KreuArt

Ekskluzive/ Iljard Shaba: Ju rrëfej magjinë e skenës së Sanremos dhe bashkëpunimin me Anna Oxën!

Ekskluzive/ Iljard Shaba: Ju rrëfej magjinë e skenës së

NgaAnita Aliaj

Violonçelisti i njohur Iljard Shaba ka mahnitur jo pak herë publikun shqiptar me tingujt magjik që prodhon me instrumentin e tij. Dhe këtë herë duket se radhën e kishte një publik më i gjerë, ai i festivalit më të rëndësishëm të muzikës italiane. Në mbrëmjen kushtuar dueteve në Sanremo, violonçelisti shqiptar u ngjit në skenën e “Ariston” për të performuar krah yllit të muzikës italiane Anna Oxa, duke bërë që sytë e gjithë shqiptarëve të ktheheshin ndaj tyre, me krenari dhe admirim. Emocionet ishin padyshim të jashtëzakonshme për Iljardin, por edhe për të gjithë ne.. Në një rrëfim për “Bordo”, Iljard Shaba zbulon se si erdhi ftesa për në “Sanremo”, bashkëpunimi me këngëtaren me origjinë shqiptare Anna Oxa, dhe se si shkoi gjithë kjo përvojë që ka për të mbetur gjatë në memorien e tij, si një gur i çmuar i karrierës së tij..

Mund të themi se “Sanremo” është ëndrra e çdokujt, si ndiheni ju që tashmë e keni prekur atë skenë dhe e keni bërë realitet atë ‘ëndërr’?

“Sanremo” është një skenë që ne e kemi parë që të vegjël me shumë kuriozitet e kënaqësi. Të them të drejtën kur më njoftuan për pjesëmarrjen time aty, në fillim isha skeptik, pastaj kur u konkretizua ndjeja më shumë përgjegjësi për të dalë sa më mirë.

E kishit menduar ndonjëherë që një ditë do të ishit në skenë krah Anna Oxës? Si erdhi ky bashkëpunim?

Jo të them të drejtën. Bashkëpunimi erdhi nëpërmjet Ardit Gjebresë. Ai më kishte propozuar tek Anna, duke parë që ajo donte të bashkëpunonte me një artist të veçantë. Arditi mendoi për mua dhe i tregoi disa video të miat. Anna Oxa i pëlqeu dhe kështu filluam të punonim bashkë.

A shkoi çdo gjë sipas pritshmërive? Si ishte të punoje me Anna Oxën?

Po, mendoj se po. Ose të paktën performanca u realizua sipas kërkesës së Annës. Ajo është një grua shumë e edukuar dhe komunikimi ynë shkoi shumë mirë, megjithëse për shumë kërkesa që kishte ndaj meje flisja me menaxheren e saj. Anna është një këngëtare shumë e talentuar dhe një emër që ka lënë gjurmë në muzikën italiane, dhe të luaje krah saj ishte një vlerësim për mua. Unë e shijova atë moment.

Mbresat që ju ka lënë “Sanremo” cilat janë?

“Sanremo” për mua ishte një eksperiencë e bukur dhe të them të drejtën kënaqësinë më të madhe po e ndjej tani, pasi mbarova “Sanremon”. Jam shumë i kënaqur që pashë nga afër atë skenë dhe kisha mundësinë të isha pranë artistëve të mëdhenj të muzikës italiane, të cilët më herët i kisha parë vetëm nëpërmjet ekranit.

Mund ta cilësoni këtë moment si kulmin e karrierës suaj?

Jo jo, ky është një nga momentet që unë e vlerësoj shumë dhe shpresoj të jetë një mundësi e mirë për të patur bashkëpunime të tjera në të ardhmen. Është shumë shpejt të themi që ky është kulmi i karrierës sime si artist, pasi kam projekte të tjera për të ardhmen.

Kush janë projektet tuaja? Mund t’i ndani me ne?

Kam projekte të shumta që shpresoj të bëhen konkrete shumë shpejt, por mirë është të flasim pasi t’i kem realizuar..

Tags:

Home Art

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF