KreuArt

Abigeila Voshtina: Rregulli ynë në TOB; pa asnjë Limit…!

Abigeila Voshtina: Rregulli ynë në TOB; pa asnjë Limit…!

Si këto ditë të fundit dhjetori, plot 10 vite më parë, me violinën në krah Abigeila Voshtina, do të linte agjendën koncertore dhe jetën artistike që kishte ndërtuar në Itali, për t’u kthyer në Tiranë. Si violinë e parë, ndoshta as që e kishte menduar se nga ai moment, jeta e saj do të ndryshonte kryekëput. Do të linte vendin si soliste, për t’u ngjitur në vendin e parë të drejtueses së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me një vizion të qartë: një teatër që i tregon të gjithëve, se ne nuk shkojmë drejt botës, por ne jemi bota. Deri tani gjithçka ja ka vlejtur: ajo ka ravijëzuar qartazi figurën e institucionit me peshë të katërfishtë: operën, baletin, orkestrën simfonike dhe ansamblin. Gjithçka u arrit jo vetëm duke ndjekur modelet më të mira, me të cilat u krijua si artiste në Itali, por edhe sepse Abigeila ka një slogan të qartë: të bëjë gjithçka, pa njohur asnjë limit…

Abigeila Voshtina: Rregulli ynë në TOB; pa asnjë Limit…!

Pyetja e parë ka lidhje me ju si violiniste: nga orkestra simfonike, tani në një pozicion drejtues, a ju mungon Abigeila si violina e parë?

Absolutisht po! Violina mbetet gjithmonë ishulli i marrëdhënies sime më intime me artin, dhe atje ku unë ndiej, në radhë të parë, gjithë procesin e punës, kaq të lodhshëm, kaq të mundimshëm dhe kaq me sadisfaksion në fund fare, domethënë atje ku unë bëhem njësh me artistët. Më mungon dhe më ndihmon në të njëjtin kohë, për të qenë këtu ku jam. Më ndihmon për t’u relaksuar, më ndihmon sepse çdo herë që kap violinën me dorë është një sfidë e re. Është një sfidë e re sepse studioj gjëra që ndoshta edhe i kam bërë më përpara, por që sot nuk kam më atë kohë për t’ia dedikuar violinës. Dhe në pak kohë duhet të nxjerr një rendiment, i cili mund të shkojë për shtat, mendësisë sime, e cila vjen duke u pjekur dhe duke kërkuar gjithmonë gjëra më shumë.

Në fund të vitit të gjithë bëjnë një bilanc, ju si drejtore e TKOB, si do ta përkufizonit vitin 2023?

Kur nisa këtë udhëtim, për mua nuk kishte asnjë lloj limiti. Ndiej që kjo mos pasje limiti, kjo ndjesi, përveç personalitetit, mendësisë sime, po shkon drejt frymës së të gjithë grupeve që janë pjesë e teatrit çdo ditë e më shumë. Rregulli jonë është: Asnjë limit! Ky ishte fillimi i 2023-shit dhe vijimi i tij do të jetë, nuk mund të thosha akoma më shumë, sepse akoma më shumë është e përkufizuar jo në sasi, por në cilësi. Cilësia në art nuk ka asnjëherë limite.

Kalendari 2023 pati nga shfaqjet premiere tek aktivitetet për fëmijët, sa efektiv ka qenë në krye të 365 ditëve, çfarë ndikimi ka patur?

Kemi një matës shumë të mirë, me koncertin e djeshëm. Ka qenë një koncert i cili nëse do të ktheja kokën 10 vjet më parë, jo se bëj bilance 10-vjeçare, por sepse unë kam ardhur në Shqipëri në dhjetorin e 2013-s, në fund të dhjetorit, ishte e pa mundur që publiku të mbante radhë për të parë një koncert simfoniko-vokal, siç është Simfonia nr. 9 e Beethoven-it, dhe spektakli që pashë dje, nuk ishte ai i skenës, por ishte ai i publikut që ndiqte, edhe kundër rregullave tona, me I-Pad, me telefon, momente të caktuara të Simfonisë 9, pra ajo që ne duhet t’i japim njerëzve, edukimi, krijimi i një shijeje estetike, që nuk është vetëm ajo që dëgjohet, fatkeqësisht shpeshherë në shumë radio apo televizione, e muzikës popullore, të konsumuar do të thosha. Se çdo gjë që përsëritet dhe përsëritet pa gusto, konsumohet. Çdo gjë që përsëritet, dhe përsëritet me një shije estetike, dhe me qëllim vetëm merr vlerë. Unë them që kalendari i 2023-shit, ka hyrë në të gjithë shtëpitë e Tiranës. Ajo që unë dua të arrij në 2024, është të arrij në të gjithë shtëpitë e Shqipërisë.

Abigeila Voshtina: Rregulli ynë në TOB; pa asnjë Limit…!

Rikthyet veprat shqiptare, krijime të lëna në harresë, cili ishte kriteri i zgjedhjes së tyre?

Zgjodha “Karnavalet” sepse është një operetë e cila brezi im e ka harruar, ashtu si shumë vepra të tjera. Nga diçka duhet të fillojmë. Fatkeqësisht fonoteka, partiturat, digjitalizimi, njohja e këtij repertori me botën, është një nga mungesat më të mëdha të investimit kulturor, që është bërë në këto 30 vite. Sot, përveç faktit që shumë pak kompozojnë, kemi edhe detyrimin që të heqim pluhurin e shumë artistëve që kjo gjeneratë nuk i njeh fare, nuk e dinin që kanë ekzistuar.

Pra, kremtimet e veprave duhet te jenë një nga pikat e forta, sfiduese për çdo drejtues. Them sfiduese sepse nuk ke asnjë lloj mundësie për të patur një video të saktë, një riprodhim audio të saktë, shumë herë nëpër partitura ka mungesa faqesh, ka mungesa notash të shkruara mirë sepse janë akoma të mbajtura me dorë. Pra është një punë shumë më e vështirë se sa të vësh Verdin apo Beethovenin, apo diçka tjetër me të cilën ti ke gjithmonë një udhërrëfyes, nëpërmjet YouTube, nëpërmjet shumë kanaleve të tjera të cilat sot riprodhojnë muzikë gjatë gjithë kohës. Dhe kjo duhet të jetë pika e fortë në të cilën, mendoj, jo vetëm në këtë 4-vjeçar, por edhe në vazhdim, Teatri i Operës sipas opinionit tim, duhet të fokusohet. Sepse duhet të nxjerri këtë prodhimtari, këtë produkt të vetin, jashtë kufijve të tij.

Artistë të njohura nga bota dhe shqiptarë me identitet artistik në skena famoze erdhën në TKOB, cili ka qenë për ju më emocionues, befasues?

Për mua një nga artistët që la mbresë, ka qenë Anna Piroci. Ka qenë një koncert jashtëzakonisht i bukur, një koncert me arie shumë të vështira, ka qenë një recital të cilin shumë pak këngëtarë marrin guximin ta bëjnë me 3 ndërhyrje orkestrale dhe gjithë pjesa tjetër mbahej nga kjo zonjë, e cila bën një repertor të një Verdi të pjekur, të një Verdi të rëndësishëm, të një Verdi i cili kërkon një vokal jo vetëm të madh, por edhe një teknikë jashtëzakonisht të mirë. Ka patur momente të tjera, në të cilat jam emocionuar, siç ka qenë “Rekuiem” i Verdit, siç ka qenë “Carmina Burana”, ku artistët tanë, kanë treguar një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Një tjetër moment emocionues që më tregoi se ne jemi bota, ne nuk shkojmë drejt botës, ka qenë edhe “Attila” se ka qenë një prodhim tërësisht i joni. “Samsoni e Dalila” i cili theu barrierat e një opere, që kishte vite që nuk prodhonte. Një, për faktin se kemi qenë pa teatër. Dy, për faktin se kur teatri u bë gati, ra Covidi. Tre, për faktin sepse kjo ka qenë mundësia përpara meje. Pra, janë shumë momente të cilat kanë mbushur shpirtin tim me krenari.

Ndryshe nga kolegët tuaj në botë, ju drejtoni një institucion që duhet të organizojë një agjendë për operën, baletin, orkestrën simfonike dhe ansamblin, një peshë e katërfishtë, si e balanconi atë?

Asnjëherë nuk ja dal vetëm. Kam njerëz shumë të aftë, në çdo sektor të Operës. Mendoj që atë që kam dhënë me Operën, mendimin, vendimin, vëmendjen, do ta shtoj edhe në dy sektorët e tjerë fuqishëm, siç është ansambli dhe baleti. Ky vit do të jetë viti i baletit. Nga përzgjedhja e drejtorit artistik, në ngritjen e cilësisë artistike të një baleti klasik, që është i domosdoshëm për një Teatër Kombëtar, sipas mendimit tim. Nuk është e thjeshtë, por mendoj që më një grup të mirë punë, mund të arrish gjithçka.

Çdo fundvit e lidh me Koncertin e Vjenës, a do të kemi edhe në një ngjarje të përmotshme?

Ngjarja e përmotshme që Teatri i Operës duhet të ketë është “Arrëthyesi”. Sepse është një përrallë, sepse është një parfum i Krishtlindjeve. Mund të jetë opera “La Boheme” sepse edhe ajo në aktin e saj të dytë, feston Krishtlindjen. Domethënë janë vepra të cilat autorët i kanë shkruar pikërisht për të ndezur këtë shpirt kaq të veçantë, siç e ka bora, i ftohti, gështenjat, familja, dhe këto janë veprat që simbolizojnë teatrot në të gjithë botën.

Nga cila anoni ju më tepër?

Personalisht, ëndërroj një ‘arrëthyes’ fantastik, i cili vjen me buxhet të jashtëzakonshme dhe me një trupë që i kalon përmasat e kësaj tonës, por, do të isha për “Arrëthyesin”, sepse mendoj që është vepra më klasike e cila sjell në skenë familjen, fëmijët, dhe festën.

Masterclass-et ishin një risi e shoqëruar dhe me debate, si e keni parashikuar në të ardhmen?

Gjithmonë kam menduar që teatri duhet të mësojë. Sepse teatri ka mësuar ndër breza dhe dekada. Ka qenë gjithmonë një ngjizje e atij gap-i që lë shkolla dhe ndërton skena nëpërmjet publikut. Asnjë profesion nuk mbaron me diplomën, të gjithë profesionet fillojnë me jetën e vërtetë. Aty secili nga ne gjen vetveten, kupton kapacitetin, rritet nëpërmjet asaj që shikon në sytë e publikut, por rritet edhe nëpërmjet asaj që dëgjon nga kolegët e tij në krah. Dhe këtë gjë mund ta bëjë vetëm akademia teatrale, e cila, do të ndërtojë në mënyrë sistematike një brez artistësh, të cilët do të jenë ata që do të vijojnë me një cilësi artistike dhe me një sens estetik, shumë afër asaj që punohet edhe nëpër teatrot e tjerë. Nuk është e thjeshtë sepse dua të parashtroj këtu, që çdo teatër që ka një akademi teatrale, ka një staf më vete për akademinë teatrale, i cili merret vetëm me këtë projekt. Dhe kjo për neve është një punë e dyfishtë, do të thosha një punë e katërfishtë, po është e domosdoshme, duke qenë që institucionet përveç Universitetit të Arteve, nuk kanë kapacitetin që ofron teatri i vetëm, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

A mund të zbuloni për lexuesit e “Bordo” diçka nga agjenda e vitit të ardhshëm?

Pika kulmor do të jetë Puccini. Pse Puccini? Sepse gjithë bota feston Puccinin, njeriun që arriti që nëpërmjet penës së tij, të japë emocionet humane më të forta në skenë. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me “Fondacionin Puccini” i cili është i vetmi institucion që mban këtë titull, dhe që qëndron disa metra larg shtëpisë së kompozitorit. Kështu që mendoj se publiku do të shijojë skena, kostume, zëra, që i përkasin kësaj literature.

E nisa me Abigeilën si artiste, doja ta mbyllja si grua e nënë, ku do t’i kaloni festat e fundvitit?

Për mua, nuk ka festë. Kam një koncert në Gjermani, i cili në pak ditë më impenjon me të vërtet shumë, duke qenë një nga orkestrat më të vjetra të Europës dhe një nga më të mirat, "Gewandhaus", në sallën “Mendelssohn” në koncertin e Mendelssohn-it. Burri dhe djali, Enea, do të shkojnë pranë familjes së tij në Boston, kështu që do të thosha që ky është një festim midis meje dhe violinës.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF