Nga Nada Biraçi
Fotografia: Artan Koranica
Profesionin e saj e quan magjik, e në fakt ashtu duhet të jetë. Procesi metamorfozës i ‘rimishërimit’ kur aktorja Yllka Gashi zhvishet nga vetja për t’u futur në lëkurën e një personazhi nuk mund të jetë tjetër veçse magjik. Për Yllkën e ekranit të madh përgatitja për këtë shndërrim është tejet intime, është një marrëdhënie e ngushtë mes saj dhe personazhit një proces të cilin aktorja e ka të shenjtë.
Filmi ‘Zgjoi’ qe shumë pranë nominimit për Oscar, gjë që na bëri krenarë të gjithëve. Si aktorja kryesore në këtë prodhim kinematografik ju sillni në ekranin e madh jetën e aktivistes së njohur Fahrije Hoti. Si ishte të futeshe në lëkurën e kësaj gruaje?
Ishte përvojë e bukur dhe interesante. E dhimbshme patjetër sepse personazhin e përcjell vuajtja e vazhdueshme, mirëpo kam jetuar kohë të gjatë me dëshirën e ëndrrën për ta portretizuar zonjën Fahrije në ekran të madh dhe jam mishëruar me karakterin e saj. Ajo është grua e veçantë, e fortë, punëtore dhe e vendosur. Ajo arriti që dhimbjen ta kthejë në motiv për punë, të thyejë tabutë gjinore dhe kështu të ndryshojë mentalitetin e rrethit, për qëllimin më fisnik e njerëzor të mundshëm- të ndërtojë një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj. Ishte kënaqësi që përmes portretizimit tim ta nderoj figurën e saj.
A gjeni të përbashkëta në karakterin tuaj me Fahrijen?
Patjetër! Me këtë personazh jam mishëruar lehtësisht sepse e kam bashkëndjerë dhimbjen e saj, e kam kuptuar dëshirën e nevojën e nënës që mundohet me çdo kusht të ndërtojë një të ardhme më të mirë e të sigurtë për fëmijët e vet. Si grua me ka inspiruar guximi dhe forca e saj për të mos u dorëzuar para asnjë sfide dhe të arrijë pavarësinë personale e materiale. Si fëmijë i luftës – unë isha adoleshente kur situata u tensionua në Kosovë dhe filloi lufta – e kam kuptuar thellësisht traumën nëpër të cilën ka kaluar znj. Fahrije dhe komuniteti i saj. E kam thënë shpesh herë që ky rol e kjo përvojë ka qenë e vështirë, mirëpo edhe një lloj terapie që na ka ndihmuar të diskutojmë sinqerisht dhe të ‘shërohemi’ prej traumave të së kaluarës.
Në momentin që ju ofrohet një rol, çfarë e shtyn një artiste si ju që të pranojë një bashkëpunim? Çfarë kriteresh analizoni ju personalisht para se të pranoni një rol?
E para dhe kryesorja është karakteri që më ofrohet ta ndërtoj e ta luaj dhe pastaj rrëfimi në përgjithësi. Nëse më pëlqen tregimi-skenari e ma ngacmon imagjinatën dhe më mban të fokusuar ta lexoj skenarin me një frymë, atëherë pa dyshim që interesimi rritet. Natyrisht është e rëndësishme kush ta ofron rolin, regjisori/ja, kush do ta bëjë filmin, pastaj me kë do të luash sepse ky profesion është ekipor, prandaj kur ke fat të punosh me njerëz të mirë e punëtorë, insipirimi rritet dhe puna bëhet më pak sfiduese e sjell satisfaksion më të madh!
Personalisht më duket shumë interesant procesi i transformimit të një aktori në personazhin e rolit; si ndodh kjo ‘zhveshje’?
Është proces që besoj secili aktor e kalon në mënyrë individuale dhe sipas imagjinatës së tij/saj.
Prej 7 vitesh jeni shpërngulur për të jetuar në SHBA. Ka qenë e vështirë pët ju përshtatja me jetën atje?
Fillimi ishte pak sfidues sepse më ka munguar familja ime me të cilën jam shumë e lidhur, mirëpo Amerika më ka ndryshuar për të mirë në shumë aspekte, më ka rritur e pjekur si njeri e grua dhe më ka ndihmuar ta zgjeroj diapazonin e bindjeve te mia. Tash e dua vendin tim edhe më shumë mirëpo, Amerika e ka rritur zemrën time ta dua e pranoj edhe atë si vendin tim. Ndjehem me fat për përvojat e bukura që i jetoj këtu ku jam!
A mund të përshkruani çfarë ju ka ndikuar për të ndjekur një karrierë si aktore?
Edhe si fëmijë kam pasur afrimitet për artet në përgjithësi. Më ka pëlqyer të vallëzoj, kam shkruar poezi e tregime të cilat janë botuar në revistat e gazetat e asaj kohe dhe jam rritur në një familje ku fatbardhësisht më është lejuar të jem e të bëhem çkado që më pëlqen e më përmbush. Aktrimin si hobi e kam filluar në shkollën fillore kur isha 13 vjeçe. Pastaj menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në moshën 17 vjeçare kam pasur audicionin për shfaqjen “Hamleti” me regji të David Gothard në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe prej atëherë ka filluar karriera ime. Vitin e katërt të gjimnazit dhe vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Arteve në Prishtinë i kam përfunduar paralelisht. Aktrimi për mua ka qenë gjëja më e bukur që më ka ndodhur në atë kohë sepse ma ka mundësuar të transformohem e të zhytem në një botë të veçantë përmes personazheve të ndryshme. Është profesion magjik!
Çfarë mendoni se është më e rëndësishme për një aktor, talenti apo trajnimi?
Të dyja. Talenti është bazë që e ke të lindur, ndërsa puna e kultivimi është pjesa tjetër që shpeshherë është shumë më e rëndësishme. Ka aktorë që nuk kanë ndonjë talent të jashtëzakonshëm, mirëpo janë shumë punëtorë e ambiciozë dhe të përshtatshëm për të punuar me ta, të tillët mund të arrijnë edhe me larg sesa ata që janë të talentuar por më pak punëtorë. Përveç talentit e punës, mendoj që është shumë e rëndësishme që të kultivohesh në përgjithësi si artist, të lexosh sa më shumë, të shikosh e analizosh filma e seriale sepse është me rëndësi të jesh në rrjedha se çfarë po ndodh në industri në rajon e më gjerë, t’i përcjellësh shfaqjet në teatër, ta përcjellësh e ta analizosh punën e aktorëve që të pëlqejnë, të krijosh mendim kritik konstruktiv dhe real. Pra, të punosh me veten e ta kultivosh veten në çdo aspekt. Të jesh artist nënkupton më shumë se veç një performancë e mirë!
Në cilin zhanër aktrimi mendoni se jeni më e përshtatshme, apo që juve personalisht ju pëlqen më shumë vetja?
Nuk kam zhanër të preferuar. Ajo që është me rëndësi është ngjarja e personazhi dhe mënyra sesi do të rrëfehet ai tregim. Kam pasur fatin që gjatë karrierës të luaj në komedi, dramë, tragjedi etj dhe në secilën e kam gjetur veten mirë.
Si reagoni kur merrni një vlerësim negativ për një performancë?
Varet nga kush vjen. Por reagoj njësoj si atëherë kur marr vlerësim pozitiv, që do të thotë e marr me qetësi e rezervë. Shijet janë të ndryshme dhe mendoj që kjo duhet të respektohet. Jo domosdoshmërisht duhet t’u pëlqejmë të gjithëve. Si lëvdatat edhe kritikat duhet të dimë t’i pranojmë me modesti e pa na e ndërruar qëllimin i cili eshte ta duam punën tonë e të mundohemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme çdo herë.
Cili mendoni se është modeli juaj i aktrimit, karrierën e të cilit do të dëshironit të imitoni dhe pse?
Nuk kam ndonjë model. Mendoj që bukuria e profesionit tonë, por edhe suksesit vjen pikërisht nga autenticiteti dhe veçantia që secili aktor ka.
Cilin konsideroni si rolin më sfidues në karrierën tuaj deri sot?
Roli i Fahrijes në filmin “Zgjoi” pa dyshim, më sfiduesi por edhe më përmbushësi e i veçanti.
©/ Botuar në BORDO, Mars 2022!



















