KreuArt

“Unë kam një ëndërr”, ekspozitë fotografike nga Jutta Benzenberg!

Nga Olsi Kolami

Një portret fotografik! A mjafton për të lexuar ëndrrat e një vajze apo gruaje? Për fotografen Jutta Benzenberg është e mundur. Arsyeja, sepse për të nuk ështe vetëm një portret, sepse pas takimit me çdo subjekt, arrin që përmes lentes së aparatit fotografik të hyjë brenda ëndrrave dhe shpirtit. Për 30 vite që ka jetuar në Shqipëri, nuk e fsheh se përveçse e ka dashuruar vendin tonë, ajo mund të tregojë histori që vetëm përmes aparatit të saj fotografik mund t’i japë zë çdo vajze, çdo gruaje. Projekti “Unë kam një ëndërr” do të jetë në COD deri në 15 Prill, një ekspozitë fotografike falë së cilës artistja kap shpirtin e vërtetë të ëndrrave të vajzave dhe grave.

Jutta, si nisi projekti juaj fotografik “I Have a Dream”?

Si një fotografe e pavarur, duhet të kem imagjinatë. Kjo temë “Unë kam një ëndërr” më erdhi në mendje gjatë një bisede me vajzat e mia. Ato po flisnin për të ardhmen e tyre dhe dëshirat që kishin. Kështu që unë doja të dija se si mendojnë vajzat e reja kudo në Shqipëri për këtë temë. Për fatin tim, UN Women më ka mbështetur në këtë projekt, jo vetëm financiarisht. Ata u gjendën pranë meje gjatë gjithë kohës, gjë që e vlerësoj si një grua artiste e cila më së shumti punon vetëm.

Vajza dhe gra nga e gjithë Shqipëria, si i përzgjodhët personazhet e fotografive tuaja?

Unë kam jetuar në Shqipëri për gati tridhjetë vjet dhe kam udhëtuar shumë në të gjithë vendin për projekte të ndryshme. Përmes rrjetit tim dhe me ndihmën e OKB-së, arrita të gjej mjaft subjekte. Ashtu si të gjitha projektet e mia fotografike, kam fatin të punoj si fotografe e pavarur dhe të zgjedh tema që përshtaten saktësisht me këndvështrimin tim humanist. Ishte një përvojë e veçantë të takoja këto vajza të reja që rrezatonin para aparatit tim. Madje, ne krijuam një marrëdhënie shumë të mirë dhe shumë personale gjatë seancës fotografike e cila rezultoi në prodhimin e një portreti të shkëlqyer. Besimi dhe zhvillimi i kësaj marrëdhënieje me subjektin është shumë, shumë i rëndësishëm dhe në realizimin e portretit përfundimtar.

Gratë/vajzat ishin shumë të lumtura që u fotografuan për projektin sepse përmes tij ne u japim atyre zë dhe imazh dhe kjo i bëri shumë krenare. Kleida, një prej vajzave, për shembull, u prek aq shumë sa edhe qau. Prindërit ishin shumë të hapur, por më duhet të pranoj se kam ndeshur edhe refuzime. Sepse nuk është aspak diçka e zakonshme apo e natyrshme që këto të reja t’i lejojnë vetes të jenë subjekt fotografik.

Portreti është i preferuari juaj, çfarë e bëri të veçantë këtë cikël?

Fotografia ime përfshin fotografinë dokumentare dhe fotografinë e portretit. Fokusi im janë gjithmonë njerëzit. Unë në fakt jam një tregimtare dhe njerëzit në Shqipëri kanë shumë histori të forta, interesante dhe prekëse për të treguar. Sigurisht që ju mund ta njihni historinë time në foto. Një fotograf tregon historinë e tij në mënyrë subjektive dhe instinktivisht gjithmonë kërkon tema që gjithashtu kanë të bëjnë me jetën e tij. Një portret është i mirë vetëm nëse mund ta shikoni shpirtin përmes syve. Për shkak të këtij momenti më pëlqen të portretizoj njerëz.

Çfarë zbuluat nga ëndrrat e vajzave dhe grave shqiptare?

Ëndrrat e këtyre vajzave të reja janë shumë të ndryshme nga ato që do të kisha imagjinuar unë në atë moshë. Ato ëndërrojnë të bëhen mjeke, psikologe, parukiere, politikane, infermiere, piktore, aktore, fotomodele. Shumica e tyre më rrëfyen se donin të ishin të suksesshme duke punuar fort për t’i bërë prindërit e tyre krenarë. Është e rëndësishme që ato t’u sjellin nder prindërve të tyre. Por sado të ndryshme që janë ëndrrat e tyre, ato kanë një gjë të përbashkët: secila dëshiron të jetë e pavarur dhe asnjëra prej tyre nuk foli për planet mbi martesën dhe sa fëmijë do të donin të kishin.

Keni takuar vajza nga qytetet në fshatra, çfarë i ndan dhe i bashkon ato?

Nuk mund të them saktësisht se çfarë i ndan ato dhe mendoj që kjo do të ishte një pyetje e mirë për këtë projekt. Por, ajo që i bashkon është interneti. Me këtë mundësi, ato janë të gjitha të lidhura me pjesën tjetër të botës, të paktën në mënyrë dixhitale. Natyrisht, dëshira rritet përmes këtij mediumi, por mendoj se të gjitha vajzat e reja ndihen thuajse njësoj. Diçka që e kanë të gjitha të përbashkët është lidhja me prindërit dhe familjet e tyre. Kjo më prek gjithmonë shumë, sepse unë vij nga një vend ku kjo nuk është kaq e natyrshme.

A keni ndonjë vajzë apo grua që ju bëri përshtypje mbi të gjitha?

Kjo pyetje më kujton kohën kur fëmijët e mi u pyetën se kë preferon mamin apo babin. Një pyetje e tmerrshme për fëmijët. Të gjitha të rejat më magjepsnin. Secila prej tyre është unike në diversitetin e tyre, por si histori, Sina më preku më shumë. Kur ajo hapi derën e shtëpisë së saj të vjetër për ne, unë u entuziazmova menjëherë dhe pashë në fytyrën e saj të bukur se ajo mbante me vete një histori të fortë. Ajo kishte shprehinë e një shpirti të vjetër që mund të shihej në sytë e saj shprehës dhe të ndritshëm. Sindi fillimisht kishte humbur nënën e saj, më pas ju desh të kujdesej për të atin, i cili varej nga ndihma e saj pas një aksidenti. Më pas i ati vdiq dhe ajo duhej të linte shkollën për t’u kujdesur për vëllezërit dhe motrat. Kur e pyeta për ëndrrat, fjalët e saj ishin: Unë jam Sindi – Një vajzë që jeta më ka hedhur në halle. Gjithmonë kam dashur që një ditë, në të ardhmen të realizoj çdo ëndërr që kam dashur, kam një dëshirë të madhe të kem një profesion që mundem të bëj… U përpoqa shumë të mbaroja shkollën, por rrethanat më sollën në atë mënyrë që nuk munda t’i realizoj. Një ditë dua të bëhem parukiere, një profesion që e dua. Përpiqem të mësoj gjëra të reja. Shpresoj që një ditë t’i plotësoj të gjitha dëshirat e mia…

Jeni lidhur me fotografinë, është pjesë e jetës suaj, por çfarë keni zbuluar përmes objektivit tuaj nga jeta e femrave shqiptare?

Po, ashtu është, fotografia përkufizon jetën time. Kur fotografoj një temë, fotografia jeton nga ai momenti kaq i shkurtër. Në një kohë kaq të shkurtër, unë thjesht mund të hamendësoj se si po kalojnë gratë në Shqipëri. Kur i takoj, shoh gra kaq miqësore që janë kurioze dhe duan të dinë. Vetëm kur i kam para kamerës mund ta ndjej jetën e tyre. Në sytë e tyre shoh shpesh një trishtim, një peshë që më trondit. Po kaq edhe i admiroj këto gra se si kanë forcë për të zotëruar jetën e tyre e cila zë vend në këtë patriarkat.

Pas “Unë kam një ëndërr”, a keni ndonjë projekt tjetër?

Po, më pret një projekt i ri, përsëri për të drejtat e njeriut, si në shumicën e punës time fotografike. Bëhet fjalë përsëri për gratë dhe vajzat. Këtë herë është një temë shumë e prekshme. Shpesh më pyesin pse vazhdoj të fotografoj subjekte që janë kaq të vështira për t’u përballuar. Ka shumë gjëra të bukura për të treguar për Shqipërinë. Po kjo është e vërtetë, por puna e jetës sime konsiston në dhënien e një fytyre dhe një zëri atyre që janë harruar pas së bukurës. Për mua, fotografia dhe arti kanë kuptim vetëm nëse përpiqesh të ndryshosh diçka për mirë në shoqëri, edhe nëse rrallë ia del me sukses.

A mund t’ju pyes edhe diçka; Përveç fotografisë suaj, cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Po, jeni të mirëpritur të pyesni, sepse unë për momentin jam në një udhëkryq në jetën time. 20 vjet më parë realizova ëndrrën time me familjen time duke ndërtuar një shtëpi të mrekullueshme në stilin e një shtëpie të fshatit francez me elementë të shtëpive të Beratit, me pamje nga liqeni dhe mali i Dajtit. E dua këtë vend, por kam vendosur të shes shtëpinë tonë të ëndrrave. Për të strehuar njerëz që mund ta mbushin këtë vend të mrekullueshëm me më shumë kuptim. Me 1000 metra katrorë tokë dhe 620 metra katrorë hapësirë ​​banimi është vend shumë i madh vetëm për mua. Do të doja të jetoja një jetë më minimaliste në një fshat afër Tiranës. Shitja më jep gjithashtu mundësinë të jetoj pjesërisht me familjen time në Gjermani, të kem një shtëpi të vogël me studio në fshat kur dua të bëj art. Unë jam në një moshë ku do të doja të gjeja pak pushim pas shumë vitesh punë të palodhur. Këtë qetësi e gjej te hobi im, piktura, ndër të tjera. Sigurisht që do të vazhdoj të bëj foto sepse ky është eliksiri im i jetës.

Dhe cila është ëndrra juaj Jutta?

Ëndrra ime më e rëndësishme është që të gjithë të jetojmë në paqe me njëri-tjetrin…!

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF