
“Nëse dikush do të më thoshte 10 vjet më parë se do ta bëja këtë që kam bërë, unë do të kisha qeshur dhe do të kisha thënë: ‘Ti je i çmendur!'”, thotë Iris Apfel. Ikona e stilit ndërkombëtar, e cila feston sot 102-vjetorin e saj, është një besimtare e zjarrtë në fuqinë e qetësisë.
“Nuk kam plane: E bëj diçka dhe pikë. Nuk kam pasur kurrë një plan biznesi… Gjërat thjesht ndodhin dhe unë përpiqem të përfitoj prej tyre nëse mendoj se ia vlejnë. Nëse diçka vjen dhe më pëlqen, do ta bëj”.
Prandaj, rruga jashtëzakonisht e larmishme e karrierës e ka bërë atë kaq unike: Iris donte të bëhej shkrimtare në Women’s Wear Daily, përpara se të merrte një rol si asistente e dizajneres Elinor Johnson. Ajo u martua me Carl Apfel, dashurinë e jetës së saj, në vitin 1948, dhe dy vjet më vonë, ata themeluan së bashku një firmë tekstili, Old World Weavers. Puna e tyre, e cila përfshinte projekte restaurimi në Shtëpinë e Bardhë për nëntë presidentë të njëpasnjëshëm të SHBA, i bëri ata të udhëtonin kudo nëpër glob në kërkim të copave unike dhe të rralla – një përvojë të cilës Iris ia atribuon pjesërisht ndjenjën e stilit të saj të larmishëm. Edhe pse çifti e mbylli biznesin pas daljes në pension në vitin 1992, Iris nuk kishte ndërmend të qëndronte mbi dafina. Fama erdhi shumë më vonë: në vitin 2005, në moshën 84-vjeçare, ajo u bë subjekt i një ekspozite të madhe në Muzeun Metropolitan të Artit, duke e çimentuar pozicionin e saj në panteonin e modës.
Që atëherë, ajo ka bashkëpunuar me marka të njohura nga eBay te Etsy, madje dhe sot, ajo vazhdon të drejtojë projekte të shumta komerciale, duke përfshirë një koleksion ekskluziv për H&M. “Ky koleksion ka një stil lozonjar, por edhe magjepsës, ndaj gjendet në krye të botës së modës. Ka copa të bukura jacquard, qëndisma, fruda, printime të bukura dhe thekë që më argëtojnë kur rrotullohem, e padyshim kaq shumë tyl” – tregon ajo. Zgjedhja e saj në krye të këtij koleksioni është një nderim për lirinë e stilit të saj.
“Lumturia e vërtetë e modës vjen pikërisht nga zgjedhja e veshjes që dëshironi. Kur shikoni veten në pasqyrë dhe shihni veten, ju doni të shihni atë që doni të jeni. Mund të zgjedhësh të jesh i rafinuar, ose i çuditshëm, por mbi të gjitha origjinal!”- shprehet modelja më e moshuar në botë. E tillë ka qenë filozofia e Irisit në çdo fazë të jetës së saj. Kur e pyet sesi ndihet 100-vjeçare, e pranon se mbushja e një moshe shekullore e bën të ndihet paksa e frikësuar, por përpiqet të shprehet gjithmonë me humor, karakteristikë për ta relaksuar nga procesi i plakjes.
“Epo, nuk kam qenë kurrë 100 më parë dhe nuk e di sesi është, por po e provoj. Mendoj se është marrëzi që gratë të fshehin moshën e tyre dhe të thonë se janë vite më të reja. Kjo nuk ka kuptim për mua. Nëse Zoti është i mirë me ju dhe jua jep ato vite, atëherë duhet t’i festoni, jo të përpiqeni t’i fshihni”, argumenton ajo. Nuk e fsheh se ashtu si ndihet sot, është ndjerë edhe kur mbushi 99, 73 ose 22 vjeç, pra thjesht entuziaste për atë që bën.
Qasja e të qënit e gëzuar dhe plot optimizëm nuk është aspak e pakuptimtë për Irisin, sepse ajo beson se procesi i plakjes është kaq biologjik për këdo, sa nuk mund të shmanget, vetëm se këndvështrimi për jetën duhet të jetë më optimist. Kur u pyet për të përmendur arritjen e saj më të madhe, ajo thotë thjesht: “Jam shumë krenare që jam gjallë dhe jam në gjendje të bëj punë interesante dhe krijuese duke ndihmuar njerëzit.” A ka ndonjë gjë për të cilën është penduar, apo dëshiron që ta dinte më parë? “Asgjë!” përgjigjet ajo me vendosmëri. “Unë nuk jetoj as me të shkuarën, as me të ardhmen, pasi dua të jetoj të tashmen.” Kjo me sa duket, është koha e Iris Apfel…!



















