Nga Ilda Lumani
Yje mbi Butrint është një nga shfaqjet më të bukura, që një publik i zgjedhur pati fatin ta shijonte ‘live’ në amfiteatrin e Butrinit, aty ku shekuj pas shekujsh nga Enea, tek i biri i Hektorit kanë lënë shenjë personazhet dhe legjendat.
Një vend mitik dhe historik!
Një vend, ku aty mori tjetër kuptim edhe poezia e Timo Fllokos, të cilën e kisha lexuar, ndjekur në programet televizivë, apo në rrjet, por që në 8 korrik (2023) jehoi sikundër kurrë më parë.
Të zgjedhura me kujdes poezitë ishin një bisedë me jetën, të gjallët, të larguarit, botën e përtejme, tiparet dhe ndjesitë më sublime të njeriut, nga dashuria tek adhurimi, nga mëkati tek urrejtja… Vargje që ashtu të mbledhura tok, ishin si një thirrje për jetën dhe të vinin në mendime për shumëçka, por mbi të gjitha me raportin me fjalën dhe vetveten.
Poezia e Timos është më shumë se shpirtërore, ajo e kalon njerëzoren dhe ngjitet në “shkallët e parajsës”, mbërritja aty të shoqëron me të tjera dilema dhe të papritura…
Kush i dëgjoi poezitë; “Ekuinoks “V-ja afron dy skaje në infinit, kushtuar V”, – me të cilën u çel nata, e mandej “Atë e bir”, “Lejleku misterioz” , “Miqtë”, “Sytë”, “Hëna fatale”, “Trumcaku”, “Shkallë për qiell”, “Kërcim në Bosh”, “Bisedë me Ajnshtajnin”, etj., padyshim, që pati një bisedë me veten, një refklektim jo ekzistencial, por të qenies si shpirt që dashuron dhe lëndon, një reflektim, në një botë ku ndjenjat shperhen me ca kode të ftohtë; Tkxh, tdsh, tksh…
Por “kur braktis atë që do”, “ndihem bosh”, “për një çast më ndali zemra”, “të ndjej të huaj”, me fuqinë dhe vërtetësinë e tyre çarmatosin edhe shkëmbin më të fortë…
Të mbledhura bashkë vargje dhe këngë, himne dashurie dhe hite të pavdekshme Timo na bëri dhuratën më të mirë; me fjalën dhe interpretimin, dy armë të tij, të cilat nuk luftojnë më se kush është e para por janë dorëzuar dhe jetojnë në të njëjtin shtrat, duke na surprizuar me fuqinë e pamatë që kanë marrë dhe sot, kur Timo nuk është më aktori, por dhe poeti i jashtëzakonshëm, Fan Noli i ditëve tona.
***
Sa i përket spektaklit, aty nuk kisha dyshime që Vera do ta ngrinte vetveten në një shkallë superiore, sepse jo vetëm për shkak të eksperiencës, njohjes së thellë të gjithçkaje në këtë rast, mbledhjes së ajkës së artit, nga më të rinjtë tek figurat e gdhendura, nga më të kërkuarit sot në botë, tenori i jashtëzakonshëm tenori Saimir Pirgu, apo sopranos Nino Matchaize, e interpretimin live te Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit, tek përqafimi i çdo risie, nga trumpetimi në social tek mungesa e biletave dhe etjes së madhe për ta parë këtë show.
Por, Vera ndryshe nga ne që pretendojmë që dimë gjithçka, ka një armë të veten në punë, që pak e pranojmë; ajo dëgjon dhe pranon të renë, e përqafon dhe e ngre atë në skenë me një profesionalizëm të pashoq.
Nuk ndodhi gjatë spektaklit të kishte monotoninë më të vogël, minutin e tepërt, apo fjalën e gabuar, gjithçka konçize, dhe çdo moment i admirueshëm, deri në kulminacionin e mbrëmjes, poemën “Zogjtë”, interpretuar nga Linda dhe Timo Flloko, si një homazh për dualitetin që çdo njeri ka mes botës së madhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe botës së vogël, por ku zemra rreh fort, në atdhe!
Spektakli do të shfaqet për publikun e gjerë në ekranin e Tv Klan dhe audienca e gjerë do të mund të shijojë këtë magji, që ndodh një herë në jetë, veç në një natë verë kur yjet ranë mbi Butrint.