KreuArt

Historia tragjike e dashurisë e Vivien Leigh dhe Laurence Olivier!

Historia e dashurisë së dy yjeve të mëdha të Hollivudit, Vivien Leigh dhe Laurence Olivier, kujtohet ende edhe sot si e mbushur me pasion, romancë, tradhëti dhe zemërthyerje. Për shkak të saj, aktorja pati disa shpërthime të pakontrolluara jashtë skenës, por edhe brenda saj, megjithatë disa letra dashurie të tyre, të zbuluara së fundi tregojnë se dashuri, mes dyshes, ka pasur shumë.

Olivier ishte bashkëshorti i dytë i Leigh, e famshme sidomos për filmin “Bashkë me erën”.

Vivien dhe Laurence u takuan në 1936, pas performancës së saj tek The Mask of Virtue, në Londër. Olivier, asookohe 28 vjec, ndaloi që ta përgëzonte aktoren pak më shumë se 20 vjece për interpretimin. Ai ishte i martuar me Jill Esmond, Vivien edhe ajo ishte e martuar dhe me një fëmijë. Asgjë nuk i ndaloi megjithatë që të pëlqenin njëri-tjetrin. Ajo u tërhoq nga “sharmi dhe magnetizmi i tij”, ai ndjeu një efekt që s`ia kishte dhënë asnjë femër tjetër.

“E urreva veten që e tradhëtova Jillin, por nuk ishte thjesht epsh, ishte dashuri”, do të rrëfente ai më vonë. Në 1940-tën u martuan e luajtën dhe në disa filma bashkë.

Por Vivien kishte një problem të fshehtë: ajo vuante nga crregullimi bipolar, ama nuk kishte marrë asnjë ndihmë të specializuar për këtë. Pas një rrëshqitjeje në sheshxhirim, teksa ishte shtatzene, humbi fëmijen e u zhyt në depression. Nuk e mori më veten asnjëherë plotësisht, dhe karriera e saj nisi të merrte të tatëpjetën. Shpejt filluan dhe sherret ne cift. Gjatë një turneu në Australi, ajo refuzoi të ngjitej në skenë  sepse i ishin zhdukur këpucët që donte, dhe Laurence e qëlloi me shuplakë publikisht. Ajo ia ktheu në të njëjtën mënyrë. Disa minuta më vonë u ngjit në skenë me këpucë të marra borxh, por Oliveri kuptoi se “aty e humbi Vivien”.

Mes dëshpërimit, Vivien pati flirte të cilat i shoqi i kuptoi, por vendosi t`i jepte një shans. Në 1956, erdhi aborti i dytë, e këtë radhë depresioni zgjati me muaj të tërë. Dy vjet më vonë, martesa mori fund. Vivien nisi të dilte me aktorin Jack Merivale, ndërsa Olivier u lidh me Joan Plowright, 22 vjet më e re se ai.

Në 1960, Vivien kërcënoi se do të vriste veten, e zhytur në errësirën e dëshpërimit, teksa dyshja ishte në prag të procedurave të divorcit. 7 vjet më vonë, ajo ndërroi jetë nga tuberkulozi. Olivier, tashmë i martuar me Joan dhe me dy fëmijë, u cua nga shtrati i spitalit ku po trajtohej për kancer në prostate, që t`i jepte lamtumirën e fundit.  Ai vetë shpëtoi nga sëmundja e rëndë dhe vdiq në 1989 nga bllokimi i veshkave. Përpara se të ndërronte jetë, teksa shihte me lotë në sy një film të Vivien Leigh, tha: “Kjo ka qenë dashuria ime”!

 

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF