KreuArt

Ekskluzive/ Reflektimet e aktores Klodjana Keco

Ekskluzive/ Reflektimet e aktores  Klodjana Keco

Aktorja me mbi 40 role në teatër dhe kinema na bën një tur në botën e saj si aktore, rolin e fundit, atë të Suzanës, emocionet e sheshxhirimeve të filmit të fundit dhe magjinë e dublimeve

Nga Olsi Kolami

Padashje e quajta aktore të re, më shumë duke ju referuar plejadës së aktorëve të para viteve 1990, por e vërteta është që Klodjana Keco është një aktore e talentuar, me mbi 40 role në teatër dhe kinema, pa harruar gamën e zërave që ka dubluar nga produksionet e famshme hollivudiane. Së fundmi, në rolin e Suzanës në shfaqjen “Valë”, aktorja rrëfen ndjesitë që përjetoi në skenë, nën petkun e një personazhi kaq kompleks, që shpërhap mesazhe të forta, të cilat siç shprehet Klodjana kanë patur efektin e tyre edhe te shikuesit, një pjesë e të cilëve i ka shkruar personalisht. Ky ndoshta është një ndikim frymëzues në raportin aktor – spektator, shpesh më emocionues së duartrokitjet e drejtpërdrejta në skenë. Aktorja rrëfen gjithashtu edhe eksperiencën e shkëlqyer si aktore dublimesh, një zhanër i bukur, edhe po aq i vështirë, që vetëm artistë me zë të kadiftë si Klodi kanë fatin ta kenë…!

Klodjana jeni ngjitur së fundmi në skenë me shfaqjen “Valë”, cilat janë përshtypjet që morët?

Përshtypjet ishin nga më të ndryshmet. Pati nga ata që thanë se nuk kuptuan asgjë, siç edhe nga ata që e përpinë, gjetën veten dhe realitetin në të cilin jetojmë. Shfaqja është goxha e fortë dhe është e natyrshme që disa njerëz ta përjashtojnë si reflektim, sepse tronditja do të ishte shumë e madhe. Pastaj, edhe specifikat estetike të teatrit të Enkes janë goxha të ndryshme nga ajo që zakonisht shohim në skenat tona. Ajo për të cilën isha e papërgatitur ishte reagimi i shumë zonjave të nderuara, të cilat më kanë shkruar në faqen time të Instagramit. Duket se ato e kanë gjetur veten te personazhi i Suzanës, karakteri të cilin luaj, janë prekur dhe më falënderonin për emocionet e forta. Gjej rastin t’i falënderoj për mesazhet, sepse janë si një duartrokitje e gjatë për aktorin. Faleminderit.

Kur Virginia Woolf shkroi “Valë” u kritikua për formën sesi personazhet, në vend që të tregojnë veprimet e jashtme, reflektojnë mendjen e tyre, po për ju si ishte?

Besoj se kjo ka qenë një sfidë për dramatizimin, që u realizua nga regjisori i shfaqjes, Enke Fezollari. Për aktorët pasja e një harte të qartë të mendimeve dhe ndjenjave të karakterit që duhet të mishërosh është gjysma e punës. Sigurisht, kjo mund të konsiderohet edhe thikë me dy presa, pasi të kondicionon në interpretimin. Personalisht më shtoi përgjegjësinë për t’i qëndruar besnike çdo ndjenje, besimi, zhgënjimi, apo qëllimi që Suzana kishte. Ishte si të më merrte vetë Suzana për dore dhe të më çonte në një tur brenda botës së saj.

Çdo situatë nis me monolog, përsiatje mendimesh e pastaj, hyni në copëza jetësore, a ju frikësojnë rolet psikologjike?

Përkundrazi, jam e tërhequr fatalisht ndaj kësaj përqasjeje aktrimi. Sot, madje do të guxoja të thosha se aktrimi po shkon drejt një ‘realizmi psikologjik’, duke qenë se i qëndron mjaft besnik botëkuptimit të personazhit dhe këndvështrimit të tij. Kam kohë që studimin e personazheve që interpretoj e shoh nën dritën e përkufizimeve psikologjike të Frojdit dhe Fromit, së paku, por edhe studimeve bashkëkohore mbi empatinë, narcizmin, makiavelianizmin etj..

Më vjen mirë që brezi i aktorëve të rinj, ka gjetur një vend në teatër, atë të Metropolit, a mjafton kjo skenë, apo keni nevojë për më shumë?

Unë nuk mendoj se i përkas më brezit të ri të aktorëve. Kam mbi 20 vite që aktroj dhe kam afro 40 – 50 role në skenë dhe në film. Për një aktor skena është arena, ku shfaqet puna, hulumtimi dhe shpirti i tij. Unë kam luajtur në Korçë, Vlorë, Durrës dhe në tri skena të teatrit në Tiranë: Metropol, TKEKS dhe TK. Dashuri të veçantë kam për skenën e Teatrit Kombëtar, që sot nuk e kemi më dhe uroj të rindërtohet të shpejti. Sa për Metropolin, ka qenë shtëpia ime e dytë, sepse kam vite, që në themelimin e tij që jam bashkudhëtare. Mendoj se politikat e këtij teatri, që nga themelimi i tij deri së fundi, nën drejtimin e Jonida Beqos, kanë qenë shumë përkrahëse e brezit të ri, si një trampolinë për udhëtimin e mëtejshëm artistik. Nga ana tjetër, besoj se është për t’u përgëzuar vazhdimësia e drejtores aktuale, znj. Armela Demaj, që guxon të gërshetojë brezat, e ku në të njëjtën skenë luan vetë ajo, kolegë të rinj dhe ikona të teatrit, si Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani etj.

Sapo keni mbyllur xhirimet e një filmi me Budinën, çfarë duhet të presim?

Mendoj se skenari i filmit “Pikë Uji” është një përqasje shumë e goditur e realitetit politik, ekonomik dhe atij social në Shqipëri, por edhe më gjerë. Kasti i aktorëve është brilant, me aktorë të niveleve ndërkombëtare, si: Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Mirela Naka dhe disa të tjerë, të cilët po i lë surprizë. Lexova një artikull para disa ditësh, ku një albanolog i huaj përllogariste se në botë ka 20 milionë shqiptarë. Nuk jemi komb dhe aq i vogël dhe regjisori Robert Budina, me bashkudhëtaren e tij Sabina Kodra, kanë guxuar të kërkojnë dhe kanë gjetur.

Teatër apo kinema, një pyetje klishe, por nëse do të hiqje dorë nga njëra, cilën do të zgjidhje, pse?

Do të zgjidhja filmin… nuk e di saktë se përse. Ndoshta sepse arrin të ndiqet nga më shumë njerëz, ndoshta sepse publiku i teatrit është pak i kufizuar, ndoshta sepse kinemaja shkon deri në realizëm psikologjik pa sforcime fizike, por thjesht me një shikim…, ndoshta sepse ka lehtësi teknike dhe ti mund ta ndjekësh një histori pa kufizime kohe, vendi apo veprimi.

Dublimet zënë një vend të rëndësishëm në karrierën tuaj, për shumë duket argëtuese, por unë mendoj se janë shumë të lodhshme. Ti si mendon?

Me kolegët e dublimeve bëj shaka dhe u them që nëse dikush më zgjon në orën 2:00 të mëngjesit, do të dubloja me lehtësinë më të madhe. Dublimi për mua ka qenë një talent i dhënë nga Zoti. Më ka ndihmuar ndoshta veshi muzikor, veshi për gjuhët e huaja, që i kap shpejt, për hir të së vërtetës dhe stofi i zërit. Të gjitha këto m’i dha paketë Krijuesi dhe unë nuk kam asnjë meritë në këtë. Kam qenë për disa vite edhe regjisore dublimesh dhe e vërteta është që ka aktorë të cilët nuk e kanë dhe kaq të lehtë dublimin; por ky nuk është rasti im. Jemi në fakt goxha aktorë të cilët kemi arritur të dublojmë në kohë reale, pa korrigjime dhe kthime për kontroll, pa harruar edhe nivelin e lartë të inxhinierëve të zërit në Shqipëri. Megjithatë, është për të ardhur keq që pagesat për këtë punë janë gati qesharake dhe shkurajuese për ata që dinë ta bëjnë mirë dhe me pasion. Personalisht, kam filluar ta minimizoj dublimin pasi, siç thotë populli: ‘nuk ia vlen barra qiranë’.

A keni ndonjë personazh të dashur nga dublimet tuaja?

Kam shumë personazhe të dashur. Manuela te telenovela e dytë “7 Gratë”, Semi te “Një histori hirusheje”, Flokëkuqja te “Brave”, Ana te Frozen, Hinata dhe shumë e shumë të tjerë…

A mund të na zbuloni për lexuesit projektet e ardhshme që ju presin?

Për momentin kam një skenar me metrazh të shkurtër, i cili ka marrë dy nominime ndërkombëtare në Festivale Filmi, por që nuk u përzgjodh nga Qendra Kinematografike Shqiptare. Do të vazhdoj me aplikimin për fonde, sepse realisht dua ta realizoj këtë film. Sa për role, jam në pritje propozimesh…

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF