moshën 30-39 vjeç me rreth 10 mijë persona, por rënie është vërejtur në grup-moshën 40-49- vjeç me rreth 11 mijë persona, teksa shihet se në grup-moshën 60-64-vjec ka një rritje me mbi 3 mijë persona në krahasim me janarin 2021.
Teksa forca e punës në grup-moshat e reja po tkurret me shpejtësi, bizneset në të gjithë vendin po ndejnë vështirësitë që po krijon mungesa e punonjësve. Njësitë e shërbimeve, hotele dhe restorante në të gjithë vendin sidomos në zonat turistike, sektori fason dhe call center po ndjejnë mangësitë.
Kriza pandemike e cila erdhi edhe si një krizë ekonomike pritet të ketë ndikim negativ në treguesit demografike, sidomos në drejtim të emigracionit. Monitor.al



















