KreuBusull

Helidon Haliti: Buqeta e vjeshtës pranverore!

Zbuloni ciklin më të ri të piktorit i cili arrin të ridimensionojë një buqetë të zakontë lulesh në një ndjesi të papërsëritshme, thuajse të gjallë ngjyrash dhe emocionesh mes Pranverës dhe Vjeshtës

Më shumë se asnjëherë tjetër, studioja e Helidon Halitit, së fundmi shpërthen nga ngjyrat, të duket sikur përtej aromës së bojërave e ngjyrave, flegrat t’i përkëdhel ndjesia shpërthyese e buqetave me lule të vendosura në mure, kavaletë apo diku në një cep. Kudo ndjehet pranvera në këto ditë pak të brumta me nuancat e tokës. Në kapërcyell të Vjeshtës dhe Dimrit, piktori Helidon Haliti sapo prezantoi një cikël pikturash me titullin “Buqeta e Vjeshtës Pranverore”, ndaj mendon se janë pjesëza të mbledhura nga e shkuara e gjatë e udhëtimeve të tij flirtuese në zemër të natyrës, por në fakt është krejt ndryshe. Buqeta me nuanca të gjalla sikur dalin nga kanavaca të japin përshtypjen, sikur Helidoni ka arritur të mbledhë në çdo petal kolorin e stinës së ngrohtë, Pranverës. “Këtë cikël e kam filluar pranverën e kaluar dhe po e mbyll në vjeshtën që po kalojmë, të cilën e shijova duke e prekur nga afër para 1 javë në Korçë.

Pasi pikturova live në natyrë, u ktheva rishtaz në studio dhe po mbyll këtë cikël me furinë e nisjes pranverore dhe me pjekurinë e artë të vjeshtës së urtë…” – rrëfen për Bordo piktori Helidon Haliti, i cili na ka përfaqësuar denjësisht prej vitesh në galeritë më prestigjioze anë e kënd globit. I njohur për raportin e tij me natyrën, duke hyrë në mes të saj e duke “ngrirë” pastaj përmes penalash e ngjyrash gjithë atmosferën që ka parë përmes syve në telajo. “Frymëzimi vjen nga nevoja për ndryshim, pas një cikli të gjatë, ku gërshetohej ashpërsia e fabulave të hershme me brishtësinë e nudove, më duhej një shpërthim ngjyrash dhe një pranverë vjeshtore. E fillova vrullshëm për ta përfunduar urtësisht.”- shprehet Haliti.

Nga ngjyrat e forta si portokallia e pjekur, mavia elektrike e deri tek e arta e vjeshtës, tek ky cikël Helidoni nuk e fsheh që reflektohen mbresat e gjalla. “Nuk e fsheh që janë buqeta të cilat i shpiem shpesh babait, nënës, motrave apo miqve në ditëlindje apo festa adekuate. Janë një gëzim ngjyrash si për të ikur nga zhurma e rutinës mbytëse të krijuar rishtaz po nga ne…! Janë buqeta që më kanë “pozuar” live” – pohon mjeshtri i ngjyrave të gjalla mbi kanavacë.

Por ata që e njohin Helidonin e dinë që ai është nga ata artistë që nuk dorëzohet lehtë, sapo mbyll një cikël pikturash, në mendjen e tij nis e kristalizohet një tjetër, për të mos thënë që e ka formuasuar me të gjitha ndjesitë e tij artistike jo vetëm në mendje, por edhe në mënyrën sesi do të jetë koleksioni i radhës. “Tani po përgatis një cikël me dimensione të konsiderueshme të cilin nuk mund ta ndaj ende me publikun. Është një cikël të cilin doja ta kisha pronë timen, pasi jam i bindur që nuk do mund ta ndaj nga vetja, është një djalog përmes njollave dikromike, një zhvendosje e bukurisë, brishtësisë, butësisë dhe forcës, shpejtesisë dhe fluturimit…”

Por gjithmonë, ende pa ju tharë boja në duar Helidoni udhëton në evente ndërkombëtare dhe ai i radhës, është Festivali i Bullgarisë, ku siç tregon pritet të jetë live në demostrime dhe workshope si një vazhdimësi e freskisë së akuarelit të tij me studentët bullgarë. “Do të jetë një eksperiencë që mezi pres ta shijoj” – shprehet ai. Ndërkaq, për ata që e kanë parë Tiranën të transformuar vitet e fundit nuk mund të fshijnë lehtësisht nga sytë e tyre muralet që kanë zbukuruar fasadat e kryeqytetit, të vlerësuara gjithashtu me çmime ndërkombëtare. Helidoni është nismëtari, ai që e ktheu Tiranën në një galeri në natyrën urbane. “Mural fest është një super eksperiencë dhe një ëndërr e realizuar.

Kishte impakt social, kombëtar dhe ndërkombëtar, duke e shndërruar Tiranën në një muze të hapur. Do të dëshiroja ta zgjeroja në të gjithë Shqipërinë, pasi ne kemi shumë nevojë për ngjyrë dhe ngjarje, një ringjallje të qyteteve tona…” – thekson akuarelisti më i njohur shqiptar. Përgjatë vitit 2022, Haliti ka bërë 4 projekte shumë të mëdha dhe me shumë cilësi, duke e konsideruar vitin që po lëmë pas, si më të suksesshmin. Përpos suksesit, njëkohësisht do të donte që disa prej këtyre organizimeve t’i “braktiste”, pasi siç shprehet nevoja për të krijuar në studion e tij po e thërret më shumë së kurrë. “Do të doja të merresha me Helidonin dhe të mendoja më shumë për të dhe gjurmët që ai do të lërë me artin e tij. Do të dëshiroja të meditoja më shumë dhe të nxehesha më pak, pasi Helidoni artist është më i paqshëm se ai organizator, do të doja të rifitoja disa gjëra që humba tërë këto vite duke u marrë me organizime. Kam nevojë të ridimensionoj respektin tim ndaj artit dhe veprës që duhet të lë…” – përfundon Helidoni.

Botuar në BORDO, Dhjetor – Janar 2023

 

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF