KreuArt

Sopranoja shqiptare, koncert në sallën historike Carnegie Hall !

Sonte del për herë të parë para publikut amerikan sopranoja e njohur shqiptare, Ramona Tullumani. Ajo është e ftuar speciale në një koncert të organizuar nga kompania ndërkombëtare e muzikës klasike ”Freda World Music”, në sallën historike të koncerteve në Nju Jork, “Carnegie Hall”. Kjo është hera e parë për të në një skenë amerikane.

“Duke qenë këngëtare e muzikës operistike, nuk mund të lija pa vendosur në repertorin tim ariet më të dashura, që janë ato puçinjane. E dua shumë Puccinin prandaj do t’i performoj operat më të bukura të tij”, tha ajo per Voa-n. Nisur nga numri i madh i shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, artistja Tullumani ka përgatitur edhe një befasi për shqiptaro-amerikanët, që adhurojnë operan. “Duke qenë se jam shqiptare dhe duke qenë se këndoj për herë të parë në ShBA dhe jam e sigurt se do të ketë publik nga Shqipëria, kam edhe dy befasi të cilat nuk do t’i them tani. Kam përshtypjen që sa t’i dëgjojnë në sallë do t’i njohin dhe do të kënaqen pa fund”, shton ajo.

 Tullumani është e ftuar speciale në koncertin e drejtuar nga dirigjenti Leonardo Quadrini, ku do të marrin pjesë edhe emra të tjerë të muzikës klasike, siç është tenori Anthony Freda. Të dalësh para publikut amerikan, në sallën e koncerteve Carnegie Hall, është një arritje e madhe, thotë artistja shqiptare.

“Do të thosha që kjo është një ngjitje e një karriere të mirë pasi nuk mund të them kulmi. Jam ende shumë e re dhe nuk i dihet se çfarë më pret më vonë. Por mendoj se është një ngjitje goxha e madhe për një këngëtar operistik. Ajo sallë, vetë emri i saj, i jep një rëndesi të jashtëzakonshme. Të këndosh aty opera si ‘Manon’, ‘Le Bohem’, ‘Gianni Schicchi’, është peshë e madhe për karrierën time. E jashtëzonshme”, thotë ajo.

Carnegie Hall, salla më e vjetër e koncerteve në qytetin Nju Jork, i hapi për herë të parë dyert për publikun më 1891. Në çdo sezon, kjo qendër organizon rreth 200 koncerte nga artistët më të mirë në botë, në tre skena madhështore.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF