KreuStil Jetese

Njihuni me një Gentleman si Isli Islami!

Me Islin nuk ka supriza, ai është po aq ‘cool’ sa në ekran edhe kur e njeh nga afër! I çiltër, karizmatik, i thjeshtë deri në modesti gazetari dhe moderatori i njohur në Top Channel, fare natyrshëm pa asnjë sforco është kthyer në personazhin që e duan të gjithë. Ndonëse Isli me modesti pëlqen të evitojë prozherktorët e famës, ftesës për të qenë pjesë në Bordo Cover Men ju përgjigj pozitivisht, dhe ne shijuam një bashkëbisedim që rrodhi krejt natyrshëm….

Përshëndetje Isli! Kur ju kontaktuam për të qenë pjesë e Bordo, përveç faktit që jeni përherë shumë i sjellshëm çfarë ju shtyu tjetër të pranoni? 

Daljet në intervista i kam shumë të rralla, për shumë arsye. Megjithatë, kur të vjen një ftesë nga një revistë si “Bordo” është pak e vështirë të thuash jo. Sado që kjo periudhë është ndër më të ngarkuarat, “Bordo” si revistë që ruan tanimë e vetme traditën e print-it, të josh me ftesa të tilla. ?

Prej vitesh në ekran; po Isli vetë në rolin e publikut çfarë ndjek më shumë në TV

Ah sa të këqija i kam marrëdhëniet me televizorin si publik… me kalimin e viteve njeriu sikur e ka më të vështirë të menaxhojë kohën, ose ndoshta edhe angazhimet rriten dhe është normale, por ngelet aq pak kohë e lirë, sa nuk di çfarë të bëj më përpara. A të përfshihem si publik, apo të rri disi më i qetë larg “zhurmës” së televizorit. Megjithatë, programet e fundjavave qëllon t’i shoh më shpesh, ndoshta edhe për faktin se përfshihet edhe familja shumë më tepër në atë atmosferë, e i shohim të gjithë bashkë.

“S’e kam me ty” është një sfidë e re që sapo ka nisur në radio ku përmes satirës ironizohen programet që shfaqen në ekranet shqiptare. Çfarë nuk shkon me programet shqiptare sipas jush? 

“S’e kam me ty” është emisioni radiofonik që më rikthen në Top Albania Radio ashtu siç e nisa këtë profesion, vetëm për vetëm mes 4 mureve të radios. Pa dashur t’i hyj të thellave, me pak fjalë mendoj se, pjesa më e madhe e programeve televizive sot “lindin” si produkt i presionit të klikimeve. Për shkak të këtij presioni shumë programe televizive pompojnë vetëm sensacion dhe u mungon tërësisht përmbajtja. Në thelb edhe emisioni “S’e kam me ty” përmes satirës synon t’i hapë sytë, veshët dhe mendjen publikut për të kuptuar pikërisht vlerën e përmbajtjes.

Cila është natyra e emisionit që nuk do ta bëje kurrë dhe cili është ai program që do të doje shumë ta moderoje, por ende s’të është ofruar? 

Nuk ndodh shpesh që të mendosh për programet që nuk do të dëshiroja kurrë t’i prezantoja, por pa diskutim që çdo gjë që kam bërë në televizion apo radio deri më tani ka qenë një eksperiencë, e mendoj se ja ka vlejtur, qoftë 1 përqind. Mund të tingëllojë klishe por realisht e mendoj këtë gjë. Sot jam “produkt mediatik” i çdo gjëje nëpër të cilën kam kaluar, qofshin këto dhe eksperiencat qe dikur nuk më hynin dhe aq në sy. Për t’iu përgjigjur pyetjes me sinqeritet s’do të bëja një projekt vetëm për klikime apo famë. Më tërheqin shumë dy lloje, ose intervistat tek për tek, të shtruara me personazhe të mirë, që kanë diçka për të ndarë me publikun, ose programet shoë me bazë muzikën ndoshta. Në një det me ide e projekte, jam i gatshëm të bëj shumë gjëra, për aq kohë sa janë të freskëta, origjinale dhe me përmbajtje. Pa skandale!

Cila ka qenë dhurata e fundit që i keni bërë dikujt? 

Nuk e di si ndodh me të tjerët, por për mua, të menduarit dhe të bërit të një dhurate është një proces që e dua shumë shumë, njëkohësisht edhe më sikletos shumë. Dua të bëj gjithmonë dhuratën e duhur, atë dhuratë që realisht e gëzon marrësin, a thua se dikush do më vërë notë (Qesh) Unë jam ndër ata persona që më shumë sesa dhuratë të kushtueshme, dua të bëj një dhuratë që ka kërkuar kohë të mendohet e të realizohet. Mendoj se ajo është pjesa më e rëndësishme sepse dhuratat në fund të fundit janë kujtime, e për këtë arsye dua që njerëzit të më mbajnë mend për ndjesinë e bukur që mund të kem dhuruar nëpërmjet një dhurate.  E fundit fare fare që kam bërë, (disa javë më parë) eshte nje skulpturë në formë karikature me fytyrë dhe trup, në përmasa të vogla fare e cila mbahet edhe në pëllëmbë të dorës. Shumë origjinale si ide dhe personi që e merr kënaqet kur sheh një skulpturë të tijën me pak nota humori.

Në një kohë kur fenomeni i bullizmit po diskutohet shumë, ju jeni ndjerë ndonjëherë i bullizuar. Nëse po, mund të ndani ndonjë episod me ne? 

Njerëz që nuk janë përballur qoftë një herë me të qenit të bullizuar, nuk mendoj se janë shumë në numër. Gjithashtu mendoj që nuk ka shumë “gjëra të reja nën diell”. Dua të them që brezi im, apo edhe më herët, sigurisht që janë hasur edhe në baza të përditshme me ngacmime sistematike, tallje, vënie në lojë e deri në ofendime apo edhe dhunë që tejkalon verbalen. Vetëm se atëherë “bullizmi” si term nuk njihej, por efektin e kishte të njëjtë si në “kohët moderne”. Edhe unë jam bullizuar patjeter, në moshë shumë të re, kam qënë dhe shumë i urtë, kësisoj s’ka qënë as shumë e vështirë. Nuk kam ndonjë episod specifik duke qënë se mund të shkëpusësh fare mirë ditë të zakonshme nga një shkollë apo ambient ku ka gjithmonë fëmijë “te hedhur” e garipa, dhe fëmijë më të urtë që shohin punën e tyre e s’i bien kujt në qafë. Është shumë e vështirë që të vihet përfund kjo çështja e bullizmit. Kërkon shumë punë, durim dhe përfshirjen e shumë aktorëve të cilët jo të gjithë e dinë se sa i rëndë mund të jetë e sa pasoja mund të kenë këto ngacmime.

“Shokun zgjidhe më të mirë se vetja është një thënie popullore”; e keni ndjekur ju më shumë këtë shprehje apo miqtë tuaj? 

Unë e kam ndjekur, le të themi “verbërisht” këtë shprehje. I kam miqtë shumë të mirë, po jashtëzakonisht të mirë. Dhe është ndoshta ndër temat për të cilat mund të flas më gjatë dhe me shumë dëshirë. Kam qënë dhe jam i rrethuar me dashurinë e shokëve e shoqeve, miqve për kokë, të cilët i dua shumë dhe më duan shumë sepse e ndjej dashurinë e tyre në çdo kohë. Zoti më ka bekuar shumë me ta!

“Jam shumë i lumtur që kam harruar shumë gjëra nga fëmijëria”; jeni shprehur në një intervistë….nëse një fëmijë apo adoleshent sot po kalon një moment të vështirë, çfarë do t’i thonit ju?  

Jo nëse, por jam i sigurt që shumëkush është duke kaluar ditë të këqija. Mendoj dhe besoj fort që spiralja që të çon poshtë në rënie të lirë është ndjesia e vetmisë në këto momente të vështira. Nëse dikush po e lexon këtë intervistë dhe nuk po kalon momentet e tij/saj më të mira, i them që absolutisht nuk është vetëm, ka njerëz që e kuptojnë dhimbjen e tyre, e njohin vështirësinë e tyre, i fshijnë lotët kur të tjerët mund të mos jenë duke parë dhe mbi të gjitha ka një Perëndi që nuk ka ndërmend të na braktisë. Unë momentet e mia “të vetmisë” kështu i kam kaluar. Duke i ndarë me të tjerët, duke refuzuar të dorëzohem e me sytë lart tek Jezusi në të cilin besoj me gjithë forcën time. Jeta është e vështirë, absolutisht, por shumë e bukur nëse jemi duke ecur në rrugën e duhur. Nuk besoj se kemi ardhur në këtë botë për të vuajtur, por për t’i kaluar vështirësitë me një zemër të gëzuar, edhe atëherë kur çdo rrethanë thotë se s’kemi arsye për të vënë buzën në gaz.

Një nxënës i muzikës klasike, sot është një figurë e njohur në moderim! Ç’ne ky katapultim? 

Është ndoshta pak e çuditshme por unë kam qënë shumë i qartë në degëzimet e mia; violonçelin do e mbaroja me nota të mira e njëkohësisht, pasionin për median në një mënyrë a në tjetrën s’do e lija të pluhurosej. Por me sinqeritet them se çdo gjë ka qënë pa ndonjë plan të mirëfilltë. Muzikën klasike një ditë do e përfundoja dhe atë background do e kisha gjithë jetës me vete, sado si një kujtim që sikur largohet çdo ditë, por edhe të qenit personazh mediatik i famshëm nuk e kërkova me ngulm. Ngelem një njeri i thjeshtë me shumë pasione.

Çfarë marrëdhënie keni krijuar me famën? 

Unë dhe fama… nuk e di. Në vendin tonë nuk është e vështirë të bëhesh i famshëm por është vështirë të bëhesh me famë në mënyrë të shëndetshme. Nuk jam ndër ata persona që e shijojnë shumë, sepse më pëlqejnë shumë njerëzit e thjeshtë, sepse ashtu jam vetë, dhe shpesh herë kjo ideja e të qenit i famshëm të kushtëzon ndonjëherë. Megjithatë, famës time nuk i jap shumë rëndësi e nga ana tjeter as nuk e vuaj shumë. Bëj gjithmonë atë që mendoj se duhet bërë e në fund të ditës nuk e vras shumë mendjen.

Jeni një moderator që është çdo ditë para publikut, por tejet diskret jashtë studios? 

Diskret kam qënë, jam dhe mendoj që kështu do të jem gjithmonë. Është pjesë e mënyrës si jam gatuar dhe nuk ka lidhje me profesionin. Nuk kam dëshirë shumë të jem në qendër të vëmendjes, e kjo ndoshta më bën të dukem diskret. Nuk iu jap njerëzve shumë informacion sepse mendoj që në thelb nuk i intereson shumë se çfarë bëj, apo mendoj, apo them unë. Ashtu sikurse edhe unë nuk jam shumë kurioz kundrejt të tjerëve. Dhe kush më njeh e di shumë mirë. Ky kurioziteti për të ditur sa më shumë, na ka çuar drejt kërkimit për të mësuar gjëra që në të vërtetë, po ta mendojmë, nuk na interesojnë shumë. Është si rreth vicioz.

Çfarë do t’i thonit sot Islit 20 vjeç? 

Isli 20-vjeç duket si shumë larg, ndoshta sepse në këto vite kanë ndodhur aq shumë gjëra sa e kanë 2-3 fishuar ndjesinë e viteve. Megjithatë një këshillë edhe do e kisha; ji më i sigurt e mos ki frikë. Gjërat nuk janë vetëm bardhë e zi. ?

Për personazhet e njohur, duket se shpesh publiku ndahet në dy pjesë; ata që të duan shumë, dhe një pjesë simpatinë e të cilëve nuk e fiton kurrë. Për Islin këta të dytët pothuajse nuk ekzistojnë….

Këtë po e marr si një kompliment që ma përkëdhel sedrën. Shpresoj shumë që të jetë kështu. Me sinqeritet e them që marr shumë dashuri nga publiku, audienca, njerëz të mirë që jo vetëm më ndjekin, po nuk ngurrojnë të më shprehin vlerësim, dashuri edhe pse më njohin vetëm nga ekrani. Kjo më bën të mendoj që kam krijuar një personazh televiziv që vjen si një mik në shtëpitë e shqiptarëve, dhe si gazetar e moderator, mendoj që është sadisfaksioni më i madh. Dua ta shfrytëzoj këtë hapësirë për një falenderim të madh për ata që ndjekin “Ëake Up”-in e na mbështesin!

Cili ka qenë shefi i parë i juaji? Keni diçka për t’i thënë sot? 

Shefi im i parë, kur e kam nisur këtë profesion në një radio të vogël por prej të cilës kam mësuar shumë në pak muaj që kam qëndruar, është Dritan Dama, në radion “Super Star”. Mikesha ime Eurilda ishte ajo që më mbështeti shumë që në takimin e parë me studion e transmetimit të një radioje. Pas saj, kam trokitur në “Top Albania Radio”, me dëshirën që ajo eksperiencë të zhvillohej më tej në një tjetër dimension. Në Top Albania, themeluesi i “Top Medias”, i ndjeri Dritan Hoxha, kishte krijuar një mekanizëm të jashtëzakonshëm që vetëm ecte e zhvillohej, dhe padyshim mbështetja e të gjithëve aty ka qenë ndihmë e jashtëzakonshme për të qenë sot, këtu ku jam. I kujtoj me falenderim dhe shumë mirënjohje të gjithë që më kanë ndihmuar, kritikuar, ata që i kanë dhënë formë Islit si profesionist.

Nëse do ishit në pozicionin e një shefi, çfarë marrëdhëniesh do krijonit me vartësit tuaj?

Sa pyetje e bukur! Tani, dëshira ime padyshim është që një marrëdhënie e tillë do të ishte shumë e mirë. Mendoj se do të isha një shef i mirë. Apo kështu thonë të gjithë kur i pyet? Jo, sinqerisht mendoj që do kisha një marrëdhënie shumë miqësore nëse do të isha në ndonjë pozicion drejtues. Po është e vështirë të drejtosh. Nuk është e lehtë. Nëse ndonjë drejtor e bën gjumin gjithmonë të qetë e pa shumë kokëdhembje atëherë nuk po e bën punën siç duhet.

Nëse në jetën tuaj ka një mentor, ai/ajo quhet?

E përmenda pak më herët që kam qënë i bekuar gjithmonë me miq shumë të mirë të cilët më kanë qëndruar pranë, kanë gëzuar me mua e kanë ndarë dhimbjen shpesh herë me mua. Ata kanë qënë edhe mentorë në njëfarë mënyre e në të gjitha mënyrat njëkohësisht. Ndërsa nga ana profesionale, do më “bërtasë” kur ta lexojë emrin e saj, autorja e “Ëake Up”-it Aida Tuci, e cila perveçse nje mike e mirë, është edhe një mentore profesionale e papërtuar që më ka ndihmuar profesionalisht shumë. ?

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF