KreuArt

EKSKLUZIVE/ Aureola Jonidë 

Nga Nada Biraçi 

Fotografia: Endrit Mërtiri 

Ta duash dhe ta pëlqesh Jonida Vokshin për ata që e njohin mirë është një fakt i pa kontestueshëm. Buzëqeshja e çiltër në portret të cilën Jonida nuk ja kursen askujt, duket se e përligj thënien e famshme të shenjtores Nënë Terezë se ‘Paqja nis me një buzëqeshje të thjeshtë’.  Paçka se jeta për askënd nuk është vetëm Paqe, familja Vokshi-Krapi duket se ka gjetur një recetë të thjeshtë për harmoninë që jo rrallë e shfaqin edhe në rrjete sociale; të pranojnë karakterin e njëri-tjetrit, e po ashtu duke i ‘infektuar’ shoshoqit tipare të personalitetit. Qysh prej nisjes së romancës Jonida ka marrë nga Besniku dëshirën për të bërë humor, dhe nga ana tjetër aktori nga Kosova po mëson gjithmonë e më shumë nga nusja tironse: të jetë pak më i qetë, të hajë krudo e të pijë verë….

“Gjeniu i vogël” ju riktheu sërish në ekran pas një shkëputje relativisht të gjatë. Si e përjetuat këtë rikthim?

Kur vendosa të bëj një shkëputje, e mendova që do ishte për një kohë jo të shkurtër. Kjo për faktin që doja t’i dedikohesha Emit e para dhe e dyta pasi vendosa që nëse bëj një projekt në TV do jetë diçka që nuk e kam bërë më parë dhe që do ta dua që me impaktin e parë. “Gjeniu i vogël” erdhi në kohën e duhur, jo vetëm për arsyet e lartpërmendura, por edhe sepse ishte pikërisht koha kur ja kishte nisur malli për ekranin e TV. E për më tepër, fakti që është një spektakël me fëmijë e bëri edhe më të bukur për mua këtë rikthim.

Sa ka  ndikuar të qenit mami në përjetimet e emocioneve të fëmijëve pjesëmarrës në këtë garë?

Mua më karakterizon një ndjeshmëri relativisht e lartë. E kam patur para se të bëhesha mami, më është 10fishuar tani që jam mami. Ata fëmijë më dhurojmë një emocion sa të bukur me talentin e tyre, aq sa dhe të ndjeshëm kur duhet të përballen me sfida për eleminime. Të ishte për mua e kisha ndryshuar formatin që natën e parë dhe i kisha mbajtur të gjithë (Qesh) Nuk di si do ja bëj deri në fund me këto lloj emocionesh.

Si mami i Emit, çfarë ju ka mësuar ky status?

Mes një pafundësie gjërash, do veçoja faktin që më ka bërë të kuptoj që asgjë që para se të vinte Emi në jetë e mendoja shumë të rëndësishme, nuk është përpara saj. M’i ka rrëzuar komplet ekuacionet e tashmë në gjithçka bëj është ajo e para.

Tashmë prej disa vitesh jeni nuse në Kosovë dhe me siguri jeni përshtatur më së miri. Po në fillimet tuaja, ju kujtohet ndonjë situatë e sikletshme që është krijuar me Besnikun apo njerëzit e tij për shkak të dialektit?

Më shumë do thoja që jemi nuse e dhëndër Kalimashi (Qesh) aty në mes pasi jeta jonë është edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Fillimet e mia në Kosovë kanë qenë me serialin “O sa mirë”, aty ku jam njohur edhe me Besnikun. Të them të drejtën duke qenë hera e parë që punoja në një projekt me shqiptarë të Kosovës, kishte shumë fjalë e shprehje që nuk i kuptoja dhe për shumë gjëra thjesht thoja ‘Po, po’ edhe kur ajo që më thuhej vetëm me “Po” nuk kishte lidhje (Qesh)  Pooor u ambientova shumë shpejt.

Jo pak jeni aktivë si çift  në rrjete sociale, dhe nga ajo dritare virtuale duket se çdo gjë shkon ‘vaj’ në marrëdhënien tuaj? A është kështu vërtetë? Nëse po, çfarë e bën një marrëdhënie të qëndrojë e fortë?

Bota virtuale është kthyer tashmë në një komunikim shumë të fortë dhe domosdoshëm me publikun (ndjekësat), por dhe e dimë që jo gjithçka postohet aty. Unë jam më aktive se Besniku në rrjete sociale, ai është shumë më i tërhequr se unë në aspektin e ekspozimit. Por të dy mundohemi që gjithçka postojmë të jetë sa më reale. Kjo nuk do të thotë aspak që gjithçka shkon vaj përherë, por falë Zotit ne kemi gjetur një gjuhë të përbashkët komunikimi që deri tani e ruan balancën dhe marrëdhënien tonë në një mënyrë që nuk do doja absolutisht asgjë ndryshe. Dhe kjo vjen se në rradhë të parë ne respektojmë dhe vlerësojmë profesionin dhe pranojmë karakterin e njëri-tjetrit.

Për çfarë mund të debatojnë më  shumë Jonida dhe Besniku?

Momentalisht për gjithçka ka të bëjë  me Emin (Qesh)

Na duket neve apo Besniku të ka ‘infektuar’ pak në të bërit humor?

Kjo është shumë e  vërtetë. Në fillim e kisha pak të vështirë të ambientohesha sepse humori i Besnikut është vende -vende pak humor i zi, por tashmë e gjej veten duke bërë të njëjtën  gjë. Gjërat e mira i marrsha burrit. (Qesh)

Po Besniku çfarë ka marrë nga Jonida?

Të mundohet të mos nxehet shumë se është nevrik i madh (Qesh). Ndryshe nga unë që jam natyrë shumë e qetë. Ah, edhe diçka, nga mua ka mësuar gjithashtu të hajë krudo e të pijë verë si një tirons i vërtetë (Qesh)

Nëse do të kishit një makinë kohe dhe do të ktheheshit pas në kohë, cila do të ishte ajo pjesë e jetës që do të donit ta rijetonit?

Momentin kur Emi erdhi në jetë! I pazëvendësueshëm me asnjë ndjesi tjetër! Por kjo nuk ka nevojë për një makine kohe, zgjidhet (Qesh)

Cila ka qenë puna juaj e parë dhe sa jeni paguar? Çfarë bëtë me ato para?

Puna ime e parë ka qenë në moshën 5 vjeç, në një restorant me familjen ku kishte muzikë, fillova të kërceja dhe recitoja në mes të restorantit dhe familjet e tjera që po drekonin filluan të më hidhnin lekë (Qesh) Lekë këto të cilat babi im ja ktheu sigurisht edhe pse unë u mërzita shumë se i fitova me punë edhe pse në fund u gëzova që argëtova publikun (Qesh)

Ngjarjen më të  bukur të jetës tuaj mendojmë se e dimë (mban emrin Emi, po ngjarja më e trishtë e jetës tuaj cila është?

Humbja e gjyshes dhe gjyshit. Unë, sikurse Emi po rritet nga gjyshërit, jam rritur prej tyre dhe kam qenë e lidhur shumë. Nuk e kam patur të lehtë mos t’i kisha më. Paçka kujtimeve aq të bukura që më kanë lënë për gjithë jetën.

Nëse do të bëhej një film për jetën tuaj, cili zhanër do të ishte, kush do të luante si ju?

Kjo është pyetja me përgjigjen më të thjeshtë. Do ishte komedi romance dhe do luhej nga dy protagonistët e historisë së vërtetë (Qesh)

Në një libër cili do të ishte titulli i autobiografisë suaj?

Gjatë viteve të gjimnazit dhe studimit në Akademinë e Arteve, kam patur konstant dëshirën për të shkruar mbi jetën time në një të ardhme. Me kalimin e viteve kjo dëshirë është venitur, por thellë- thellë fle diku aty brenda meje. Nëse ndonjëherë do e bëj do jetë kur të jem në një moshë që besoj kam kalur aq sa të kem diçka për të treguar. Dhe atëherë sigurisht do ta kem edhe titullin.

Ju duhet të këndoni karaoke, çfarë kënge zgjidhni?

Nëse do këndoja karaoke me siguri do jetë se jemi mbledhur diku me miq apo familjarë për qejf dhe e sigurt që i kam pirë nja 2 gota verë, kështu që këndoj ç’të dalë (Qesh)

Cili ka qenë ushqimi juaj më pak i preferuar kur keni qenë fëmijë? E urreni akoma apo e doni tani?

Barbunjat! Nuk e di pse, por më rrënqethej mishi kur kishim barbunja për drekë (qesh)  Dhe jo, nuk i kam ngrënë më.

Nëse do t’ju duhej të hani një vakt çdo ditë për pjesën tjetër të jetës suaj, cili do të ishte ai?

Byrekun me spinaq të mamit dhe vjehrrës sime, gjithë jetën!

Nëse do të liheshit në një ishull të shkretë me armikun tuaj më të keq, cilin do të zgjidhnit? Pse?

Pyetje me spec kjo (qesh) Domethënë mes armiqve kush është më i keqi e (qesh)  Fatmirësisht unë deri me tani nuk kam armiq! Nuk kam tendencën të krijoj situata për të pasur të tillë. Kështu që po të jap një përgjigje sipas mënyrës sime. Meqënëse shpesh debatojmë e kemi ndonjë zënkë të lezeçme me Besnikun kujt i ngjan Emi, nga maja e flokut e deri tek thoi i gishtit të vogël, në këtë aspekt ai është konkurrenti im më i fortë (le ta quajme armik) pasi është i vetmi opsion me të cilin që do doja të lihesha në një ishull të shkretë.

                                                                                                                                                                                                                           Botuar ne BORDO, Prill 2022

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF