Udhëtim nëpër vreshtat e arta, e më pas brenda disa prej kantinave më të njohura të Shqipërisë, nga jugu në veri. Një eksperiencë unike për t’u dehur me shijen autentike të verërave Made In Albania
Vjeshta me nuancat e bronzta shtrihet përgjatë kodrinave të mbushura me pjergulla dhe hardhi anëekënd Shqipërisë, nga Jugu në Veri. Mes ngjyrës së ndryshkut të gjethnajës shkëlqejnë kokrrat me ngjyrë rubini të Kallmetit përgjatë zonës së Lezhës, Shkodrës e Mirditës, ndërsa nuanca perlë e Pulsit të bardhë, është më shumë një karakteristikë e zonës së Jugut.
Vera shqiptare përmendet që nga koha ilire, siç e përshkruan në dokumentet e hershme edhe gjeografi grek Strabo: “Iliria është plot me ullishta dhe vreshta të mira”. Në dokumentet më të vjetra shqiptare Frang Bardhi përmend verën e Kallmetit e cila i dërgohej rregullisht Vatikanit, madje ajo ishte e preferuara edhe nga vetë Papa.
Vera shqiptare dallon për shijen e saj unike, por edhe autenticitetin e saj falë varieteve të rrushit, me emra si Kallmeti vendosur në zonën me të njëjtin emër, apo varietetet autoktone Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi, me origjinë nga fshati Shesh. Studjuesit vendas, por edhe ata të huaj kanë konfirmuar se varietetet kryesore të rrushit autokton shqiptar të verës të kuqe kryesisht janë: Shesh i Zi, Kallmet, Vlosh, Serinë, Debinë e Zezë, ndërsa mes verërave të bardha renditen: Shesh i Bardhë, Debinë e Bardhë, Puls apo Therepelë.
Kjo kërshëri e nxiti Bordo të udhëtojë përmes vreshtave pjellore shqiptare, duke zbuluar disa nga më të bukurat, ku prodhohen varietetet autoktone e më pas lëngu magjik i cili shndërrohet në verë duke udhëtuar nga tryezat e shqiptarëve deri në vendet më të largëta, duke përcaktuar një shije unike, thjesht shqiptare…!
Kantina “Arbri”
Dikur vreshtat e Mirditës kanë qenë oazi i vreshtarisë shqiptare, simbol i ringjalljes së vreshtarisë shqiptare, të cilat kanë qenë prodhuesi kryesor i verës edhe për Papën në Vatikan. Kantina “Arbri”, nga një fermë me 25 hektarë vreshta, e cila ndodhet 396-640 metra mbi nivelin e detit, prodhimi i verës është është trashëguar në breza. Aty sot prodhohen Kallmet i kuq dhe Shesh i Bardhë. Një traditë 100 vjeçare e cila edhe pse u venit gjatë periudhës komuniste, duket se tashmë është rikthyer me intensitet.
Kallmeti, konsiderohet si mbreti i Veriut dhe emri i verës lidhet me llojin e ëmbël të rrushit, i cili prodhon verë të kuqe dhe të bardhë. Kantina “Arbri” konsiderohet më e madhja për sa i përket prodhimit në vend dhe prodhon mesatarisht 100 mijë shishe në vit. Familja Kaçorri zotëron vreshta me një sipërfaqe afërsisht 20 hektarë. Varietetet që ata kultivojnë janë autoktone, rrushi i sheshit si në versionin e bardhë dhe të kuq dhe rrushin “ceruja”, i cili rritet në kodrat përreth Burrelit.
Kantina Duka
Kantina Duka është ngritur në vitin 2007 në një sipërfaqe vreshtash, shumë pranë Kepit të Rodonit. vendosur në kodrat e Ishmit, vreshti “Duka” gjendet midis pyllit dhe freskisë së erërave që e përqafojnë nga jugu. Kjo vepër agronomike dhe inxhinierike prej 5 hektarësh gëzon një peizazh shumë të bukur, e nisur me shumë pasion dhe vizion nga themeluesi i kësaj kantine Enver Duka. Kantina prodhon tre variete në etiketën Duka mes të cilave Cabernet, Merlot, Tempranillo.
Kujdesi për këto verëra fillon që tek hardhia e toka, e cila ushqehet vetëm me plehra organike. Në kantinën “Duka”, ju do të keni mundësinë të degustoni edhe dy variete të rakisë: “Raki rrushi e Gjyshit”, 49 % alkool, e cila është një përzierje e 3 llojeve rrushi, Merlot, Cabernet dhe Tempranillo, duke ofruar një shije autentike dhe tradicionale si dhe “Raki rrushi”, 42 % alkool, e cila rizgjon shijen e vjetër dhe plot kujtime të rakisë së prodhuar me pasion.
Kantina Kallmeti
Vendosur në zonën prej nga edhe e merr emrin vera autoktone shqiptare, kantina Kallmeti ndodhet në fshatin Kallmet, 11 km në veri të qytetit të Lezhës. Kantina mund të vizitohet çdo ditë të javës, ku edhe mund të degustoni shijen e verës që ka provuar edhe papa i Vatikanit. Kantina kultivon kallmet të kuq me aromë frutash dhe kallmet të bardhë me shije të freskët. Kallmeti është varietet i lashtë autokton shqiptar i kultivuar në zonën e origjinës dhe i përhapur kryesisht në rrethet e Lezhës dhe Shkodrës.
Vjelja bëhet e vonë, 2-3 javë më vonë se varietetet e tjera dhe destinohet për prodhimin e verës. Kantina prodhon tre lloje verërash, Kallmet, Kallmet i Bardhë dhe Kallmet Prestigj. Aty mund të shijoni vreshtat, të cilat janë përgjithësisht me sipërfaqe të vogla dhe të ngritura nga familjet e zonës në terrene kodrinore, ku ky varietet rrushi mund të shprehë maksimumin e potencialit të tij. Prej aty mund të shijoni edhe një panoramë të mrekullueshme të fshatit Kallmet, me vreshtat që ngjiten rreth kodrinave dhe në krye të tyre dallojnë kishat.
Kantina “Bardha”
Në pjesën qendrore-perëndimore të vendit, mbi fshatin Marikaj, ndodhet ferma ”Bardha”. Një shtëpi e mahnitshme me arkitekturë italiane, e vendosur 400 metra mbi nivelin e detit, ku rriten varietetet e rrushit autokton mavrud, Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë. Kjo fermë u ndërtua nga biznesmeni Ekrem Bardha.
Kantina “Bardha”, ka një vreshtë të magjishme, e vendosur mbi kodër, me jo më pak se 300 ditë diell në vit në një tokë pjellore dhe me klimë unike e cila prodhon verëra me një ekuilibër shumë të mirë mes aciditetit dhe antioksidantë të jashtëzakonshëm natyrorë. Merlot, Barbera, Primitivo, Shesh i zi dhe Shesh i bardhë janë disa nga produktet më të cilat krenohet prej vitesh kjo kantinë, produktet e së cilës udhëtojnë në tregjet më të njohura botërore.
Kantina “Uka”
Ceruja është një varietet autokton i cili rritet në fshatin me të njëjtin emër dhe prodhohet nga kantina “Uka”. Kantina Uka që prej vitit 2005, bashkëpunon me familje vreshtarësh në të gjithë Shqipërinë, të cilët mirëmbajnë me breza kultivarët vendas. Falë trashëgimisë së stërgjyshit të familjes, Man Uka, kjo kantinë prodhon verën e kuqe Kallmet me ngjyrë rubini, elgenate, ku frutat e kuqe të vogla, me aromat e vaniljes dhe kakaos, sjellin një buket, i cili harmonizohet me shumëllojshmëri ushqimesh.
Uka Farm është kthyer tashmë në një atraksion turistik, ku ferma ofron bukuritë natyrore të plantacioneve me vreshta, ku vizitorët mund të shijojnë natyrën, të shohin nga afër vreshtat dhe procesin deri në prodhimin e verës. Në fermë mund të shijoni disa nga prodhimet origjinale mes të cilave verën e famshme Kallmet, e më pas të bardhat Ceruja dhe Pulez, pa harruar të kuqen Chimera, e cila ka përzierjen e 3 varieteteve të rrushit Merlot, Cabernet Sauvignon dhe Syrah .
Kantina Çobo
Qarku i Beratit është një nga zonat më të njohura për prodhimin e verës në Shqipëri. Në këtë zonë gjendet kantina “Çobo” e cila kultivon dhe prodhon verën e njohur nga varieteti pulsi i Beratit. “Çobo” gjendet në Urën Vajgurore. Pavarësisht traditës së hershme në prodhimin e verës që daton në fillim të viteve 1900, familja Çobo, ashtu si shumë ferma të tjera në mbarë Shqipërinë, u detyrua të ndërpresë prodhimin gjatë regjimit komunist, por 50 vjet më pas kantina u rigjallërua dhe rifitoi vitalitetin.
Vera e bardhë e prodhuar prej Pulsit ka aromë të fortë lulesh dhe aromat e verërave të prodhuara nga ky varietet vijnë prej luleve që rriten rrëzë malit Tomorr. Familja Çobo realizon ture duke u treguar vizitorëve procesin e prodhimit të verës, origjinën e historisë së familjes dhe verërat e tyre, e padyshim degustimin e një gotë verë autentike. Disa nga etiketat që prodhohen janë nga Kashmer, Shëndever, Shesh i Zi apo E kuqja e Beratit.



















