Kur ishte vetëm tre vjeç Sara do të provonte atë ndjesinë e garës dhe fuqinë që të jep uji. Nga ai moment, krah motrës së saj binjake Kestrinës, një rivale po aq e fortë sa Sara, do të arrinte rekorde pas rekordi, duke na përfaqësuar në eventet ndërkombëtare. Sara Dande, edhe pse 16 vjeç ka nisur me sukses një udhëtim që padyshim do të na bëjë krenarë në të ardhmen.
Sara si e kujton momentin e parë të kontaktit me ujin, një rrugë që pastaj do t’ju çonte drejt trofeve?
Momenti im i parë i kontaktit me ujin ka qenë rreth moshës 3 vjeç, kur rrija në det dhe në pishinë pa pushim dhe mundohesha të kaloja distanca të shkurtra me not. Që atëherë të bërit not ishte diçka shumë argëtuese që më bënte të ndihesha shumë mirë. Por do të kalonin 5 vite, që unë të nisja sportin e notit më seriozisht. Së bashku me Kestrinën motrën time binjake, stërviteshim fillimisht 3 herë në javë. Koha kalonte dhe ne të dyja filluam ta pëlqenim akoma më shumë notin, duke iu dedikuar këtij sporti më shumë. Në mars 2015 thyem rekordin e parë për fëmijë në stafetë, ku merrnim pjesë të dyja. Ne paralelisht me notin praktikoheshim edhe në taekwondo dhe ku aktualisht kemi të dyja rripin e zi II dan. Kestrina që në 2015 filloi të thyente rekorde individuale në stilin e shpinës, kurse unë e theva rekordin tim të parë individual në 800 metra stil i lirë në 2016, kur isha vetëm 10 vjeç. Që atëherë kam shfaqur interes të madh për garat e gjata. Vërtet janë shumë të lodhshme, por janë disiplinat e gjata ku unë jap rezultatin më të mirë.
A ka pasur një njeri që ju orientoi drejt kësaj zgjedhje?
Drejt kësaj zgjedhjeje na kanë orientuar prindërit, të cilët menduan mënyrën më të mirë për të shfrytëzuar dëshirën tonë për të bërë not. Pa ata nuk do të kishim arritur këtu ku jemi sot, prandaj ju jemi shumë mirënjohëse. Babi pret 3-4 orë në kompleksin ku bëjmë not, pasi na çon e na merr, duke qenë se vendi ku bëjmë stërvitjen është larg shtëpisë. Kurse mami kujdeset për pjesën e ushqimit, pasi marrja e energjive është e domosdoshme në një sport që djeg me mijëra kalori.
Si është të kesh një rivale në sport brenda familjes, mes teje dhe Kestrinës?
Të kesh një rivale në not është një gjë e mirë se të ndihmon për sa i përket rezultateve. Ka momente kur ndjehesh i lodhur dhe ndjen se nuk ke më forca gjatë stërvitjes. Vetëm konkurrenca të bën të vazhdosh stërvitjen dhe të luftosh deri në fund. Pak a shumë kështu ndodh me mua dhe Kestrinën. Kestrina është një notare më e mirë për shpejtësinë, kurse unë jam më e mirë për distancën, kështu që e ndihmojmë njëra-tjetrën të përmirësojmë defektet. Është bukur kur bën një garë ku edhe motra jote garon, pasi kur mbaron nuk je kurioze të mësosh vetëm rezultatin tënd, por edhe të motrës. Ne të dyja kënaqemi më shumë për rezultatet e njëra-tjetrës sesa për tonat.
Noti duket si një sport argëtues, por kur synon të jesh e para, çfarë regjimi stërvitje ndjek Sara?
Noti është vërtet një sport argëtues, por edhe shumë i vështirë. Për të qenë ndër më të mirët, duhet të mbash një regjim të rreptë stërvitor. Kjo përfshin stërvitje 6-9 herë në javë, regjim ushqimor të kujdesshëm dhe pushim mes seancave stërvitore. Kjo bën që të mos jemi gjithmonë prezentë në daljet me shoqërinë, por kur e do një sport, je gati të bësh disa sakrifica të vogla.
Cilat disiplina janë të preferuarat, jeni më luftarake në stilin e lirë, a keni ndonjë tjetër që synoni?
Disiplina ime e preferuar është stili i lirë dhe kryesisht garat e mesme dhe të gjata. Kur kam qenë më e vogël më ka pëlqyer delfini dhe shpina, madje kam bërë edhe gara në këto stile. Por sa më shumë rritesh në këtë sport, notari me ndihmën e trajnerit, e kupton dhe zgjedh me kujdes garat ku jep rezultatin më të mirë. Për këtë arsye kam zgjedhur garat e gjata të stilit të lirë. Dua të përmend edhe punën e madhe dhe ndihmesën e dy trajnerëve prof. Sadik Mema dhe Eduard Cane.
Sapo jeni kthyer nga Lojërat Mesdhetare, si ishte kjo eksperiencë ndërkombëtare?
Të marrësh pjesë në Lojërat Mesdhetare ishte një eksperiencë shumë e bukur. Ishte eksperienca ime e parë në një organizim olimpik. Kisha marrë pjesë më parë në Kampionatin Europian të të Rinjve në Romë, në Kampionatin Europian në Kazan, Rusi dhe evente të tjera rajonale, por ishte hera e parë në lojëra të karakterit olimpik. Të garosh me emra të mëdhenj të notit është një kënaqësi e madhe. Notarët më të mirë të Mesdheut ishin në atë kompeticion dhe të shikosh nga afër mënyrën e stërvitjes së tyre është shumë më ndryshe se nga televizori. Të garosh përkrah tyre është një sfidë. Do të kisha dashur shumë të merrja pjesë edhe në Kampionatin Europian të të Rinjve në Rumani ku mori pjesë Kestrina me ekipin përfaqësues të Shqipërisë, por nuk munda sepse mbivendoseshin datat e eventeve.
Si do ta përshkruaje ndjesinë e përfaqësimit të Shqipërisë në arenat botërore?
Në fakt kjo ka qenë ëndrra ime dhe e motrës time. Në vitin 2015, pas fitimit të kupës në kampionatin e fëmijëve, na dukej si ëndërr të përfaqësonim vendin tonë në eventet sportive, por pas 7 vitesh të mbushura me shumë punë dhe përkushtim, ëndrra jonë është bërë realitet. Ndjesia e përfaqësimit të Shqipërisë në arenat botërore është e papërshkrueshme. Ndihesh krenare, por ke edhe një përgjegjësi të madhe. Ndihem me fat që puna e lodhshme për arritjen e rezultateve shpërblehet në momentin që shkoj në kampionate europiane, botërore apo lojëra Mesdhetare. Eksperienca që merr në këto kompeticione është shumë e vlefshme, të shtyn të vazhdosh stërvitjen dhe të kërkosh rezultate sa më të mira.
Sara ju keni thyer rekordin kombëtar të 1500 metrave për të rritura dhe kampione në 200 metra, pas këtyre rezultateve çfarë synoni?
E kam thyer rekordin e parë në 1500 metra për të rritura në moshën 13 vjeç dhe ai rezultat më ka kënaqur shumë. Në fakt pas çdo rezultati të mirë është një moment që ti kënaqesh dhe e shijon atë, por kjo zgjat shumë pak, sepse fillon e mendon për ta përmirësuar në garën e ardhshme. Synimi është të vazhdoj të përmirësoj kohët e mia në çdo garë dhe të vazhdoj të thyej rekorde. Siç është vetë shprehja; rekordet janë bërë për t’u thyer.
A duhet ndryshuar diçka në trajtim dhe stërvitjen e notit në Shqipëri për të pasur rezultate më të mira?
Në Shqipëri talentet nuk mungojnë. Por duhet bërë më shumë për vlerësimin e këtyre talenteve, për kushtet dhe vendet e stërvitjes. Aktualisht nuk kemi një pishinë olimpike të mbyllur dhe stërvitja jonë bazohet vetëm në pishinë 25 metra, pishina private që kërkojnë jo pak investim nga familjet e notarëve. Kohët e fundit po bëhen përpjekje nga Bashkia e Tiranës, të shpresojmë që të ketë rezultate konkrete. Noti në Shqipëri nuk hyn tek sportet që vlerësohet sa duhet dhe nuk i kushtohet shumë rëndësi, dhe nëse një sporti nuk i kushton rëndësi nuk mund të presësh rezultate.
Vetëm 16 vjeçe, disa herë fituese, synoni të bëheni notare profesioniste apo do të jetë një pasion?
Vërtet është një pyetje që ia kam bërë vetes disa herë, por në fund ja kam lënë kohës. Do vazhdoj të stërvitem dhe nëse rezultatet do të përmirësohen, pse jo do ta zhvilloj këtë sport në të ardhmen. Noti ka qenë dhe vazhdon të jetë një pasion për mua, pa të cilin jeta do të dukej shumë monotone. Do të më pëlqente që me fillimin e universitetit të stërvitesha paralelisht dhe kjo mundësohet nga shumë universitete në Evropë e sidomos në USA, pasi ofrojnë programe specifike dhe kushte lehtësuese për sportistët studentë.
Kush është idhulli juaj më i madh, që do të donit t’i ngjanit?
Kam disa notarë të preferuar, garat e të cilëve i shikoj dhe i studioj, në mënyrë që të kap sa më shumë detaje nga teknikat e tyre. Por nga gjithë notarët, do të veçoja notarin legjendar Michael Phelps, që jo vetëm është notari më i mirë i të gjitha kohërave, por edhe sportisti me më shumë medalje olimpike në historinë e Lojërave Olimpike. Që kur e fillova këtë sport shikoja me orë të tëra garat e tij, sidomos Lojërat Olimpike të Pekinit në 2008, ku në 8 garat, ai fitoi 8 medalje të arta dhe theu 7 rekorde botërore si dhe një rekord olimpik. Nga notarët shqiptarë idhulli im është Sidni Hoxha dhe është i vetmi notar shqiptar që ka kapur normat olimpike.
Botuar në BORDO, Gusht 2022



















