KreuArt

Intervistë ekskluzive/ Dritan Boriçi:

Intervistë ekskluzive/ Dritan Boriçi:

Më pëlqen të sfidohem

Zbritja e Orfeut në Ferr ishte një shfaqje e pazakontë. Aktorët, një kast i shkëlqyer, gjenden para meje, jo më si një mollë e ndaluar, por si zota të zbritur nga apogjeu i teatrit. Lëvizin në mënyrë të çrregullt, kërcasin kockat e tensionojnë muskujt si akrobatë, ndërsa gjestikulacionet transformohen si re të përhapura në qiell, duke ndryshuar formë në çdo çast. Dritan Boriçi, me një zë të thellë, është narratori i shfaqjes, një rol që nuk ekziston në pjesën origjinale, por që shërben si një busull në këtë teatër, ku lëvizjet kanë një peshë përtej çdo pritshmërie. Dritani interpreton fillimin e “Ferrit” të Dantes, një poezi të Cheslaw Milosh dhe një tjetër të Myftar Gjanës, të cilat siç shprehet aktori e përafrojnë historinë me realitetin shqiptar. Aktori rrëfen gjithashtu për shfaqjen e tij “Profesionisti”, projektet e ardhshme si dhe rolin e tij pedagogjik në Universitetin Europian të Tiranës.

“Profesionisti” ishte shfaqja e parë e 2023-it, e cila ju ktheu në Teatrin e Fierit, si ndodhi që zgjodhët këtë pjesë?

Gjithçka nisi nga një takim me profesorin tim të aktrimit në Akademinë e Arteve, Timo Fllokon. Në bisedën tonë, ai më dhuroi librin e përkthyer prej tij të komedive të Dushan Kovaçeviçit me dedikimin, “Dritanit për rolin në mundësi të Teodor Kraj”. Teodor Kraj është personazhi kryesor i komedisë së trishtë “Profesionisti”. Ishte një dëshirë që u kthye në një premtim pasi lexova pjesën. Më pëlqeu struktura e saj, ku narracioni ndërthuret me dialogun, më pëlqeu aktualiteti i subjektit me realitetin shqiptar. Më pëlqeu sfida aktoriale. Pas Ivanovit, ishte një rol i duhur për të ndryshuar.

Çfarë ndjesish të dhuroi skena e teatrit ku keni provuar emocionet e artistit, u kthyet aty pas 15 vitesh?

Unë jam rritur në atë teatër. U ngjita në skenën e tij fare i vogël. Aktorët e atij teatri ishin ata që më mësuan aktrimin. Njoh tërë ambientet e tij. I njoh emocionet e atij teatri. Është një teatër i mirë. Ka patur një trupë që rrallë e kanë patur qytetet të tjera. Trupë që ka prodhuar një aktrim realist, i cili është bashkëkohor dhe i gjithëkohshëm, teatër që ka patur shfaqjet e veta të mëdha, që kanë hyrë në historinë e teatrit shqiptar. Sot, trupa e tij është shumë e vogël, por ata njerëz bëjnë përpjekje të mëdha për ta mbajtur hapur derën e teatrit në atë qytet dhe për këtë meritojnë respekt dhe përkrahje.

Te “Profesionisti” ishit regjisor dhe aktor, si është të ndash këto dy role, pra të mos ndikojnë secilin prej tyre në proceset artistike?

Nuk është aq e vështirë sa ç’thuhet. Për t’u bërë një shfaqje e mirë, regjisori dhe aktori duhet të njëjtësohen në imazhin skenik. Duhet të flasin në të njëjtën gjuhë teatrore të dy. Sigurisht që kam vepruar kështu. Shembujt janë të shumtë, si në Shqipëri dhe në botë. Nuk theksohet shumë kjo pyetje, në rastet kur regjisorët janë edhe aktorë. Edhe pse interpretimet e tyre “çalojnë” shumë nga ato të aktorëve. Ndoshta sepse regjisori e ndërton imagjinatën e vet nëpërmjet aktorit. Ndërsa aktori e ndërton vetë imagjinatën e tij. Pas kaq vitesh karrierë, duke punuar me dhjetëra regjisorë nga më të mirët, kam arritur të përthith sekretet e regjisë. U jam shumë mirënjohës regjisorëve të mi.

“Profesionisti” pas Fierit, ku do të rishfaqet sërish, sepse shoh që për shumë shfaqje ora e tyre mbaron me rënien e perdes?

Ky është një problem i rëndë i gjithë sistemit teatror shqiptar. Pas kaq vitesh, ne nuk kemi arritur të prodhojmë një “zinxhir” qarkullimi të shfaqjeve. Ne nuk kemi arritur të krijojmë një treg normal dhe të natyrshëm për krijuesit e teatrit. Dhe këtu nuk e kam fjalën për teatrin e tallavasë që ndyn teatrot tona, duke prodhuar spektatorë defiçentë. E kam fjalën për teatrin e vlerave dhe profesionalizmit. Unë patjetër që do të bëj gjithçka që “Profesionisti” të mos ndalet këtu.

Së fundmi “Orfeu zbret në ferr”, një kast shumë i mirë, por jo fort i njohur si teknikë teatrale në Shqipëri, çfarë ju pëlqeu?

Mua më pëlqen të sfidohem. Dhe “Orfeu zbret në ferr” me mënyrën sesi u interpretua në skenë ishte një sfidë për trupën e Teatrit Kombëtar. Një teatër fizik për aktorin, ku regjisori i fton aktorët të çlirojnë lirinë krijuese nëpërmjet improvizimit. Interpretime të ngjashme kemi parë nga trupa shqipfolëse jashtë territorit të Shqipërisë zyrtare. Teatri Kombëtar dëshmoi se di dhe mundet ta realizojë shumë mirë edhe këtë mënyrë të të bërit teatër.

Unë e ndoqa, më pëlqeu ndarja e kohëve, elementet skenike, por kishte aq shumë lëvizje, sa historia dukej e zhdukej, duke nxjerrë historinë në plan të dytë?

Është një tendencë e teatrit bashkëkohor që teatri fillon nga dramaturgu, por nuk përfundon me atë. Pra, shfaqja teatrore nuk mund të jetë vetëm produkt i dramaturgut. Ai është vetëm një nga krijuesit e tij. Arrihet deri aty sa vepra e tij konsiderohet si një skicë fillestare e shfaqjes, e cila mund të transformohet nga krijuesit e tjerë teatrorë. Ka ndodhur me shumë autorë të mëdhenj botërorë. “Orfeu zbret në ferr” ishte një interpretim i veprës së Tennesse Williams, dhe jo vënie në skenë e saj.

Ju keni rolin e narratorit, por për një aktor si ju, që spikat për forcën e fjalës, ky lloj teatri, a ju cungon në shprehi, gjestikulacione?

Është një rol që nuk është në veprën e autorit. U krijua së bashku me regjisoren si një figurë që “thyen” murin midis spektatorit dhe aktorëve. Si një autor në skenë, i padukshëm për personazhet e tjerë. Unë interpretoj aty fillimin e “Ferrit” të Dantes, një poezi të Cheslaw Milosh dhe një poezi të Myftar Gjanës, të cilat e përafrojnë historinë me realitetin shqiptar. Sigurisht që do të preferoja një shfaqje si Ivanovi, por nuk i shmangem as formave të tilla teatrore. Një raport më i drejtë midis lëvizjes dhe fjalës, që do të ishte e duhura që të nxirrja më të mirën.

Këtë vit a do të jeni sërish në skenë me role të reja, po në film?

Sigurisht që gjatë vitit do të kem projekte të tjera, por për momentin duhet të përfundoj shfaqjet e diplomave të studentëve të mi në UET. Duhet edhe unë ta përcjell aktrimin tim, siç kanë bërë të tjerët me mua. Puna me studentët të mban gjithnjë në bashkëkohësinë e këtij profesioni.

Zëri juaj ka një timbër unik, një ngjyrë identifikuese, si është të përthyesh atë në rolet e dublimeve?

Po, kohë më parë kam qenë shumë i angazhuar në këtë degë të aktrimit. Tani shumë më pak. Kam qenë ndër pionierët e dublimeve në Shqipëri. Është punë e bukur. Kërkon teknikën e vet. Kërkon një shkallë të lartë përqendrimi. Nuk është punë e lehtë, por me përvojë arrin ta kuptosh “të fshehtën” dhe e shijon improvizimin e karaktereve. Sigurisht që ti vetëm nëpërmjet zërit komunikon me publikun dhe ai nuk duhet të zhgënjejë pritshmërinë që kanë shikuesit për karakterin.

Mu duk e pabesueshme, zëri i Dritanit ka dubluar mbi 750 role, si e përjetoni këtë lloj transformimi?

Janë edhe më shumë role, jam i bindur për këtë. Shumë shikues të mi, kur dëgjojnë zërin tim, kujtojnë se kam luajtur këtë apo atë personazh. Unë them po, por shpesh nuk i kujtoj. Është bukur, kur mendon se shumë fëmijë janë rritur me zërin tim dhe të kolegëve të mi.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF