
Vaksinimi i më shumë se 80 për qind të personave mbi 12-vjeç ka bërë të mundur që Danimarka të heqë të gjitha kufizimet për përhapjen e koronavirusit. Masat ishin në fuqi plot 548 ditë, thotë REL. Në klubet e natës, nga 10 shtatori nuk kërkohet më dëshmia e të qenurit i vaksinuar. Kjo ishte ndër masat e fundit që ishte në fuqi në këtë vend. Që nga data 1 shtator certifikata dixhitale e vaksinimit nuk kërkohej më në asnjë vend në Danimarkë, përveç klubeve të natës. Që nga mesi i muajit gusht, mbajtja e maskës në transportit publik nuk është më e detyrueshme. Megjithatë, autoritetet kanë vendosur që mbajtja e maskës të mbetet e detyrueshme në aeroporte dhe njerëzit janë këshilluar që ta mbajnë atë kur shkojnë për vizitë te mjeku, në qëndrat e testimit apo spitale. Në kufijtë e këtij vendi ende zbatohen rregulla të rrepta për shtetasit jo-danezë që synojnë të hyjnë atje.



















