
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rihapur kufijtë për udhëtarët e huaj pas të paktën 20 muajsh ndalim për shkak të situatës pandemike.
Ndalimi u vendos nga ish-presidenti Donald Trump dhe ka prekur shtetasit joamerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e BE-së.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj përpara se të fluturojnë duhet të dëshmojnë:
-Prova të vaksinimit të plotë
-Të kenë një test negativ të COVID-19 të kryer brenda tre ditëve nga udhëtimi
-Të dorëzojnë informacionin e tyre të kontaktit
-Nuk do të karantinohen
Udhëtarët për qëllime “jo thelbësore” si vizita në familje ose miq do të duhet të paraqesin certifikatën e tyre të vaksinës COVID-19, ndërkohë udhëtarët e pavaksinuar do të lejohen vetëm nëse udhëtojnë për qëllime “thelbësore”.
Gjithashtu është bërë me dije se do të pranohen të gjitha vaksinat e miratuara nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë të cilat janë: AstraZeneca, Johnson&Johnson, Moderna, Pfizer/BioNTech, Covaxin, Sinopharm, Sinovac. Pjesë e kësaj liste nuk është vaksina ruse Sputnik V.