Ngjarja tragjike që ndodhi në enjten e kaluar ku aktori Alec Baldwin qëlloi aksidentalisht me armë zjarri kineasten Halyna Hutchins ka tronditur mbarë botën e kinematografisë. Baldwin mendoi se arma ishte e siguruar, por fatkeqësisht për arsye që ende janë të paqarta shkrepja e saj ishte fatale për kineasten 42 vjeçare. Gjatë incidentit u plagos edhe regjisori i filmit Joel Souza.
Që prej asaj dite Baldwin ka qenë në dispozicion të policisë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë dhe është shprehur se ndodhet në një gjendje tejet të pikëlluar.
Por a rrezikon burg aktori i njohur?! Duket se një mundësi e tillë nuk është e përjashtuar. Sipas ekspertëve edhe pse gjasat që Baldwin të bëjë burg janë shumë të vogla, askush nuk mund të thotë ende me siguri që aktori është krejtësisht i përjashtuar nga përgjegjësia ligjore.
Gjithçka do të vendoset pas disa javësh pasi të kryhen ekspertizat e nevojshme dhe të të zbardhet dinamika e ngjarjes.



















