Fshehur nën guaskë
E mbani mend, kur kemi qenë të vegjël ecnim përgjatë bregdetit për të gjetur ndonjë guaskë, sidomos ato të mëdhatë, që kur vendos veshin brenda saj, dëgjon sesi oshëtin zhurma e detit, madje edhe kur je qindra kilometra larg. Por, kjo lidhje kaq mistike me guaskat e detit, vjen nga lashtësia, sepse ato janë një simbol i lidhur fort me njerëzimin. Guaskat e detit janë koraca mbrojtëse, por edhe shtëpia e shumë gjallesave detare, që në vetvete kanë domethënie të fuqishme. Nga kohët e vjetra, ato perceptohen si një simbol femëror, ndaj edhe lidhen fort me lindjen, fatin e mirë, ringjalljen dhe pjellorinë. Një guaskë në vendet e besimit budist tibetian nënkupton mbrojtësin e jetës, ndërsa në Indi është simbol i dëgjimit, një nga tetë ëmblemat e fatit, ku përfshihet durimi. Por një guaskë konku në Budizëm, simbolizon zërin e Budës; zërin e hyjnisë.
Në vendet e Mesdheut, ajo konsiderohet si një nga simbolet e para jonike, që lidhet fort me feminitetin, pjellorinë dhe fuqinë magjike. Mendohej se banoret e ishullit Lesbos komunikonin mes tyre përmes këtyre guaskave, sepse sipas besimeve të lashta greke, fakti që ato kishin formën e mitrës, ishin si një lloj mjeti komunikues dedikuar grave. Grekët e lashtë i mbanin ato në banesat e tyre sepse quheshin Porta e Jetës; ato kishin fuqinë të shëronin dikë kur nuk kishte aftësinë e pjellorisë. Romakët e quanin “matriculus”, që do të thotë matricë ose mitër; duke nënkuptuar embrionin prej nga lindte jeta. Ndaj shumica e grave i mbanin me vete ose i varnin në qafë sapo martoheshin që të lindnin fëmijë të fortë dhe të shëndetshëm. Ky amulet sipas disa popujve ishte një dhuratë që sirenat e detit i dhuronin njerëzve, një fuqi që vjen nga thellësia dhe fuqia e detit.
Ndërkaq në Egjiptin e vjetër guaskat e gocave të detit ishin simbol i dritës, ato kishin aftësi ripërtëritëse. Sipas kulturës së lashtë të tempujve keltikë, ato ishin simbol i perëndeshës Brixhitë, i njohurmes grekëve si perëndesha Afërditë, tek romakët si perëndesha Venus dhe tek induistët si Lakshmi, pra ishte gruaja e lindur në dallgët e detit apo oqeanit dhe përfaqësonte bukurinë, aspektin e përsosur femëror dhe joshjen. Me ardhjen e Krishtërimit, ky amulet u kthye në domethënien e shpëtimit të shpirtit, ndaj edhe priftërinjtë e parë e përdornin si një enë pagëzimi me të cilën spërkatnin besimtarët. Banorët e Oqeanisë mendonin se koralet dhe guaskat kishin fuqi magjike, ndaj edhe ato u vendoseshin fëmijëve në qafë fill sapo nisnin të ecnin: guaskat e kuqe simbolizonin jetën, rritnin pjellorinë dhe përdoreshin si apotropik në rituale për të shmangur të keqen. Ndërkaq në Lindjen e Mesme, derisa erdhi besimi musliman, guaskat ishin simbolika që përfaqëson dritën e hënës, pastërtinë, lotët, pasurinë, fuqinë e ujërave dhe mençurinë. Besohet se ajo ishte rezultat i një rrufeje e cila depërton tek gocat e detit, një bashkim i zjarrit dhe ujit. Myslimanët i përdorin ato për të simbolizuar parajsën, duke besuar se të bekuarit jetonin në jetën e përtejme brenda tyre. Mbani një guaskë brenda shtëpisë tuaj, nënkuptojnë pasurinë, ose në qafë si amulet që garantojnë fatin e mirë, mbrotjen nga e keqja. Fundja, ato janë aq të bukura dhe unike, sa gjithmonë mund të jenë një aksesor i dashur që nga fëmijët deri tek të rriturit.


Lionel Messi largohet zyrtarisht nga Barcelona




MelvinFlex/ Kontrata afatgjatë me gjumin e mirë


Kombinimet më të thjeshta dhe më “in” të verës!


Varianti Delta dhe fëmijët; çfarë duhet të dimë!








Larësit më të mirë për fytyrën në ‘drugstore’

