"Që unë të kuptoj, çfarë e bën botën // të ekzistojë." Shumë nxënëse dhe nxënës të gjimnazeve gjermane e njohin këtë motiv, me të cilin për të shtuar njohuritë e tij, mësonjësi me emrin Faust, vjen vërdallë nëpër botë në dramën me të njëjtin emër të Johan Volfgang von Gëtes, dhe në rrugën e tij nuk trembet as nga pakti me djallin, Mefisto. Megjithatë ka disa vite që njohja e tragjedisë me dy pjesë të Gëtes, nuk është aq e madhe. Nga njëri land në tjetrin, "Fausti” po largohet nga lista e teksteve të detyruesme për t'u lexuar në programet shkollore. Por tani ai na përshëndet nga bota e nëndheshme, duke u shfaqur në flori.
Ministria gjermane e financave ka nxjerrë një monedhë koleksionuese 100 euroshe, për të kujtuar në këtë dramë të rëndësishme dhe komplekse një njeri modern të humbur mes kishës, traditës, kotësisë, shkencës, kuriozitetit, thote DW. Monedha e skicuar nga artisti nga Redenbahu, Mihael Otto është e para në serinë me tetë pjesë të "Veprave të mëdha të letërsisë botërore”, që i dedikohen librave të famshëm të letërsisë gjermane. Nga viti 2023 deri në vitin 2030, çdo vit do të dalë një monedhë e re me temë nga letërsia.
"Faust"-i do të pasohet nga "Ibriku i thyer” i Hajnrih fon Klajstit, "Kujtime të një duarpreri”, të Jozef fon Eihendorfit, "Ahu i çifutit” të Anete fon Droste Hylsof, "Ky libër është i mbretit” nga Betina von Arnim, "Budenbroks” nga Tomas Man, "Një sixhade e vjetër tibetiane” nga Else Lasker Shyler dhe "Procesi” nga Franc Kafka.
Poeti, dramaturgu, romancieri, filozofi dhe burri i shtetit, Johan Voflgang fon Gëte, (1749-1832) është një nga kokat më të famshme të letërsisë gjermane. Veprat e tij, sidomos drama filozofike "Faust”, e kanë bërë atë të famshëm në gjithë botën. Drama është me dy pjesë dhe e mbushur me aludime nga feja, shkenca dhe politika.
Gëte punoi për këtë vepër 60 vjet me radhë. Ai shkroi një version të hershëm të tij që në vitet 1772 dhe 1775. Edhe "Fausti i parë” ka qenë objekt i kurseve të avancuara në gjimnazet gjermane. Manuskripti i këtij versioni ka humbur, por një kopje e tij është gjetur rreth 100 vjet më vonë.Një nga versionet e para të shtypura është shfaqur në vitin 1790 me titullin "Faust, një fragment”. Në vijimin e viteve, Gëte e pati rishkruar herë pas here, atë që sot njihet si "Fausti një”. Versioni i fundit publikuar nga vetë Gëte, është shtypur 1828/29. Vitet e fundit të jetës, Gëte i kaloi duke punuar për pjesën e dytë të veprës: "Fausti, tragjedia e pjesës së dytë”. Ky vazhdim u publikua për herë të parë më 1832, pak kohë pas vdekjes së tij. Ashtu siç e kishte lënë dhe ai në testament.
Figura kryesore në veprën e Gëtes është doktor Fausti, një mësonjës, që pas dështimit të një përpjekjeje për vetëvrasje, ia shiti shpirtin dreqit, Mefistos, në mënyrë që të fitonte njohuri të jashtëzakonshme. Përpjekjet e pamposhtura të Faustit për të marrë dije e çojnë në një lidhje dashurie me Margareten, shkurt Gretçën. Vepra është frymëzuar nga historia e personit real Johan Georg Faust: Alkimist gjerman i periudhës së renesansës, astrolog dhe magjibërës, ai denoncohet nga kisha sikur të ishte sharës i Zotit, sepse sipas saj, kishte bërë pakt me djallin.Pak dekada pas vdekjes së tij më 1541, u publikuan dy vepra që kishin të bënin me jetën e tij: "Historia e D. Kohan Fausten” e Johan Spies-it u dërgua për t'u shtypur më 1857, kurse "Historia tragjike e doktor Faustus-it” e Kristofer Marloves, u publikua dy vjet më vonë në gjuhën angleze.



















