KreuStil Jetese

Durrësi, perla e Adriatikut

Mjaftojnë 2 orë për të eksploruar qytetin, historinë dhe kulturën e lashtë, prej nga i ka rrënjët iliria e dikurshme, por dhe Shqipëria e sotme dhe e ardhme…

Nëse udhëtimin drejt Durrësit do ta nisni nga Tirana, pas 20 minutash do të ndodheni në portën tokësore të qytetit, pasi të tjerat janë detare. Ura e Dajlanit, emri i së cilës lidhet me termin dalani, një praktikë e njohur peshkimi, të fton ose të hysh në zonën historike të qytetit, ose majtas, mund të shijosh bregdetin, perla e Adriatikut me një gjatësi prej mbi 10 kilometrash, ku janë pozicionuar më së shumti qendrat e akomodimit dhe shërbimit, ku sidomos gjatë stinës së Verës kthehen në zonën më të frekuentuar, jo vetëm nga pushuesit.

Ne zgjodhëm të marrin djathtas, hyrja e Durrësit një pjesë e së cilës shtrihet përgjatë detit, duke nisur me portin më i madhi në vend, e ndërsa pjesa tjetër ndodhet mbi disa kodrina të ulëta, thuajse të padukshme për syrin, ku vendoset qyteti historikisht. Qendra e qytetit ndodhet pikërisht aty ku janë vendosur disa nga ndërtesat kryesore: Bashkia e Durrësit në Perëndim, një ndërtesë e cila daton gati 90 vite më parë, e përkarshi Teatri, në Veri gjendet hijerëndë xhamia e cila daton që nga viti 1938. Sheshi kryesor Iliria prej pak kohësh është riprojektuar duke siguruar një pamje 360 gradë, e konceptuar me një stil minimalist, ku spikasin pllakat e hirta, oazet e ujit, instalacione të ndryshme si dhe palmat.

Bulevardi Epidamn, i cili konsiderohet edhe themeluesi i qytetit të Dyrrahut, emri analog i Durrësit, spikat për nga stili unik i ndërtesave me stil tipik venecian, karshi të cilave janë vendosur autokolonë palmat, duke i dhuruar kësaj zone një pamje të veçantë, madje edhe shpesh identifikuese.

Në krye të Bulevardit Epidamn, djathtas, pasi ke kaluar përmes disa ndërtesave tipike vendase, gjendet amfiteatri i Durrësit. Nuk ka dyshim që është krenaria e qytetit, pasaporta e së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së qytetit. Ky monument publik është unikal në vendin tonë, një trashëgimi historike e cila ka arritur të jetë ende ‘i gjallë’ pas qindra shekujsh. U ndërtua pikërisht pranë qendrës të qytetit, duke dëshmuar jo vetëm aftësitë e inxhinierisë së mjeshtrave vendas, por edhe si një nyje e cila lidhte ngushtë jetën, tregëtinë dhe kulturën e qytetit. Me një trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 metra, amfiteatri u ndërtua në fillim të shekullit të II të e.r., në kohën e perandorit romak Trajan. Amfiteatri ka një kapacitet prej 20 mijë shikues, e destinuar për ndeshjet e gladiatorëve, duke dëshmuar rëndësinë e qytetit në çdo epokë. Po aty gjendet edhe kisha e Amfiteatrit, ku zhvilloheshin ceremonitë fetare. Kapela e saj është e zbukuar me afreske dhe mozaikë muralë, ku një prej tyre i është kushtuar Shën Stefanit, martir i qytetit të Durrësit.

Nëse zbresim tatëpjetë Bulevardit, në fund, përballë tij ndodhet hyrja e portit, e cila është edhe udha zyrta e ujore e qytetit për të gjithë ata që zgjedhin të vijnë në Durrës përmes rrugës detare. Djathas, ndodhet Kulla Veneciane, e njohur ndryshe nga të gjithë banorët si Torra, pikëtakimi e njohur, stoike dhe një nga simbolet e qytetit, e ndërtuar në shekullin e XV mbi kullën bizantine. Ajo ka një diametër prej 16 metrash dhe lartësi 9 metra, duke ofruar një pamje magjepsëse, sidomos gjatë perëndimit të diellit.

Në të dyja krahët e Torrës, ndodhet kalaja e qytetit, një rrethim i cili ekziston akoma me muret rrethuese ndërtuar me blloqe cikllopike që në periudhën iliro-romake. Muret e sotme u ndërtuan si një fortifikim nga perandori bizantin Anastasi I me origjinë nga Durrësi. Perimetri rrethues dikur arrinte deri në 3.5 kilometra, muret kanë lartësi 18 metra dhe gjerësi 3.50 metra, ku shpesh ato ndahen nga hyrje të cilat të çojnë në zonën e shtëpive tradicionale të Durrësit me shtëpi tipike kryesisht 2 ose 3 katëshe, ku kati i parë përdorej për tregëti dhe të tjerat për banim.

Në krahun e majtë të Torrës, ndodhet godina e Bankës Shtetërore, me një stil unik, e ndërtuar nga arkitektë italianë plot 90 vite më parë, spikat stili i saj barok, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë. Sipër saj zë vend të dukshëm skulptura e një gruaje e cila paraqet në mënyrë simbolike luftën, rezistencën dhe fitoren ndër shekuj dhe begatinë e vendit.

Sapo arrini buzë detit shëtitorja më e famshme e qytetit, Vollga është një ndër vendet prej nga mund të shijosh pamjen e detit dhe qytetit njëkohësisht, me zona dedikuar argëtimit për publikun me bare, restorante dhe hotele, mes të cilave spikat Kompleksi Ventus me një dizajn tërësisht detar, struktura prej metali dhe çimentoje, hyn thellë në det, duke ofruar një sërë shërbimesh për vizitorët. E më tutje, një objekt tërësisht i ri, por që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e shumë vizitorëve është struktura prej mermeri të bardhë e Sfinskit. Nga lart forma ngjan me atë  të një sfinksi, e realizuar me shkallë në formën e një piramide e cila zbret deri në det, aty sheh në çdo sezon njerëz që kalojnë kohën.

Bukuroshja e Durrësit, është mozaiku më i vjetër i zbuluar në Shqipëri deri më sot. Ka permasat 5.1 X 3m dhe është realizuar me gurë zalli shumëngjyrësh. Ne qendër është koka e zmadhuar e një gruaje, të cilën e rrethojnë bisqe me lule zambaku, lule këmbane e rozeta, që mbushin njëkohësisht gjithë sipërfaqen eliptike të mozaikut. Të gjitha janë vizatuar me gurë të ngjyrave të ndryshme me sfond të i zi.

Udhëtimi ynë për të zbuluar thesaret e Durrësit kalon përtej qytetit, ku një prej destinacioneve më të bukura për t’u vizituar është Vila e mbretit Zog. Ajo ndodhet në kodrën më të lartë të qytetit, me një arkitekturë tipike neoklasike, në fasadën e së cilës është gdhendur figura e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeu.

Pjatat e peshkut

Nuk është e lehtë të zgjedhësh për të ngrënë një drekë në Durrës, kjo bëhet akoma më e vështirë nëse do të zgjedhësh diçka unike. Por, kudo të shkosh në çdo restorant, diçka është e sigurt, një menu e cila nuk lidhet me traditën, pasi më së shumti këtu gjen çdo gjë italiane, nga gatimet e pastave deri tek produktet e detit. E meqë jemi tek kjo pikë, mbreti i çdo pjate, i cili nuk mungon në asnjë sugjerim është peshku, pjata mbretëreshë e çdo restoranti nga të gjitha llojet, herë të gatuara në mënyrën tradicionale, e pjekur ose në tavë, e deri tek gjithfarë mënyrash që ofron një menu moderne. Ndaj, nëse do të shkoni në Durrës, pasi të jeni lodhur nga itinerari që ju sugjeruam, mos harroni të porositni një pjatë peshk, midhje, karkaleca, arragosta e të tjera si këto që ofron një menu me bazë detin, sepse më mirë se këtu, asnjë vend tjetër nuk mund të sugjerojë një ushqim të freskët dhe të shijshëm.

 

Botuar në Revista BORDO

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF