Festivali “FemFest”, dedikuar gruas shqiptare, do të nisë rrugëtimin e tij këtë të shtunë më 5 mars dhe do të vijojë deri më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Festivali “FemFest” ka për qëllim sensibilizimin e shoqërisë, në mënyrë që realiteti në të cilin po jetojmë të nisë të ndryshojë dhe gratë e vajzat të kenë mundësi të gëzojnë të drejta të barabarta në çdo sferë të jetës.
Drejtorja e këtij festivali, Iliriana Basha, bën me dije se ky është edicioni i parë i “FemFest”, i cili padyshim do të ketë një sukses të jashtëzakonshëm, dhe do t’i hapë rrugën edicioneve të tjera në vijim.
Festivali do të bëjë bashkë artiste dhe artistë, aktiviste dhe aktivistë, qytetarë, që përmes debatit, ekspozitës, shfaqjes, këngës, sfilatës, do t’u japin zë problemeve që nuk fliten dhe atyre që nuk dëgjohen.
Pjesë e “FemFest”, janë aktore të njohura dhe të mëdha të skenës, si Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Zamira Kita, etj. Ndërkohë që shfaqjet teatrale që të gjithë spektatorët do të kenë mundësi të shohin janë ,”Trupi im i mirë”, “Vdis duke qeshur”, “Burka e Medeas”, “Unë jam vetë grua” “Rrëfimet tona”.
E veçanta e këtij festivali është se të gjitha të ardhurat që do të sigurohen nga biletat do të shkojnë për katër bursa studimi për studentet më të mira të Universitetit të Arteve.
Më poshtë është programi i festivalit “FemFest”, i cili mbahet nga 5-8 mars:



















