KreuArt

Intervistë/ Adelajda Osmani, vajza që luan me ngjyrat!

Adelajda Osmani, artistja e talentuar nga Durrësi, e cila pikturon me duar, duke mbajtur në majë të gishtave artin e krijimit të ngjyrave mbi telajo.
Piktura e saj ngjan me një rebus që gëlltitet nga abstraktja, e rrëmbyer nga bluja e thellë dhe e verdha diellore, e kuqja e gjakut ose gurkali. Edhe pse me përmasa të pazakonta, Adelajda Osmani, vajza e talentuar nga Durrësi, arrin të realizojë krijime me një saktësi të paimagjinueshme, vetëm falë mjeshtërisë së duarve, pa penel. E sapo kthyer nga ekspozita e saj e fundit në Paris, ajo flet për Bordo rreth krijimeve të saj unike, botës që e frymëzon, teknikën e veçantë, por edhe pritshmëritë për të ardhmen.

Sapo jeni kthyer nga Parisi nga ekspozita juaj e fundit, çfarë impresionesh morët?

Ekspozita në Paris ishte një sukses i vërtetë e madje shkoi edhe më mirë nga sa e kisha imagjinuar e pritur unë, sepse mora një feedback shumë pozitiv nga artistët vendas dhe vizitorët e ekspozitës atje, por edhe plot shqiptarë që udhëtuan drejt Parisit enkas për ekspozitën. Atyre u pëlqeu mjaft stili im dhe gjithçka që shfaqej në tablotë e mia.

Cikli që u prezantuat në Francë, çfarë përfaqëson për ju?

Për mua, ekspozita në Francë, është një hap më shumë drejt artit, një arritje më shumë dhe një horizont më i gjerë në të cilin synoj të shtrij krijimtarinë time.

Adela si është të pikturosh pa penel?

Piktura pa penel për mua është mënyra më e veçantë dhe e bukur për të ngjyrosur tablotë me emocione dhe ndjenja. Peneli duket sikur më shkëput pak nga vepra ime, kurse kur unë e trupi im bëhemi njësh me ngjyrat dhe tablonë, atëherë gjithçka krijon një harmoni e ndjesi shumë unike.

Ju keni piktura me përmasa të mëdha, a është e vështirë të aplikosh ngjyrat me dorë?

Teknika me të cilën punoj unë, duket shumë minimale dhe e thjeshtë, por është realisht e vështirë të aplikosh ngjyrat me dorë apo trup sepse kontrolli i linjave, shkrirjeve të ngjyrave apo detajeve është shumë i vështirë për t’u arritur në perfeksion dhe lëvizja më e vogël mund të rëzultojë kryevepër apo dështim, prandaj do përqendrim maksimal dhe shumë punë në perfeksionim.

Ju keni nisur të pikturoni kur ishit 8 vjeç, që në atë moshë e zbuluat këtë teknikë?

Unë kam nisur të pikturoj që herët, ama në fillimet e mia kisha teknika të zakonshme dhe ato që më kishte dhënë mësuesi im i pikturës. Më vonë e kuptova që për mua piktura ishte më shumë sesa një argëtim, ishte një pasion jete dhe doja të eksploroja një teknikë të veçantë që më përfshinte dhe përfaqësonte mua totalisht në çdo punë timen.

Di që meditimi është pjesë e jetës tuaj, sa ndikon ai tek pikturat tuaja?

Oh, sigurisht që po dhe kjo është ekspozuar edhe në disa prej krijimeve të mia madje. Për mua, të meditosh është një art që duhet të nisim ta zotërojmë e praktikojmë nga pak të gjithë sepse ndikon shumë në jetën tonë personale e profesionale. Meditimi na ndihmon të gjejmë qetësinë, ekuilibrat dhe të nxjerrim më të mirën tonë kudo e kurdo.

Histori personale të përkthyera në ngjyra, çfarë ju frymëzon për krijimet tuaja?

Unë gjej frymëzim kurdo, kudo ku ekziston jeta dhe e bukura, emocioni, ndjenja, dashuria apo dhimbja. Sipas meje, një artist i vërtetë është ai që e gjen frymëzimin e vërtetë dhe real, që e merr frymëzimin edhe në çastet apo detajet më banale, ashtu si edhe në ngjarjet e mëdha të jetës, kështu që mua frymëzimi nuk më mungon, veçse nevojitet që në momentin që është aty, ta aplikoj dhe të mos e humb.

Përpos teknikës, pikturat tuaja kanë ngjyra të forta, pse pikërisht ato?

Siç e përmenda, mendoj që është mjaft e nevojshme që pikturat e mia të më përfaqësojnë më së miri dhe unë kështu jam, plot jetë e emocione, plot kontraste, plot dritë, ama edhe hije kështu që gjithmonë do të guxoj me ngjyrat sepse jeta është për t’u shijuar e për të guxuar me ngjyra plot.

Nga abstraktet deri tek natyrat e qeta, ku shpreheni më lirshëm dhe pse?

Unë nuk kam bërë kurrë një pikturë ku të mos kem shprehur vetveten, kështu që mund të them që e gjej veten në secilën prej punimeve të mia, sa më shume emocione të fut në një tablo, aq më e kënaqur jam.

Suksesi i një piktori janë ekspozitat, por edhe shitja e punëve, sa e kënaqur jeni?

Paçka se unë nuk pikturoj për të përfituar të ardhura, por për kënaqësi personale, nuk mund të mohoj që edhe të ardhurat kanë qenë mjaft të mira, edhe për shkak se plot artistë apo figura të njohura si politikanë, kanë zgjedhur të dekorojnë ambientet e tyre me pikturat e mia dhe jam realisht mjaft e kënaqur.

Botuar ne BORDO,qershor 2022!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF