Intervistë/ Carla Bruni: Dashuria është gjëja ime e preferuar

Modelja, këngëtarja dhe ish-Zonja e Parë e Francës, vjen në një intervistë të sinqertë ku flet për dashurinë dhe njerëzit e saj më të dashur

Zonja Bruni, ju keni jetuar shumë jetë ndër vite: keni qenë një modele, muzikante dhe Zonja e Parë e Francës. Si keni qenë në gjendje të bëni këto transformime?

Unë jam një tip që mund të përshtatem shumë dhe sigurisht kam qenë gjithmonë me shumë fat, sepse kam pasur pranë njerëzit që më kanë ndihmuar t’ja dal. Madje jam supersticioze, aq sa herë e them këtë prek një metal, që të mos më marrin në sysh (qesh). E vërteta është që gjithmonë kam frikë kur dua të nis diçka të re, kur takoj njerëz të rinj, sepse nëse deri tani çdo gjë për mua ka qenë një evolucion, shpesh ndihem në mëdyshje, spse nuk e di se çfarë fshihet pas asaj kthesës, ku dikush të propozon një të ardhme ndryshe. Por ajo që më ka bërë të ndihem mirë është fakti se gjithmonë në fund ka qenë një kënaqësi që ja kam dalë. Kjo më ka mësuar që të mos trembem nga sfidat.

Kjo do të thotë që nuk jeni fataliste si natyrë?

Në fakt kjo është një luftë e madhe me veten që kam bërë gjithmonë në kuptimin e mirë të fjalës. Sepse kur bën një hap prapa, gjërat janë ndryshe. Ti kthen kokën pas dhe sheh që historia e jetës tënde ka qenë kaq e bukur, atëherë rri e mendoj: e shkuara ime ka kaq diell, por e ardhmja, si do të jetë? Por mësimi më i mirë që kam marrë në jetë ka qenë që të ndihem e lirë në të gjitha zgjedhjet e mia.

Që do të thotë?

Kur ju tërhiqeni nga diçka e kuptoni se diçka po ndryshon në mënyrën se si ju po i perceptoni gjërat. Për shembull, kur kam shkruar këngën “Zonja jote”, nga albumi im i ri, unë i referohesha një dashurie të fortë e cila nuk mund të ndodhë. Nëna ime, është 90 vjeçe dhe gjithmonë më thotë se është bukur të jesh zemërthyer, ndoshta sepse dhimbja na bën shpesh të bëjmë gjëra të bukura, të kthejmë gjithçka në forcë, apo të bësh një këngë e cila shkruhet për të qenë thjesht një kujtim fantastik dhe kur të jem 90 vjeç, do ta dëgjoj e do të qesh!

Mamaja juaj ka qenë pianiste, babai kitarist, jeni rritur e rrethuar me muzikë, ishte zgjedhja juaj modelingu, si një akt rebelimi?

Pakëz fare po, por nuk mund ta quaj tamam rebelim, sepse familja ime e ka pëlqyer gjithmonë punën time si modele. Prindërit e mi nuk u përfshinë kurrë në zgjedhjet e mia, edhe pse ishin vetëm të shqetësuar për sigurinë time. Zgjedhja ime për modelingun ishte një lloj simboli, sepse unë isha e vendosur që në jetën time të bëja diçka që ishte e shkuar për mua. Kam dashur gjithmonë të jem e lirë dhe e pavarur. Modelingu është i tillë pa harruar që të sjell shumë para, brenda një kohë të shkurtër. Ky profesion nuk ishte ajo që donin prindërit realisht: ata më imagjinonin për orë të tëra duke studiuar piano, por kur e shohin që ti je e pavarur, nuk u kërkon atyre para për kafe apo për të blerë rroba, kjo zgjedhje sigurisht që ka qenë më e mira, ndaj ata e pranojnë këtë me krenari. Mos harroni, lidhja ime me muzikën ka qenë e fortë, sepse gjithmonë kur shkoja nëpër sfilata, unë merrja me vete kitarën time.

Çfarë ju bindi të ktheheshit tek muzika? 

Unë gjatë gjithë jetës time i kam hedhur sytë tek muzika. Unë shkruaj shumë poezi, pjesa më e madhe kanë qenë pjesë e jetës sime, ndaj edhe sa herë ulesha me kitarë, mendoja sesi poezitë e mia të ishin këngë. Që nga fëmijëria ime, do të thosha nga pesë vjeç e deri më tani, unë e shikoja muzikën si strehë, sa herë që gjërat ishin të vështira. Ishte si një lloj mbrojtje, madje edhe kur dëgjoja muzikën e të tjerëve, ndihesha në botën që doja të isha. Ndaj kjo zgjedhje ishte krejt e natyrshme dhe nuk e pata vështirë të bëhesha pjesë e saj.

Ka pasur ndonjë këngë që ka qenë dedikim i pastër?

Kam shkruar “E dashur”, për mikun tim François Baudot dhe “Salut, Marin” për vëllanë tim, Virginio. Me François, kam pasur një raport special, vetëvrasja e tij ishte shumë tronditëse për mua dhe shpesh mendoj nëse kam bërë diçka të gabuar. Ndonjëherë ëndërroj njerëz që nuk janë më me ne, dhe kjo tregon që unë i dua ende ata. Ata duket sikur nuk kanë vdekur, por sikur janë thjesht në dhomën tjetër. Më pëlqen kjo ndjesi që mund të kemi kur të vdesim, sepse edhe pse nuk i shohim më këta njerëz, e ndjejmë praninë e tyre.

Të shkruarit dhe kënga a ju ndihmon?

Në të vërtetë nuk besoj se arti është terapi, por besoj se krijimi i këngëve është diçka që të jep lehtësim. Emma Stone thotë se interpretimi ka qenë gjithmonë një rrugë terapeutike për të. Unë gjithashtu fillova ta ndiqja këtë si një shkollë dhe a e dini, unë mund të shkoja shumë larg me imagjinatën time, ëndërroja gjëra të tjera që më largojnë nga kjo botë. Kur isha Zonjë e Parë, pata një frymëzim të madh për muzikën. Jo të gjithë e kuptonin, sepse mendonin, kjo ka detyra qeveritare, nuk e kuptojmë pse merret me muzikë. E vërteta është që unë krijoja si një vend ku mund të ndihesha e lirë, sepse shumë detyra ishin mbytëse për mua.

Si e përjetuat kalimin në muzikë me kohë të plotë?

Kjo në të vërtetë ndodhi krejt natyrshëm. Nuk u tremba. E dini, unë jam nervoze gjatë gjithë kohës – vetëm të jem gjallë më bën nervoze! (Qesh) Por unë kurrë nuk jam vërtet nervoze për të arritur atë që dua. Ajo që më bën vërtet nervoze është kur rri dhe nuk bëj asgjë.

A e shikoni veten tek ndonjë këngëtar që doni t’i ngjani?

Unë nuk kam ndryshuar aspak që nga albumi im i parë. Unë jam një tip që nuk dua të ndryshoj, thjesht dua të piqem në çdo moment të karrierës time. Sigurisht që jeta ime ka ndryshuar, por ajo që kam kuptuar kohët e fundit është se dashuria është gjëja ime e preferuar, sepse është ajo mbi të cilat janë shkruar të gjitha këngët e mia. Ajo që më bën vërtet të lumtur, e sidomos kur njerëzit e tjerë janë të lumtur. Sa më shumë plakeni, aq më shumë shihni se çështja e vërtetë është, a ju duan njerëzit dhe sa njerëz që na duan kemi pranë.

 

Previous ArticleNext Article