KreuBordo Men

Ekskluzive/ Eni Tare rrëfen gjithçka ka ndodhur me të pas Big Brother!

Ekskluzive/ Eni Tare rrëfen gjithçka ka ndodhur me të pas Big

Nga Anita Aliaj

Fotografia: Arapaj

Edhe pse qëndrimi i tij në “Big Brother VIP” nuk zgjati shumë, ishte mjaftueshëm që gjithë publiku të afeksionohej me të, dhe me historinë e tij sa të trishtë aq edhe frymëzuese, për këdo që jeta e përballë me probleme jo fort të lehta, sidomos gjatë fëmijërisë. Eni Tare në një intervistë për “Bordo” rrëfen gjithçka ka ndodhur me të pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri apo edhe se si e priti i ati rrëfimin e tij të sinqertë. Veç të tjerash, Eni nuk nguroi të tregojë se dy muaj pasi finalizoi romancën me Katerinën në programin e dashurisë “Love Story” ata u ndanë, për shkak se angazhimi i tij në punë nuk e lejonte t’i përkushtohej asaj ashtu sikurse duhej.

Eni, si ka ndryshuar jeta juaj pas pjesëmarrjes në një ‘reality show’ si “Big Brother VIP”?                                        

Ka ndryshuar shumë. Kam arritur të depërtoj më tej në botën e televizionit dhe modelingut. Gjithashtu tashmë kam përkrahjen dhe dashurinë e çdo njeriu.                                                                                                                                    

Çfarë mendoni se nuk ju lejoi të jepnit ndoshta më të mirën tuaj?                                                                                 Pata një ngurtësim dhe emocione për shkak të kamerave dhe gjithashtu mendoja se nuk do t’më dëgjohej fjala nga banorët për shkak të tematikave të ndodhura para se të hyja unë në shtëpinë e “Big Brother VIP”.

Nëse do të ktheheshe pas çfarë do të kishe bërë ndryshe?

Do të isha përfshirë më shumë në biseda dhe debate, do t’i harroja kamerat dhe do të tregoja Enin e jetës së përditshme.

Rrëfimi për jetën tuaj të vështirë preku mbarë opinionin publik, e keni ndjerë ju mbështetjen e njerëzve pasi dolët? E prisnit?

Kam ndjerë një mbështetje të jashtëzakonshme nga publiku shqiptar kudo nëpër botë. E prisja sigurisht, por jo kaq shumë. I falënderoj nga zemra për gjithë dashurinë që kanë treguar ndaj meje.

Keni kontaktuar me babanë tuaj pas daljes nga shtëpia? Si e priti ai rrëfimin tuaj?

Po kam kontaktuar, ashtu siç bëj çdo ditë. Rrëfimin e priti mirë sepse tani çdo gjë është lënë pas krahëve dhe unë me tim atë kemi një marrëdhënie shumë të mirë.

Jeni fëmijë i vetëm, mendoni se gjërat do të ishin më të thjeshta nëse do të kishit një motër ose vëlla?

Sigurisht që do të ishin më të thjeshta. Të kesh në krahë një motër ose vëlla është mbështetje shumë e madhe për ecurinë e jetës.

Momenti më i bukur në jetën tuaj cili është?

Janë dy, ditëlindja e mamit sepse i bëj asaj dhuratën që dëshiron dhe gjithashtu pjesëmarrja në “Big Brother VIP”.

Cili prej banorëve të ka surprizuar pas daljes nga “Big Brother VIP”? Për mirë, dhe për keq (qesh)

Për mirë më kanë surprizuar të gjithë sepse me të gjithë banorët kam kaluar momente të bukura, për keq asnjë. Të gjithë kanë lojën e tyre dhe do ta luajnë ashtu siç ata duan qoftë e mirë apo e “keqe”.

Kush mendon se do ta fitojë “Big Brother VIP”? Dhe kë do të donit ju të triumfonte?

Mendoj që janë 2 pretendentë për ta fituar Luizi dhe Olta. Unë do të doja që ta fitonte Luizi.

A ishte pjesëmarrja në “Love Story” një trampolinë në rrugëtimin tuaj në televizion?

Pjesëmarrja në “Love Story” ishte një trampolinë për pjesëmarrjen time në BBV2, por s’duhet lënë pa përmendur dhe “lufta” që kam bërë për të qenë një model i suksesshëm, duke marr pjesë në sete të ndryshme fotografike dhe 2 videoklipe.

Rrugëtimi juaj në programin e dashurisë u finalizua me një fund të lumtur, çfarë ndodhi më pas? Pse përfundoi lidhja me Katerinën?

Programi i dashurisë u finalizua me një fund të lumtur, i cili zgjati vetëm 2 muaj pas përfundimit të programit për shkak të problematikave të përditshmërisë nga ana ime. Fakti që isha në punë pothuajse gjithë ditën, nuk arrita dot t’i përkushtohesha sa duhet Katerinës dhe për të anashkaluar këto problematika vendosëm me vullnet të plotë që të ndaheshim.

Keni kontakte me të? Mbetet Eni një mik i mirë pasi i ka dhënë fund romancës?

Nuk mund të them që jemi miq, por bisedojmë ndonjëherë në rrjetet sociale. Nuk ka inate apo hatërmbetje mes nesh.

Po modelingu, çfarë vendi zë në jetën e Enit?

Modelingu zë një vend të veçantë në jetën time. Është ëndrra ime e fëmijërisë, të cilën e bëra realitet dhe do të vazhdoj dita-ditës të bëj më të mirën.

Tri pikat tuaja më të forta cilat janë?

Respekti, buzëqeshja, dhe vullneti i fortë për të shkuar lart e më lart.

Ku e shihni veten pas 10 vitesh?

Si trajner personal, në modeling dhe në aktrim.

Keni një mesazh për të gjithë ata që ju deshën dhe ju vlerësuan për Enin që ju jeni?

Mesazhi për ata që më duan dhe më vlerësojnë është që i dua shumë të gjithë dhe i falënderoj nga zemra. Luftoni për ëndrrat tuaja njësoj siç po e bëj unë dhe do të vijë një ditë që do të shpërbleheni për djersën që keni derdhur për vite me radhë. NEVER GIVE UP PEOPLE. Ju dua!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF