KreuBusull

Intervistë ekskluzive/ Eduart Grishaj: Sofia, dashuri me shikim të parë…!

Nga Olsi Kolami 

Një produksion origjinal në gegnisht i cili zbërthen jo thjesht raportet mes dy të rinjve, por edhe të historisë mes dy kombeve, Shqipërisë dhe Greqisë

Këto ditë të fundit tetori janë tejet impenjative për regjisorin Eduart Grishaj. Filmi i fundit “Sofia” ka prenotuar kinematë në Evropë dhe SHBA, aty ku ky produksion i dyti për regjisorin, do të flasë shqip anekënd ku ka shqiptarë. Shitja e biletave thuajse ka mbaruar, ndërsa në Tiranë pritet të shfaqet ditët e para të nëntorit premiera e “Sofia”. Eduart Grishaj rrëfen për Bordo disa detaje rreth filmit që theu tabutë. Ai është regjisori i parë shqiptar i cili shkel për herë të parë në Serbi duke sjellë për shikuesit një histori të bukur e cila padyshim do të rrëmbejë gjithë vëmendjen e publikut.

Eduart si e zbuluat Sofinë tuaj mes rreshtash e rrëfimeve të At Zef Pëllumbit?

E kam zbuluar Sofinë pak vite më parë…! Duke lexuar njërin prej autorëve më të dashur për mua, të madhin At Zef Pëllumbin, “Rrno për me Tregue”, shfletova një histori të shkurtër. Më hyri menjëherë në zemër, ishte dashuri më shikim të parë. Në fund të tregimit me pak faqe vendosa pa pasur më të voglin dyshim, që këtë tregim ta ktheja në një skenar filmi, ky film që u realiza e do të ndiqet sot në të katërta anët e botës. Shkurt, “Sofia” u krijua pasi mes rreshtash lexova një histori të vërtetë, një rrëfim nga një ngjarje e vërtetë shkruar nga një mjeshtër si At Zef Pëllumbi.

Një histori e vërtetë, reale, gati e pamundur, u shkrua çdo gjë nga e para, si ishte të mblidhje këto grimca jetësore e t’i ktheje në një fiction?

Ka qenë e vështirë për mua që të ndërtoj skenarin e filmit. Ka qenë një punë e gjatë hulumtuese dhe kërkim i vazhdueshëm deri në nisjen e skriptit përfundimtar. E vërtetë, historia ishte shumë e bukur, por e ndarë në copëza të cilat duhet të bëheshin bashkë e të qepeshin artistikisht bukur. I gjithë skenari është një përmbledhje reale, ngjarje të vërteta historike me fqinjët e Shqipërisë. Në këtë skenar ndërthuret historia, dashuria dhe ku tregohen më së miri se çfarë ka ndodhur mes dy kombeve të ndarë nga lufta.

Besoj se është një arritje fakti që filmi flet gegnisht, pse kjo zgjedhje nga ana juaj si regjisor?

Jam shumë krenar që flas gegnisht dhe jam shumë krenar që edhe filmi flet gjuhën gegë. Është e bukur, e pasur, e ngrohtë e plot me shprehje e me jetë. Ky film është ndërtuar në gegë duke nisur që nga rrëfimi dhe tregimi i At Zefit, por filma të tjerë në të ardhmen mund të jenë në gjuhë standarde, përzier me gegë e toskë. Por e vërteta është që jam rritur në një familje ku është folur në dialektin gegë dhe është gjuha e vogëlisë time, gjuha që kam dëgjuar nënën të më fliste, të më përkundte e të më këndonte ninullat. Ndoshta prandaj jam edhe i dashuruar më tepër me këtë gjuhë. Mendoj se ka nevojë për promovim, sepse nuk duhet të humbasë, për mua është trashëgimi kulturore dhe kështu duhet trajtuar.

Aktorë të njohur si Tinka Kurti e Çun Lajçi, por edhe të rinj të talentuar, për një regjisor të bësh të gjithë bashkë, a është e vështirë?

Është e vështirë, të punosh me aktorë të mëdhenj, por edhe me aktorë më pak të njohur ose siç i quajmë të rinj. Secili artist ka ndjeshmërinë e tij dhe çdo profesionist pavarësisht përvojës apo talentit, ka dilemat, ka dëshirat, pasiguritë apo sugjerimet për të dalë mirë e për të qenë në nivelin e duhur. Jam krenar dhe tepër mirënjohës të gjithë kastit dhe gjithsecilit që ka qenë me mua pjesë e këtij projekti. Jam mirënjohës për kontributin e tyre dhe besimin që kanë pasur në projektin tim. Jam falënderues për emrat e mëdhenj të skenës shqiptare që u bashkuan për Sofinë dhe jam po ashtu falënderues për emrat e rinj, përkushtimin dhe profesionalizmin që kanë punuar me mua si regjisor. Janë njerëz të mëdhenj e më pas artistë edhe më të mëdhenj.

Xhirimet janë realizuar në Alpet Shqiptare, keni zgjedhur lokacionin ku kanë ndodhur ngjarjet, fakti që filmi ka dy kohë, a ishte e vështirë në aspektin regjisorial?

Filmi ka pasur lokacione veriun e Shqipërisë por edhe Tiranën, qendrën. Ka pasur vështirësi terreni sidomos për të lëvizur pajisjet. Alpet dhe terreni malor kërkojnë lëvizje me makinë por edhe me këmbë. Gjërat duhen menduar dhe realizuar ashtu siç janë vendosur në projekt dhe kështu secili profesionist llogarit punën e tij për të bërë maksimumin. Produksioni, aktorët dhe i gjithë ekipi i xhirimit ka pasur vështirësi për të lëvizur nga një vend në tjetrin. Përveç se kemi pasur një agjendë të ngjeshur xhirimesh dhe duhet të zbatonim me përpikmëri të gjitha vendet e xhirimit, skenat, grimi, kostumografia mos të mungonte asnjë gjë edhe pse në zona të thella. Shkurt, duhet të organizohesh e të punosh mirë, sepse nuk ke kohë të bësh gabime dhe të kthehesh mbrapa…

Sa e lezetshme tingëllon gjuha shqipe në gojën e një vajze serbe? – kjo frazë duket se shkriu shumë akujt mes dy kombeve, shumë e guximshme më duket?

Le të themi që kam pasur guxim për të ndërmarrë një iniciativë të tillë. Artisti duhet të guxojë. Sa bukur tingëllon gjuha shqipe nga buzët e një vajze serbe, një tekst i goditur, një batutë e guximshme mund ta quani si të doni, për mua ka shumë rëndësi. Ky film ngjason shumë me këtë batutë, është i guximshëm, përplas të vërteta, prandaj edhe duket bukur, prandaj dhe pëlqehet për vërtetësinë dhe sepse është autentik, mua kështu më duket…

Filmi ka udhëtuar në disa festivale, ku ka marrë edhe çmime, cili do të jetë udhëtimi i tij pastaj?

Modestisht e them, por filmi do të jepet pothuajse kudo, në të gjithë botën. Shqipëri, Kosovë, Britani, SHBA, Europë. Më pëlqen shumë kjo dhe kam punuar shumë që të arrija ta përcillja sa më larg në kilometra, po sa më afër Shqipërisë e kudo ku ka shqiptarë që flasin shqip edhe në emigrim. Besoj që do të shihet shumë sepse interesi ka qenë tepër i lartë edhe gjatë ditëve kur kemi bërë njoftimet për të prenotuar biletat, kur kemi dhënë oraret, ka një listë të gjatë shqiptarësh të interesuar edhe për këtë jam shumë i lumtur. Filmi ka marrë shumë çmime, presim të nderohet edhe me çmime të tjera, jam optimist dhe ashtu siç jam kërkues për Sofinë dhe çdo projekt që bëj, jam kërkues edhe për të shkuar larg. Uroj të kem fat, sepse puna dhe dashuria për filmin nuk më mungon.

Regjisor në televizion dhe kinema, si do t’i përcaktoje të dyja?

Regjisor në film dhe regjisor në televizion janë dy koncepte të ndryshme profesionalisht, por bashkohen te një pikë, pasioni dhe përkushtimi. Nëse punët bëhen me përkushtim dhe me dashuri edhe në film edhe në televizion gjërat do të ecin mirë. Por mendoj që televizioni është një film që ecën shpejt, që nuk ke kaq shumë kohë për të matur me preçizion minutat e filmit. Jam ndjerë mirë në të dy rolet. Secila ka shkëlqimin e vet. Në këtë rast jam si një familjar që nuk mund të bëjë dallime, nëse më pyet për fëmijët e mi, i dua të gjithë njësoj dhe punoj për të gjithë me të njëjtin pasion dhe devotshmëri.

Pas dy filmave, cilat janë projektet e radhës me filmin?

Për momentin jam i fokusuar te Sofia dhe dua t’i përkushtohem gjithçkaje kam marketuar për këtë film, premierës, takimeve, shfaqes së filmit në disa kinema. Pres çmime, komplimente, kritika, vërejtje dhe pres me padurim të bëj bilancet me veten time. Në fund uroj të kem bërë një punë të mirë dhe të pëlqehet. E di që do të ketë deklarata nga Shqipëria dhe Serbia, nuk dua të bëj parashikime, por uroj më të mirën.

Suksesi i Big Brother VIP, padyshim kishte dhe prekjen tuaj duke sjellë risi në konceptin regjisorial televiziv, si ishte për ju kjo eksperiencë?

Big brother, nuk di çfarë të them më parë. Di të them me siguri që për BIG Brother Vip 1 bien dakord të gjithë: ka thyer çdo pritshmëri, çdo rekord audience. Ato muaj kanë qenë si orë policore për Shqipërinë. Nuk e kemi vënë re shumë, sepse kemi qenë në punë, ka pasur shumë punë, kanë qenë 4 muaj ku jetonim edhe ne sikur të ishim banorë të shtëpisë, me hallet e tyre me lumturinë e tyre. Jemi bërë familjarët e tyre dhe nga ana tjetër mendoj që do të mbahet mend për shumë gjatë, do të shënohet në librat e teorisë së gazetarisë televizive si revolucion, por jo vetëm kaq, duhet të jemi krenar sepse kemi lënë një trashëgimi të madhe për logjistikën, krijimtarinë, për menaxhimin, për marketingun dhe përvojën njerëzore për televizionin shqiptar në tërësi dhe Top Channel veçanërisht. Nuk më takon të lavdërohem, por Big Brother ka qenë përtej një reality show dhe nëse doni t’ju zbuloj një të vërtetë, mua grupi i miqve të ngushtë që kemi punuar në këtë emision më kanë thënë se unë, Edi jam vëllai i madh…

Arbana autore dhe Eduarti regjisor, një raport kaq në sinkron, a është e lehtë për një çift të balancojë raportin personal me atë profesional?

Arbana autore dhe unë regjisor jemi bashkë në jetë dhe bashkë në skenë, e thënë kështu si një batutë e një teatri të vjetër “Shi në Plazh”. Arbana për mua, e unë për Arbanën jemi bashkëpunëtorë, biem dakord për shumë gjëra, por edhe nuk biem dakord hera – herës. Jemi të dy mbështetje për njëri – tjetrin, por shpesh edhe dy kritikët më të mëdhenj të njëri – tjetrit. Organizohemi shumë mirë sepse e njohim njëri – tjetrin, ja dimë punën secilit dhe në fund i ndajmë bashkë edhe përgjegjësitë edhe në punë edhe në jetë. Por Arbanën ju e njihni ajo bën çdo gjë: edhe prezanton, edhe krijon, edhe gatuan, është edhe një nënë e një grua e mrekullueshme. Ajo di t’i përqendrojë energjitë e saj në shumë fusha e t’i bëjë gjërat mirë sepse ka edhe pjekurinë edhe mençurinë për të qenë e gjithanshme.

Botuar në BORDO, Nëntor 2022!

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF