Intervistë ekskluzive/ Sardi…do shihemi prapë…!

Nga Emi Koleci
Fotografia: Leo Arapaj

Që nga fëmijëria e tij Sardi Strugaj ka vendosur t’i përkushtohet asaj për të cilën ka dashuri shumë të madhe, muzikës. Këngëtari dhe tekst shkruesi është dalluar gjithmonë për zërin e fuqishëm e plot shpirt që e karakterizon. Sardi është ai djali i këngëve hit ‘’Sytë’’ dhe ‘’A ja thash’’ të cilat numërojnë miliona klikime në YouTube. Në vitin 2020 ai u rendit i dyti në Festivalin e Këngës dhe që prej pjesëmarrjes së fundit në 2015-ën rikthehet sërish në ‘’Kënga Magjike’’ ku pritshmëria kryesore mbetet publiku. Sardi në këtë intervistë për Bordo tregon se është artist në sfidë me vetveten dhe gjithmonë mirënjohës ndaj atyre që e përqafojnë muzikën e mirë…!

Sard, së fundmi je pjesëmarrës në “Kënga Magjike’’ si po ndihesh?

“Do shihna prap” është një këngë që e kam pasur shumë për zemër që nga fillimi. Kur më duhej të vendosja për pjesëmarrjen në “Kënga Magjike” duhet të zgjidhja mes një kënge që tregon shtrirjen vokale, ose një kënge të përshtatshme për radio apo platforma sociale. Vendosa të zgjedh të dytën për të bërë deri diku diferencën; për të sjellë një ngjyrë të re. Ndihem shumë mirë që ia kam dalë. Duke parë edhe konkurrentët e tjerë, jam ndër të paktët që kam sjellë një ritëm ndryshe, gjë që më bën krenar me veten.

Çfarë prisni nga Kënga Magjike, duke pasur parasysh mënyrën e votimit dhe raportet me artistët? 

Jo vetëm tek “Kënga Magjike”, por nga çdo këngë që unë publikoj, pritshmëria ime është publiku. Gjithçka varet nga ai, prandaj pres që të marr më shumë popullaritet tek ata njerëz që akoma nuk më njohin mua dhe muzikën që bëj. Nga ana tjetër për çdo konkurrent aty, ashtu si edhe për mua, çmimi është një kënaqësi ekstra, por që nuk është primare.

A e sheh si një mënyrë të mirë marketingu pjesëmarrjen në festivale?

Është një mënyrë shumë e mirë. Edhe tek Festivali i RTSH-së pjesëmarrja më ka rezultuar shumë pozitive. Konkurrova me një këngë që me video mbase nuk do të kishte ecur aq shumë, ndaj më ka shërbyer. Pjesëmarrja te “Kënga Magjike” i ka dhënë një marketing ekstra këngës, që gjithmonë është i nevojshëm.

Dy vite më parë ju ishit ndër kandidatët për Eurosong, a është ende një ëndërr që doni të arrini? 

Kam qenë më i vogël kur e kisha si ëndërr, tani e kam një nga objektivat, por nuk është i domosdoshëm. Gjëja më e rëndësishme për mua është të bëj një përfaqësim dinjitoz në çdo projekt timin.

A mendon se nëse do të ishe në një treg tjetër, puna jote do të vlerësohej më shumë?

Kam kuptuar se në çfarëdolloj mënyre që ti e fiton një gjë, e meriton. Puna që ti bën, edhe sikur të jetë minimale, nëse të jep një ‘feedback’ shumë të madh, është ajo që meriton. Unë nuk e ul dikë që ndoshta nuk ka talent, por ka miliona klikime. Me shumë mundësi mund ta ketë bërë me një punë ekstra, të cilën unë mbase nuk e bëj dot, por nuk mund ta gjykoj. Për t’u kthyer tek pyetja, mbase jashtë artistët mund të suportohen më shumë, kjo për shkak se strukturat e marketingut apo menaxhimit janë më të forta, por patjetër ka edhe më shumë sy apo veshë për të të dëgjuar.

A është kjo që po jeton tani ëndrra e fëmijërisë së Sardit? 

Pjesërisht po, sepse këtë kam dashur të arrij. Të kem një vend që më përket, duke e nisur nga studio ku unë punoj deri tek ekipi që kemi formuar. Jam shumë me fat që punoj me djem ekstremisht të talentuar. Pa ta nuk do të isha dalluar.

Cilët janë djemtë me të cilët bashkëpunon?

Arnon, i cili kishte një sukses ndërkombëtar me këngën “Te Molla”. Killua, që po ashtu ka dy albume shumë të suksesshëm. Eugen Herri, i cili ka bërë muzikën e këngëve “Sytë” dhe “A ja thash”, dy nga këngët më të pëlqyera.

Punoni me artistë të rinj, kjo për ju është një burim të ardhurash apo një tjetër synim?

Patjetër e kam biznes muzikën sepse i përkushtohem asaj 100 % dhe sigurisht duhet të më sjellë edhe të ardhura. E dyta është se, edhe unë kam pasur një periudhë ku nuk dija ku të drejtohesha, në cilat studio. Nuk gjeja një vend ku të kuptohesha dhe të kërkoja diçka ndryshe nga çfarë ishte stereotipi i muzikës në Shqipëri. Në këtë aspekt e kam gjetur veten për të ndihmuar edhe artistët e rinj, por edhe ata të vjetrit që duan të bëjnë diçka ndryshe. Dikur bëja ‘demo’ që më vinin në anglisht dhe mendoja se nuk do të pëlqehej në shqip sepse ishte frymë e huaj. Sot e gjej veten duke e bërë këtë gjë, duke e përkthyer dhe duke pasur shumë sukses. Të njëjtën gjë e shoh edhe tek brezi tani dhe kam dashur që ata të gjejnë vendin që mua më ka munguar.

Në bio-n e Instagram-it tuaj shkruhet: “Muzika e mirë nuk ka vdekur”, çfarë e mban gjallë frymëzimin për të bërë muzikë të mirë?

Dashuria për të…! E kam të vështirë t’i përgjigjem sepse shpesh herë më ndodh të mendoj se jam vetëm, por nuk jam. Secili nga djemtë e studios e mban gjallë muzikën e mirë. Por nga ana tjetër, po të shohësh në tregun tonë ka artistë që vërtet kanë shumë cilësi në këngët e tyre, ndjenjë, emocion, mesazhe dhe muzikë të mirë. Ajo çfarë unë uroj është që këta artistë të shtohen dhe që muzikën e mirë ta përqafojë dhe ta mbajë gjallë publiku.

Për çfarë do ta duartrokisje ti Sardin me çfarë ka arritur deri sot? 

Të them të drejtën, që nuk kam hequr dorë. Për këtë e duartrokas Sardin me forcë sepse ka shumë momente që e ka pasur shumë të vështirë të vazhdojë. Gjatë këtyre momenteve kam marrë frymë thellë dhe i kam lënë kohë vetes për ta marrë vendimin.

Cili ka qenë momenti më i vështirë?

Janë momente kur ke shumë pyetje: nëse po bën gjënë e duhur apo jo. Janë ato momentet e dobësisë. Por përballja me publikun dhe dashuria që kam për ta, më ka kujtuar pse po e bëj këtë dhe kjo të jep forcë për të vazhduar.

Ti i këndon dashurisë në të gjitha projektet e tua, po si është Sardi i dashuruar?

Më frymëzon dashuria, por jo vetëm ajo romantike. Jam një person i dashuruar, me jetën, me muzikën, me miqësinë, me vetë dashurinë. Kur jam i dashuruar, nuk di të ndalem. Arsyeja pse i këndoj shumë dashurisë është edhe sepse kjo ecën më shumë. (Qesh)

A është dashuria në jetën tënde kaq e bukur sa në vargjet e tua? 

Nuk e di, në shumë vargje të mia dashuria nuk është e bukur, ose më saktë nuk është e thjeshtë, por kjo e bën të bukur. Nuk di të them, gjithçka çfarë shkruaj vjen nga frymëzimi i momentit, nuk jam aspak logjik, jam shumë emocional.

Cili është momenti më i çmendur në karrierën tënde?

Performanca në Festivalin e RTSH-së. Kisha shumë njerëz të afërt të cilët ishin shumë kritikë dhe nuk ishin dakord me zgjedhjen, por unë i besova intuitës. Ajo këngë më thërriste dhe pavarësisht se unë marr gjithmonë mendime nga njërëzit e ngushtë, këtë radhë nuk i dëgjova. Investova 5 mijë euro vetëm për performancën dhe pse më thonin që nuk ia vlen…

Çfarë bën Sardi kur nuk është i angazhuar me muzikë?

Pushoj, mundohem të udhëtoj, të ndërroj qytet…, por edhe këto momente pushimi i kam të lidhura me muzikën. Kur jam diku për t’u relaksuar, apo jam në udhëtim, mund të frymëzohem dhe nuk e humbas, ndalem e shkruaj.

Ke një pasion tjetër përveç muzikës?

Gatimi, është një nga pasionet që më ka mbetur. Më ndodh të gatuaj shpesh pasi edhe oraret kur kthehem nga studio janë shumë të vona dhe normalisht nuk është askush aty për ta bërë për mua.

Je zhgënjyer ndonjëherë nga muzika? 

Shumë herë. Përgjithësisht nga pritshmëritë që kam pasur. Ti krijon pritshmëri për një këngë, projekt apo periudhë të karrierës, dhe nuk del siç e ke pritur, zhgënjehesh. Ashtu siç mund të ketë ndodhur të surprizohem për mirë, t’i tejkaloj pritshmëritë…! E bukura në muzikë është se asgjë nuk e ke nën kontroll.

Një emër që do të falënderosh për karrierën tënde deri më tani?

Kur bëhet fjalë për një emër, më vijnë shumë në mendje…! Patjetër familja që është dhe ka qenë mbështetja ime më e madhe. Studio dhe bashkëpunëtorët janë një komponent shumë i fortë, por nëse do të them një emër që mbase sot jam këtu, është Mirela Sula. Ajo më ka shtyrë e para dhe më ka futur me këmbët në ujë, në oqeanin e muzikës.

Botuar në BORDO, Nëntor, 2022!

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article