KreuBusull

Ndalet filmi i Jetës i Kristaq Dhamo

Profil i regjisorit të njohur shqiptar, kineastit të parë mbi krijimtarinë e të cilit u ndërtuan themelet e kinematografisë shqipfolëse


Para 64 vitesh, kërciti ciak-u i filmit të parë shqiptar “Tana”, e pas kamerës fshihej regjisori Kristaq Dhamo, asokohe vetëm 25 vjeç, i sapo kthyer nga studimet e larta në Institutin Kinematografik të Budapestit. Pikërisht ky moment do të vendoste emrin e tij në listën e themeluesve të kinematografisë shqiptare, e pas kësaj me produksione të tjera filmike, Kristaq Dhamo do të ndërtonte kështjellën e artit kinematografik, që siç e konsiderojnë kritikët, ishte një artist i cili jetonte pertej dimensioneve konvencionale në hapësirë e kohë. Në mes të Gushtit ai dha frymën e tij të fundit, e kjo erdhi vetëm 1 muaj pasi filmi i tij i parë sapo kishte mbaruar restaurimin, ndërsa gjendej në gjendje jo fort të mirë shëndetësore pranë të afërmve të tij në Itali. Kur kishte dëgjuar se “Tana” ishte restauruar pa praninë e tij, doemos do të jetë ndjerë ligsht. Familjarët, konfirmuan se dëshira e fundit e kineastit, ishte që filmi “Tana” i restauruar duhej të shfaqej në Korçë, vendi që ai e konsideronte “qyteti, fshat dhe teatri që i dhanë atij ndihmën më të madhe në realizimin e këtij filmi”. Lidhja e fortë me qytetin e Korçës, padyshim që ka lënë gjurmë tek artisti, ndaj edhe ai kërkoi që të shfaqej aty, sepse skenat masive që bien në sy në këtë produksion kinematografik, që për kohën ishin të paimagjinueshme, vetëm Dhamo arriti që të merrte prej tyre më të mirën.

Aktorja e rolit kryesor, aktorja Tinka Kurti u zgjodh krejt rastësisht, siç kujton vetë artisja, ishte ulur në kafe Vollga me shoqëri në qytetin e Shkodrës, e në tavolinën përballë gjendej regjisori Kristaq Dhamo. Ai ishte afruar dhe pa mëdyshje i kishte thënë: Me ty do të realizoj filmin e parë! Ai sigurisht e mbajti fjalën, e pikërisht atë moment ai pikasi artisten e cila do të linte gjurmë me rolet e saj edhe për dekadat e ardhshme. “Tanën e kam luajtur pa e ditur mirë se çfarë po bëj. Isha vajzë e re, mbase edhe jo aq e re se e kisha një fëmijë. Por shkova atje dhe ishte një arë e madhe. E korra arën dhe më pas, më vunë në gomar dhe luajta rolin”, kujton Tinka Kurti.

I sapodiplomuar, por i frymëzuar nga arti kinematografik i Sergei Eisenstein dhe Dziga Vertov, regjisori shqiptar do të shpërfaqte përmes punës së tij, jo thjesht ndikimin nga arti i kineastëve të mëdhenj sovietikë, por edhe atë që siç e quajnë kritikët, dallonte për ndërtimin mjeshtëror dramatik, kamerën dinamike dhe drejtimin e lojës së aktorëve në një harmoni të papërsëritshme. Profesor Përparim Kabo thekson se Dhamo ishte një artist i përgatitur në shkollën hungareze të kinematografisë, e cila njihet dhe vlerësohet për traditën e fotografisë dhe kameras, aq sa është fakt, disa nga themeluesit e Hollywood-it janë artistë hungarezë të kameras të emigruar në Amerikë. Si njohës i mirë i artit, kulturës dhe letërsisë hungareze, Kristaq Dhamo ka edhe një kontribut të çmuar, pasi nën kujdesin e tij u realizuan përkthime në shqip, të një antologjie me poezi të zgjedhura të poetit hungarez, Endre Ady.

Por Kristaq Dhamo solli në kinemanë shqiptare filma të cilët e ngritën në piedestal kinemanë shqiptare me produksione si: “Mëngjese Lufte”, “Vendimi”, “Nga mesi i errësirës”, “Qortimet e vjeshtës”, e shumë të tjerë. Pa harruar që në sheshxhirimet e filmave të tij spikatën emra të mëdhenj të kinemasë, ku një start i mbarë për artistë si: Piro Mani, Margarita Xhepa, Edi Luarasi, Sandër Prosi apo Pandi Raidhi ishte pikërisht “Vitet e para”.

Regjisori Kristaq Dhamo ka rrëmbyer çmime në festivale të ndryshme për kontributin e tij, me një krijmtari prej 11 filmash artistikë e 5 dokumentarë, i vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.

Edhe pse filmi i jetës së tij mbaroi në ditët e mesgushtit, duke lënë një vlerë të paçmuar për artin e shtatë shqiptar, filmat e Kristaq Dhamo, do të vazhdojnë të përçojnë ende mesazhet e fuqishme përmes ekranit, duke shërbyer si një busull orientimi për brezat e rinj të kineastëve. Ai iku duke lënë pas “Tanën”, filmin e parë që flet shqip, por edhe gjurmë e një dimensioni të rrallë artistik.

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF