Nga Nada Biraçi
Fotografia: Erjon Beshiri
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe, kulture apo formimi ka publiku që të ndjek nga ekrani, pasi aftësinë magjike për të ndjerë dhe njohur ‘lëkurën’ e dikujt që moderon një program audienca thjesht e ka. Katerina Trungu, e zonja e shtëpisë së programit të mesditës në Tv Klan duket se e ka gjetur recetën për të tërhequr vëmendjen dhe besnikërinë e audiencës. Të qenit e vërtetë, e sigurt, rehat e me karizëm, e ka bërë moderatoren e “Shije Shtëpie” të kthehet për publikun në mikeshën që ata ndjekin nga ekrani.
Katerina si mund ta përshkruash këtë sezon në Tv Klan si eksperienca e parë në këtë ekran?
Thuajse çdo ditë emocionohem e njëkohësisht ndihem dhe krenare për veten, kur përshkoj rrugën për në tv Klan. E shihja më parë me kaq dëshirë mundësinë për të drejtuar një program në këtë gjigand mediatik. Ishte si një ëndërr. Këtë sezon unë jam pjesë e një stafi të mrekullueshëm, njerëz pozitivë, bashkëpunues, plot humor. “Shije shtëpie” bëhet me shumë dashuri jo veç nga unë, por nga secili prej nesh. Ka harmoni dhe mendoj se arrijmë ta përcjellim përmes ekranit. E gjithë kjo atmosferë për realizimin e një programi që përqafohet me dashuri nga publiku, është një dhuratë e bukur që m’u bë këtë sezon.
Çfarë e bën një moderatore të dashur për publikun dhe çfarë e kthen atë në antipatike?
Origjinaliteti! Të jesh vetvetja, të mos ndrydhesh, të mos fshehësh natyrën tënde e të përcjellësh një ëmbëlsi false apo arrogancë të akullt. Një moderatore duhet të jetë një mike nga ekrani. Pavarësisht distancës, shikuesi duhet ta ndjejë ngrohtësinë e çdo fjale. Thjeshtësia gjithashtu është një pikë e fortë e një moderatoreje. Nëse e gëzon, publiku e përthith këtë cilësi dhe të përkrah.
A ke një moderatore nga e cila frymëzohesh?
Jo për mëndjemadhësi apo arrogancë, por frymëzim nuk ndjej se kam ndokënd. Ndoshta ngaqë nuk krijoj lidhje të fortë me figura të caktuara. Qëndroj shumë sipërfaqësore dhe me yjet e muzikës apo kinematografisë. Gjithsesi, ka moderatorë të cilët i pëlqej shumë, i vlerësoj dhe mendoj se përbëjnë figurat kryesore të televizioneve shqiptare, duke gëzuar shumë veti. Përmend këtu Arbana Osmanin, Alketa Vejsiun, Ardit Gjebrean, Adi Krastën.
Çfarë marrëdhënie ke krijuar me famën? E Shijon? Ka diçka që të bezdis në të qenit e njohur?
Nuk e konsideroj veten të famshme e nuk dua kurrë të ndikohem nga fama. Më tremb fakti që mund të bëhem e famshme si disa të famshëm që kemi rrotull. Por besoj që kjo është edhe çështje karakteri, ndaj kam një siguri se mënyra si jam brumosur nuk do më lerë në baltë. Për t’u rikthyer tek si ndihem me sytë që më shohin teksa eci apo bëj pazar, përgjithësisht më bëhet qejfi, pasi janë sy admirues. Jo rrallë zonjat ndalen të më thonë disa fjalë të mira që më ngrohin zemrën. Nuk bezdisem aspak, përveç se kur nuk jam rregulluar.
Programi që do të doje ta moderoje një ditë që mendon se do të ishte piku i karrierës tënde?
Realisht unë po bëj tani programin që kam ëndërruar. Për këtë arsye ndihem tepër me fat, një vajzë e vogël me dëshira të mëdha dhe zell për të mësuar nuk mund të dalë asnjëherë e humbur. ‘Shije shtëpie’ është shtëpia ime. Unë jam pranë publikut ashtu siç mua më pëlqen, çdo ditë, natyrshëm, me biseda të thjeshta. Është ende fillimi i tij, ndaj pres që rrugës të shoh edhe më shumë drita mbi këtë emër.
Thuhet se televizioni është një ‘botë’ e egër, shpesh me goditje pas shpine? Si ka qenë për Katerinën puna në televizion?
Televizioni është botë e egër përderisa është një terren i ngushtë, me shumë lojtarë që duan të triumfojnë. Megjithatë unë mendoj se publiku di t’i ndajë gjërat dhe bën filtrimin e tij. Për mua padyshim nuk ka qenë e lehtë. Ndaj jam krenare kur hedh sytë mbi atë që kam arritur se për këtë që kam sot, gjatë rrugës, më janë mbyllur dyer e madje propozimi im se mundem ta bëj një program të tillë është dukur edhe fantazi. Do jem e sinqertë me ju. Po, më kanë thënë edhe se nuk mund të eci kaq shpejt me hapa kaq të mëdhenj. Më kanë lënë pa fjalë në telefon kur i propozova një emri të njohur mediatik thjesht të më dëgjonte një ide projekt që kisha. Kërkova veç një mundësi të shprehesha dhe përgjigja ishte “po po të dëgjoj unë por nuk ja vlen”. Ishte një nga goditjet e marra, por jo pas shpine. Pas shpine kurrë, sepse e kam shumë të qartë se ngjitjet janë shumë të vështira dhe konkurrenca i tremb të tjerët. Rrjedhimisht ata do të godasin; ti përbën “rrezik” për ta. Ka patur dhe rast kur më kanë pritur e më kanë dëgjuar 5 minuta, por nuk kanë dashur të bashkëpunojnë, pa thënë asnjë arsye. Jua tregova shkurtimisht këto, për të kuptuar kushdo që e lexon këtë intervistë se të arriturit këtu nuk është shëtitje në lëndinë me lule. Mes ketyre luleve ka dhe gjemba. Sigurisht mua më kanë pëlqyer lulet e historisë, çdo eksperiencë ja ka vlejtur. Për gjembat kam qenë e zonja t’i heq e t’i flak tutje. Kam marrë me vete veç aromën e mirë të luleve të këtij rrugëtimi, që do të shkojë më larg me ndihmën e Zotit dhe të familjes time.
Cili do të ishte kompromisi që s’do të bëje kurrë as për hir të dashurisë që ke për të profesion?
Kurrë nuk do të shkelja mbi veten, familjen, parimet e mia. Ky është rasti kur shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” eshte nul. Televizioni ka qenë dhe do të mbetet vendi ku dua të jem, por pa më tjetërsuar, pa dalë nga vetja.
Përveç programit “Shije shtëpie” cili është programi që po shfaqet aktualisht në ekranet shqiptare që do të doje të ishe ti e zonja e shtëpisë?
Nuk është një program që po shfaqet aktualisht por dëshiroj shumë që në të ardhmen të prezantoj një festival muzikor. Është një prej gjërave që dua të realizoj e që ndihem ekzakt si dikur, kur ëndërroja një program si “Shije shtëpie”: a do ta arrij ndonjëherë një gjë të tillë? Duke parë se puna të shpërblen, kam një fije besimi se një ditë do të jem prezantuese përshembull e Këngës Magjike krah Ardit Gjebreas apo prezantuese e Festivalit të Këngës.
Po programi që s’do të pranoje ta moderoje?
Nuk e kam parë ndonjëherë veten në emisionet sportive apo emisionet politike. Janë dy fusha që nuk preferoj të luaj.
Je tipi që mundohesh ta projektosh vetë të ardhmen, apo ja lë rastësisë? Si e mendon Katerinën nga ana profesionale pas një dekade?
Bëj një përllogaritje të asaj që unë mund të bëj, të veprimeve që duhet të ndërmarr për të arritur në pikën që synoj, por jo gjithçka është në dorën time. Megjithatë, secili nga ne gëzon të drejtën të vendosë për veten ndaj gjithçkaje që na ofron jeta i japim një drejtim të caktuar. Mendoj se bëj një lloj projektimi të së ardhmes, deri diku. Pas një dekade do të kem prezantuar edhe spektakle e festivale. Ndërsa në aspektin personal, të 30-tat më duken tani si periudha më e mirë e jetës. Më parë mendoja se të 20-tat ishin vitet më të bukura. Patjeter që janë, por tani po kuptoj se në të 30-tat je e re dhe e realizuar në çdo aspekt. Në karrierë, në pjekuri, në familje, në shoqëri. Gëzon pavarësi ekonomike dhe shijon fryte të përpjekjeve që ke bërë më parë. Uroj që pas një dekade familja ime e vogël të jetë me 4 pjesëtarë të kem bërë edhe një fëmijë tjetër, një motër ose vëlla për Deon tim.
Cila është ajo pyetje që do të dëshiroje të ta kisha bërë, por mungoi në këtë intervistë?
Më shumë se pyetje doja të bëj një përmbyllje me falenderime që i ndjej të nevojshme t’i bëj. I jam falenderuese kujtdo që kam njohur në jetë. Flas për familjen time fillimisht dhe njerëzit e shtrenjtë të mitë që pa ta, nuk do të bëja dot asgjë. Ata që i kam miq e bashkëpunëtorë, qoftë nga eksperiencat e të kaluarës në radio/televizion, qoftë në ato aktuale. Faleminderit për besimin, respektin, miqësinë, mirësinë. Ndërsa atyre që u kam njohur anën negative, nuk u jam atyre falenderuese, por i jam Zotit që më ndeshi me ta veç për të mësuar më shumë për jetën dhe veten.
Botuar në BORDO/ shkurt 2022



















