Nga Nada Biraçi
Hyrja e saj në politikë, rreth 1 vit parë nuk e zbehu asesi figurën e Adriana Matoshit, përkundrazi ajo mbetet aktorja më e dashur në Kosovë. Rolet i ka gdhendur dalëngadalë, por përtej asaj që kemi parë në filmat e saj, Adriana ka gdhendur një përfytyrim kaq real të portretit të gruas së guximshme, artistes së talentuar, por edhe mamasë së dedikuar. Nuk do ta kisha perceptuar sot këtë ndjesi për aktoren tonë të dashur, nëse përkujdesi dhe dashamirësia e publikut do të ishte kaq e dukshme, pak sekonda pasi Adriana do t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale. Pak para se Matoshi të hynte në narkozë, partneri i saj Keith në rrjetet sociale i dedikoi asaj një postim ku mezi priste të takonte “loçkën” e tij. Rrjeti thuajse u thye nga vëmendja, shqipfolësit ishin sy e veshë duke u lutur për Adrianën. E më në fund ajo ja doli me sukses. Jemi të lumtur që Adriana është mes nesh, duke e pritur të rikthehet në skenë, ndoshta me shpresën se skena e Ariston mund ta mirëpresë këtë fundmarsi, pse jo për t’i dorëzuar çmimin Oscar, pas nominimit që filmi “Zgjoi” mori për të qenë në garë mes emrash të njohur të kinematografisë botërore.
Çdo industri, duke përfshirë industrinë e kinematografisë, është plot konkurrencë; çfarë bëni për t’u dalluar mes konkurrencës?
Jam shumë e lumtur që e kam konkurrencën e fortë dhe kam pasur dhe kam gjithmonë partnerë të fortë në skenë, kjo na bën më të përgjegjshëm për punë dhe na e shton vullnetin për mos me u ndalë, bashkë me kolegët luftojmë për sukses dhe gjithmonë ja kemi arritur.
Cili është roli juaj më i mirë deri tani?
Kam pasur gjithmonë role të mira si në film ashtu edhe teatër, të gjitha rolet i kam dashur dhe ua kam dhënë shpirtin e i kam bërë të gjalla, të pranueshme dhe të besueshme për publikun, kam jetu me shpirtrat e atyre personazheve, i kam përjetuar si të isha vërtetë unë dhe s’dua ta dalloj asnjë rol sepse prej secilit kam pa që janë më keq ose më mirë se jeta ime personale.
Nëse jeta juaj do të qe një film, si do të quhej? Dhe cila do të ishte aktorja që do të donit ta kishte rolin e Adrianës?
Shpesh kolegët dhe shoqëria më thonë “pse nuk po e bën jetën tënde film” sepse jeta ime nuk ka qenë e njëtrajtshme, që nga fëmijëria ka qenë shumë e larmishme dhe me shumë sfida e përjetime, por unë e kam marrë të tillë dhe nuk jam dorëzuar asnjëherë por kam vazhduar dhe kam ecë përpara. Kam material për film e titullin e kishin gjetë njerëzit adekuat, unë s’e kam menduar asnjëherë. Ndërsa nëse ky film do të bëhet ndonjëherë unë dua shumë që personazhin e Adrianës ta luajë vajza ime Kaona.
Jetën e cilit personazh të famshëm do t’ju pëlqente ta luanit?
Nuk e kam problem të shndërrohem në një personazh tjetër dhe këtë mendoj se e kam dëshmuar. Mjafton të lexoj për një rol ose me dëgju jetën e dikujt edhe me luajt pa problem. Kështu, unë nuk e kam ndonjë model që e përcjell jetën e saj e as nuk lakmoj të jem si dikush, shpresoj të bëhem unë ajo që të tjerët ta kenë ëndërr ta luanin jetën time.
Cili ka qenë roli më sfidues në karrierën tuaj?
Ka pas shumë role të rënda psiqike dhe me të vërtetë kanë qenë sfidues për mua, por e kisha veçuar rolin e Lumes tek filmi “Zana”. Ka qenë vështirë psiqikisht, fizikisht dhe mendërisht kur e kujtoj që ngjarja ka qenë pikërisht përjetim i regjisores dhe kameramanes së filmit.
Filmi “Zgjoi” ku ju jeni pjesë e kastit do të jetë në garë për Oscar, çfarë ndjesie ju dha lajmi kur e morët vesh për herë të parë? Lajmi na bëri krenarë të gjithëve, që do të flitet shqip në teatrin Ariston, a keni planifikuar të jeni pjesëmarrëse në këtë ceremoni?
Lajme të tilla gjithmonë të gëzojnë pa masë, por për mua nuk ka qenë surprizë ose befasi, sepse prej shumë kohësh filmat kosovarë meritojnë të jenë pjesë e çmimeve Oscar, por duke e ditur vështirësinë e procesit se si bëhen punët atje, asnjëherë nuk jam zhgënjyer. Filmi e meriton edhe çmimin, ka temë, është motivues ka regji dhe aktrim brilant.
Lista e çmimeve që keni marrë gjatë karrierës si aktore është e gjatë. Në aspektin jetësor, cili është ‘çmimi’ më i rëndësishëm për ju?
Nuk e di as vetë se sa çmime kam marrë si aktore, ju them sinqerisht, janë të shumtë, por më gëzon fakti që njerëzit ma kanë dhanë çmimin më të lartë që mundet me pas një njeri. Më vlerësojnë si njeri shumë të sinqertë dhe njeri të fortë.
Ju keni patur role dramatike, me ngarkesë të madhe emocionale dhe jo më pak dramë ka patur edhe në jetën pas ekranit të madh për Adriana Matoshin. Ku ju buron forca për të përballuar gjithë kalvarin e surprizave të pakëndshme të jetës?
Jeta është plot sfida dhe unë jam me fat që sfidohem. Zoti i sfidon njerëzit e fortë dhe i sprovon, duke qenë besimtare unë e di që me sprovat e Tij Ai më gradon në botën tjetër, dhe jam këtu për çdo gjë që Ai e ka shkruajtur për mua. Zoti është forca ime.
Sfida e fundit ishte rishfaqja e tumorit: a ngjajnë përjetimet nga hera e parë në të dytën?
Hera e parë për gjithçka është më e rëndë, herën e dytë e kam kaluar shumë më mirë dhe e kam pranuar shumë lehtë edhe pse ishte i vështirë si proces. Shumë moti kam krijuar paqe me shpirtin tim dhe gjithçka sa i përket vetes time e përballoj më lehtë. E vetmja të cilës i frigohem është që shpresoj shumë që askush e as unë të mos kemi sprova tek fëmijët.
Mbështetja e partnerit Keith ka qenë e madhe! Sa ju ka ndihmuar ky fakt për ta përballuar edhe kësaj here sfidën e vështirë?
Në jetë secili ka nevojë për dikë që rrëfehet për çdo gjë dhe nuk mban msheftësi, sigurisht ai ose ajo duhet të jetë burri/gruaja, i dashuri/ e dashura. Zoti më bekoi mua me Keith që tani gati po i bëjmë 2 vite bashkë. Ai është mbështetësi më i madh pas prindërve të mi, më ka mbështetur dhe ka qenë gjithmonë aty kur unë kam pasur nevojë për të. Lidhja jonë mbahet nga distanca por asnjëherë nuk e ndjejmë mungesën e njëri-tjetrit sepse jemi aty për njëri-tjetrin kur duhet. Një trajtim të tillë ndaj partneres ia dëshiroj të gjitha vajzave dhe grave. Neve na mungon njëri-tjetri shumë çdo sekondë, por gjithmonë jemi aty për njëri-tjetrin.
Thuhet se në një marrëdhënie dashuria merr forma të ndryshme; ç’formë ka kjo e juaja në këtë periudhë?
Ne të dy jetojmë njëjtë siç kemi jetuar, pa ndërhyrë tek njëri-tjetri në çështje që nuk na takojnë, pa u përzier në shoqëritë që i kemi në të kaluarën që e kemi patur, ne thjesht duhemi, duam të jemi me njëri-tjetrin për aq kohë sa ështe e shkruar, që dy vite nuk e kemi pas as edhe një përlamje apo mosmarrëveshje, jetojmë dhe në këtë pikë të lidhjes e kemi të pamundur të mendojmë se ne mundemi pa njëri-tjetrin.
A ka receta në dashuri: nëse po cila është ajo sipas Adrianës?
Kur vendos me qenë me një njeri duhet ta pranosh me të mirat dhe të këqiat që i ka, unë kam vendos me i pa vetëm të mirat, kam vendos me i besu dhe mos me gjyku. Njëjt si Keith për mua. Kemi besimin tek njëri-tjetri dhe dashninë pa interes dhe pa hile. Ne duhemi pa e ditë pse.
Duket se pas furisë së paragjykimeve lidhja juaj u pranua edhe nga publiku. Si ndiheni tani që mund të ecni si çift normal rrugëve të Prishtinës pa marrë shikime habie?
Kurrë nuk duhet të gjykohet një njeri për ngjyrën sepse njeriu nuk e ka krijuar atë. Kurrë nuk duhet të gjykohet prejardhja sepse njeriu nuk e zgjedh atë. Njerëzit duhet të krenohen për moralin dhe sjelljen e tyre sepse ne e ndërtojmë atë. As atëherë as tani nuk e lodh kokën për fjalët e njerëzve sepse asnjëri nuk i ka punët perfekt në jetën e tyre që me ma perqeshë jetën time. Përderisa unë e kam gjetë një gjuhë të përbashkët me një person dhe më bën të ndjehem ashtu siç du, pse me e lodhë kokën me u marrë me njerëz që as nuk i njoh.
Në nisje të kësaj romance çfarë kujtoni të dy me shumë nostalgji?
Për pak kohë kemi krijuar një botë të vockël me gjëra të mëdha, plane, udhëtime, dreka e darka me shumë rrëfime, shumë të qeshura, shëtitje, vizita, kam parë gjëra që s’i kam parë më përpara, ose i kam parë po s’e kam ditë rëndësinë e tyre. Kemi shumë për të kujtuar për gjithë jetën, edhe një ditë nëse jeta na ndan për asnjë moment nuk kemi me harru njëri-tjetrin sepse gjithkah na lidhin kujtimet e bisedave të qeshurave, kohës, stinëve e plot gjëra të tjera.
Jeni nënë e katër fëmijëve, keni një karrierë të sukesshme në aktrim, e së fundmi jeni angazhuar në politikë! Në ç’mënyrë arrini ta menaxhoni kohën? Dhe cili është prioriteti në këtë trinom përgjegjësish për Adrianën?
Familja është gjëja më e shenjtë për të gjithë gjithashtu edhe për mua. Krejt kjo forcë më vjen nga Zoti dhe motivi më vjen nga fëmijët dhe prindërit, ata janë dita dhe nata për mua, dhe unë frymoj dhe kam vazhduar të jetoj për ta. Prindërit e mi janë forca ime dhe pa ata unë nuk do të mund te isha e gjitha kjo, fëmijët janë ata që edhe kur shterrohem mjafton një shikim i tyre me m’jep forcë e me u zgju edhe nga varri.
Dimë që Arjola Demiri është mikesha juaj më e ngushtë, keni qenë frymëzim për atë në shumë momente, si e keni ndjekur ecurinë e saj në Big Brother?
Shoqe si Arjola i dëshiroj secilit njeri me pasë afër. Arjola është gruaja dhe nana më e fortë që unë kam njohur. Ajo është e drejtë dhe shumë e dashtun për njerëzit. Brenda ka pasur tendenca nga të tjerët ta përulin dhe mirësitë e saj t’i devijojnë ose ta qesin si njeri që viktimizohet. Arjola nuk është e tillë, ajo është tip i ndjeshëm dhe mundohet në mënyrën e vet ta tregojë forcën për gratë e tjera. Arjola ka vendosur të mos t’i tregojë edhe shumë gjana më të rënda sepse njerëzit brenda ja marrin për dobësi. Nuk është e intrigave dhe nuk ka ra preh e njerëzve që kanë patur tendencë ta devijojnë. Jo pse është shoqe e imja por Arjola e meriton fitoren. Nuk ka lënduar askënd aty brenda, nuk ka bërë intriga, nuk e ka sharë askënd, dhe nuk ka rënë preh e askujt. Ka punuar, ka bërë gjëra të mira, i ka kry me sukses të gjitha gjërat që vellaë i madh i ka caktuar dhe ka qenë pranë te gjithsecili që ka patur rënie emocionale.
#RevistaBordo



















