Gjergj Kaçinari: Të ruaj standardin, përgjegjësia ime!

Nga Nada Biraçi 

Fotografia: Erjon Beshiri 

Vendndodhja: Bar Komiteti 

Arti është i pavdekshëm e ndonëse mediokriteti dhe banaliteti prej vitesh në vendin tonë kanë tentuar ta përçudnojnë, për Gjergjin ky realitet shpesh i hidhur është kthyer në një sfidë, të cilën artisti e ka kthyer në detyrim moral e përgjegjësi sociale për të ruajtur standardin dhe për të mos keqinformuar masën.  

Gjergj cilat janë angazhimet muzikore të momentit?

Si fillim, festivali i fundvitit do të jetë angazhimi i rradhës ku do të prezantohem me një këngë të re. Vitin tjetër do të ekzekutoj planet dhe projektet e mirë organizuara të cilat fatkeqësisht mbetën të ngrira pothuajse dy vite.

I talentuar, i krijuar në gjenezë si muzikant, ama ke zgjedhur të mbash një profil të ulët publik. Pse kjo zgjedhje?

Këtu ka rol mënyra e gatimit dhe zgjedhja taktike apo ‘skematike’ të cilat garantojnë suksesin virtual ditët e sotme (të mjera), ku fatmirësisht në asnjërin rast unë nuk kam vënë kurrë para profesionit, pasionit apo vetes time, shfaqjen në publik.

Ke menduar ndonjëherë të heqësh dorë nga muzika?

Jo tekstualisht, por rastet ku lufta për mbijetesë ndaj mediokritetit dhe banaliteteve të tregut muzikor sot me anë të profesionalizmit, krijimeve të pastra e të sinqerta artistike, kanë qenë të shpeshta. Sigurisht që demoralizohesh dhe kur s’ke krah askënd veç vetes, do i thërrasësh nevojës.

Çfarë të motivon, çfarë të bën të mos heqësh dorë nga muzika?

Të lindësh me art, të sakrifikosh pothuajse gjithçka, orët, ditët, vitet, shumë e shumë argëtime të çastit apo trende për diçka aq të pastër e të sinqertë sa ç’është krijimi artistik, ti njëherë e përgjithmonë shkëputesh nga rrjedha dhe vështirë të kesh më të njëjtat njësi matëse me pjesën tjetër. Gjithçka ka rëndësi për ty është brenda artit. Të tjerat shkojnë e vijnë. Arti është immortal.

Cila është sfida apo pjesa më e vështirë që ke hasur gjatë karrierës si këngëtar rroku?

Si vend i botës së tretë, na mungojnë shumë gjëra, formimi bazë, kulturor, edukata qytetare, formimi artistik, vuajmë të gjejmë gazetarë që formulojnë saktë një fjali, këngëtarë që mund të këndojnë, njerëz që vlejnë për atë ç’ka pretendojnë që bëjnë më mirë. Këtu nuk flasim më për rock, hip-hop apo popullore; këtu flasim për të ruajtur profesionalizmin, përtej rrymave apo etiketimeve. Në dukje, është një luftë me mullinjtë e erës por në çdo fushë, ka disa individë të paracaktuar që kanë përgjegjësi sociale për të ruajtur standardin dhe për të mos keq-informuar masën.  

Publiku yt, ata që pëlqejnë rrokun apo muzikën ‘country’ janë ndër më besnikët, ama edhe të paktë në numër. Ke menduar ndonjëherë të provosh një zhanër tjetër muzike, për të ‘kapur’ një target grup më të gjerë?

Sigurisht që një fast-food ka më shumë xhiro se një restorant me gatime të mirëfillta por s’besoj se një pasionant dhe profesionist tundohet nga çfarë qarkullon më shumë. Këtu nuk flitet për artistë që kulmi i karrierës është reklamimi i produkteve online, por për njerëz që i kanë dedikuar jetën artit dhe e njëjta gjë vlen edhe për publikun; publiku e ndjen kur arti është i sinqertë dhe ata që bëjnë këtë dallim, nuk janë të njëjtët me ata që çdo tre muaj ndërrojnë orientim sa i përket shijes muzikore. 

Përpos si këngëtar Gjergji edhe kompozon… në ç’bazë kriteresh i zgjedh ti artistët për të cilët kompozon? Ka patur raste kur ke refuzuar të bashkëpunosh me një artist?

Fatmirësisht, nga profili im dhe pozicionimi që kam marrë në profesion e në skenë, ndodh një vetë-seleksionim që e bën shumë më të thjeshtë dhe më pak të sikletshëm momentin kur duhet të ‘zgjedhësh’ me kë do të punosh. Gjithsesi, çdo eksperiencë vlen, edhe nëse devijoj krejtësisht nga rryma ime, kujdesem që një produksioni t’i bëj çdo shërbim të nevojshëm.

Sa të ka vënë para përgjegjësisë mbiemri që mban? A ka patur momente që babai kompozitori i njohur Alfred Kaçinari të mos e pëlqejë një projekt apo ty të mos ketë pëlqyer shumë një krijim i babit?

Mbiemri ka rritur pritshmëritë gjithmonë, gjë që s’më ka bezdisur pasi si perfeksionist, sa më e vështirë qoftë situata, aq më tërheqëse më duket. Por s’kanë munguar pengesat që kanë qenë më të shpeshta se ‘favorizimet’. Konsultohemi shpesh për materialet pasi punojmë në të njëjtën studio, gjë që e bën të pa shmangshëm ballafaqimin dhe jemi njëri më detajist se tjetri, kështu që kolaudimi i produksioneve i kalon të gjitha provat.

Rebel në pamje, por me siguri edhe ti ke anën tënde të butë, pikat e tua të dobëta…
Në ç’moment mund të jetë Gjergji i brishtë? Je shprehur se jeta personale dashurore të frymëzon për të krijuar…

Nuk mendoj se ka artist jo të brishtë, përtej imazhit që ofron për publikun. Jeta ime tashmë është e lidhur me muzikën rrënjësisht dhe për çdo emocion e situatë, e kam nga një kolonë zanore. Mua më frymëzojnë të shkruaj situatat emocionale ku gjendem. Me çdo krijim timin lidh një episod jete që me anë të këngës, atë moment apo emocion e kthej në memorie të përhershme. I gjithë ky proces është tejet kompleks dhe shpesh i papërshkrueshëm, prandaj është zgjedhur një gjuhë e mesme për të gjithë, gjuhë universale që është muzika.

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article