
Fansave të Justin Bieber që presin me padurim data të reja për turneun e tij ndërkombëtar të shtyrë, iu është thënë se shfaqjet nuk do të vazhdojnë. Faqet e fansave kanë raportuar se pjesa e mbetur e datave të “Justice World Tour” të këngëtarit kanadez janë anuluar, dhe faqja e internetit e Bieber aktualisht nuk liston ndonjë datë.
Në faqen e internetit të kompanisë së biletave Ticketmaster, të gjitha koncertet në SHBA, Irlandë, Francë, Poloni, Australi, SHBA, Danimarkë dhe Republikën Çeke shfaqen gjithashtu si të anuluara. E njëjta gjë vlen edhe për shfaqjen e Bieber në Bangkok, Tajlandë, sipas organizatorit të ngjarjes Live Nation Tero.
Artisti dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë komentuar mbi anulimet apo nuk kanë dhënë një arsye. Fansat në Londër, ku Bieber ishte planifikuar fillimisht të performonte në shkurt, morën një email nga kompania e ngjarjeve AXS të martën ku thuhej: “Me keqardhje ju informojmë se shfaqjet e Justin Bieber të planifikuara për t’u zhvilluar në arenën O2 janë anuluar. Ne e kuptojmë se do të jeni të zhgënjyer dhe ju kërkojmë falje për çdo shqetësim që mund të shkaktojë kjo”.
Bieber fillimisht njoftoi se do të bënte një pushim nga performanca në qershor, një muaj pasi filloi turneu i tij, për shkak të sindromës Ramsay-Hunt, e cila i la fytyrën pjesërisht të paralizuar. Ylli i popit më pas rifilloi turneun në fund të korrikut.
Megjithatë, pasi shkoi në Evropë dhe performoi gjashtë shfaqje live, përsëri iu desh ta ndërpriste për shkak të shëndetit. “Unë do të jem mirë, por më duhet kohë për të pushuar dhe për t’u përmirësuar”, njoftoi këngëtari në një deklaratë të postuar në Tëitter në shtator.



















