KreuArt

Ekskluzive/ Adelina Muça: Dua të klith lirinë e gruas në këtë Shqipëri maskiliste!

Ekskluzive/ Adelina Muça: Dua të klith lirinë e gruas në

Nga Nada Biraçi

E veshur me emocionet dhe përjetimet e vrullshme e të ethshme të një kryevepre botërore, jetësuar në Teatrin Kombëtar, Adelina Muça nuk mund të ishte më e lumtur se kaq. Aktorja e njohur e ka ende nën gjuhë shijen që i la shfaqja më e fundit “Orfeu zbret në ferr”, për të cilën në këtë rrëfim për “Bordo”, shprehet se ka qenë ndër më sfidueset.

Përgjatë gjithë muajit prill ‘jetësuat’ në Teatrin Kombëtar shfaqjen ‘Orfeu zbret në ferr’. Me ç’ndjesi u ndatë nga kjo vepër botërore?

Do të doja ta nisja me fjalën sfidë. Ishte vërtetë një sfidë aktoriale për të gjithë aktorët pjesë e kësaj shfaqjeje! Që nga dita e parë e provave e deri sot që flasim secili prej nesh ka dhënë energjinë maksimale qoftë interpretative, shpirtërore dhe fizike. Pata fatin të kem një rol tepër domethënës dhe shumë të veçantë. Jam e lumtur që bashkë me regjisoren arrita të sjell një Vee (emri i personazhit), ashtu siç e donim të dyja, një Kasandër shqiptare që udhëton në tri dekada. Një Kasandër që  paralajmëron njerëzimin për atë që do të ndodhë dhe e drejton atë në rrugën e besimit te Zoti. Jam e lumtur që ky rol më bëri të derdh në skenë, jo vetëm ndjesitë e personazhit tim, por edhe të personazheve të tjerë dhe që përveç fjalës, këngës dhe fizikut arrita t’i jap jetë edhe pikturës së gjithë shfaqjes, atë që Nastazja e kishte një nga qëllimet kryesore në këtë produksion. Dua të shtoj se jam shumë e lumtur që jam përzgjedhur të jem pjesë e këtij produksioni madhështor të Teatrit Kombëtar me kolegë, si, Olta Daku, Ema Andrea, Lulzim Zeqja, Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Genti Deçka, Igli Zarka, Neritan Liçaj. Shfaqja nuk do të ishte e plotësuar pa punën e mrekullueshme të skenografes Ledia Hajdari dhe muzikën e realizuar nga Rona Kastrioti.

Keni punuar me një regjisore të huaj, Nastazja Domaradzka. Si ishte kjo eksperiencë? Ç’ndryshime vutë re ju në punën me një regjisore të huaj? Po ajo çfarë komentesh bëri për këtë bashkëpunim?

Për mua nuk është hera e parë që punoj me regjisore të huaj dhe në stilin e Grotowsky. Për dy vite me radhë kam punuar në këtë frymë në Itali me regjisorin Fabio Zoledi, që ishte dhe student i Grotowsky. Mbase Nastazja gjatë audicionit e ka vlerësuar këtë eksperiencë dhe më përzgjodhi të bashkëpunonim. Për mua ishte më e lehtë se për disa nga aktorët që s’e kishin provuar këtë frymë teatrore. Por, puna intensive dhe dëshira për të bërë më të mirën solli një punë të mrekullueshme nga i gjithë stafi i aktorëve të Teatrit Kombëtar. Kjo lloj fryme teatrore do një përgatitje fizike shumë të mirë, sepse ajo çfarë nuk thuhet me fjalë thuhet me gjuhën e trupit, e kjo s’është aspak e lehtë. Do një përgatitje vokale të jashtëzakonshme dhe duhet të jesh ‘non stop’ në lëvizje për rreth dy orë. Nastazja kërkonte çdo ditë krijime të reja nga ne, sepse ajo e mendonte shfaqjen si të përbashkët, pra regjisori dhe aktori ndërtojnë shfaqjen bashkë, ndërsa në teatrin tonë regjisori është më diktues e vendimmarrës. Fjalët e saj të fundit para se të largohej ishin: faleminderit me shpirt sepse pa ju dhe pa talentin punën tuaj unë sot nuk do të kisha një ndër shfaqjet më të mira të karrierës sime. Të punoje me Nastazjan ishte si të punoje me një mikeshën tënde për një qëllim të përbashkët. Dhe ajo që kam vlerësuar shumë tek ajo ishte liria që i jepte aktorit në krijimtari dhe pozitiviteti që falte çdo ditë.

A ekziston dashuria në një vend ku ka dhimbje? Është kjo një pyetje që shtrohet në ‘Orfeu zbret në Ferr’. Si është qasja juaj ndaj kësaj pyetje?

Dashuria ekziston edhe në një vend ku ka dhimbje, por për të triumfuar varet nga forca e secilit prej nesh, e rrethanave dhe gjithçkaje që mbizotëron. Ajo për të cilën ne luftojmë e gjithë njerëzimi lufton është që dashuria të triumfojë mbi dhunën, krimin, shtypjen, injorancën, interesin e vogëlsinë. Është dashura ajo që na bën të ecim përpara, të kemi shpresa, të luftojmë e të përballojmë çdo pengesë që na del në rrugëtimin tonë. Pa dashuri s’do kishte shpresë dhe ëndrra, e pa këto të dyja s’do kishte të ardhme e zhvillim.

Në qendër të kësaj vepre qëndron përpjekja për të jetuar me guxim dhe ndershmëri në një botë të rënë…I ngjan realitetit…

Është një vepër që jo më kot regjisorja e ka quajtur një vepër në tri akte apo më mirë në tri dekada. I ngjan çdo periudhë qoftë komunizmit, qoftë demokracisë, e qoftë ditëve të sotme që ne po jetojmë. Jam e bindur që tek e gjithë vepra njerëzit do të gjejnë veten, ashtu sikundër edhe te të gjithë personazhet. Një grua e blerë nga i shoqi, e cila jeton në një kafaz pa dashuri, duke zgjedhur mirëqenien dhe jo shpirtin e lirinë. Një hap kundra kësaj zgjedhje i kushton vetë jetën. Një tjetër që kërkon pak dashuri e liri, që mbron të drejtat e atyre që gjykohen apo janë ndryshe nga turma dhe damkoset me epitetin ‘e përdalë’, një tjetër që e gjen zgjidhjen e qetësimit shpirtëror te Zoti nga pamundësia për të luftuar realitetin sepse është e bindur që gjithçka përsëritet vetëm emrat e njerëzve ndryshojnë. Një djalë i sinqertë që do të largohet nga padrejtësitë, nga llumi i shoqërisë që zgjedh dashurinë dhe vritet prej saj etj. etj.. Është vepër që do t’i rezistojë të gjitha dekadave, pavarësisht luftës sonë për më shumë liri e dashuri.

Adelina, si është procesi i punës kur ju pranoni një rol? Si bashkëjetoni me karakterin që do të mëshironi?

Prej thuajse 17 vitesh në skenë dhe film nuk kanë qenë të pakta rolet dhe regjisorët me të cilët kam punuar. Numëroj rreth 40 role, të cilët jam munduar të mos kenë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin. Mënyra sesi unë e konsideroj procesin e punës me rolin, është njësoj siç punoj për të njohur veten. Dhe të them të drejtën aktrimi më ka ndihmuar shumë të njoh Adelinën në dimensione që mbase një profesion tjetër nuk do ta bënte të mundur. Personalisht më pëlqen shumë e dua qenien njerëzore dhe e dashuroj procesin e zbërthimit të karakterit. Duke qenë se kam mbaruar për regji, më ndihmon edhe më shumë në zbërthim dhe analizë. Si fillim njihem me veprën, autorin dhe rrethanat e të dhënat e personazhit tim. Vendos veten në rrethanat e tij dhe nis e zbuloj sesi unë do të kisha vepruar e se si personazhi vepron dhe pse vepron në atë mënyrë. Pra, mundohem me pak fjalë të gjej të përbashkëtat ose t’i bashkangjitem jetës së tij. Çdo personazh i hedhur në letër, bazën e ka nga një qenie reale njerëzore nga ku autori është frymëzuar, ndaj unë përpiqem pikërisht të psikologjis natyrën njerëzore për t’i dhënë jetë më pas me fizikun, zërin, ndjesitë e mia që zbuloj çdo ditë gjatë punës me të, duke patur si bazë edhe kërkesat e regjisorit.

Me siguri ju është dashur ndonjëherë të interpretoni një personazh që është në kundërshtim me vlerat dhe moralin tuaj. Në kësi rastesh, do të thotë që juve do t’ju duhet të punoni më shumë me rolin?

(Qesh) më pëlqeu shumë kjo pyetje e do të tregohem e sinqertë deri në fund! Kjo është e bukura e këtij profesioni. Ti mund të provosh edhe atë që s’je, pa dëmtuar askënd e pa ulur vlerat dhe edukatën. Kam patur role që në karakter nuk kanë qenë ‘Adelina’, por që e kam adhuruar procesin pasi kam zbuluar karaktere, vlera ose antivlera, dhe norma që s’më përkasin dhe jam munduar t’i kuptoj e t’i justifikoj. Këto role më kanë ndihmuar të kuptoj e njoh botën e atyre që kanë zgjedhur një rrugë jo si e imja. Dhe në jetën reale kjo është ndihmë. Në rol kam puthur një grua, kam dalë ‘topless’ në skenë para shumë njerëzve, kam bërë seks me një të panjohur në shtëpinë e bashkëshortit, kam provuar të jem prostitutë, të tradhtoj apo fus në kurth njerëz që kam pretenduar se i doja, kam parë vrasje e nuk kam folur, më kanë përdhunuar, më kanë burgosur nga xhelozia, etj. etj.. Role të tilla vërtetë që më kanë marrë më shumë kohë, duke u nisur nga natyra e karakterit të personazhit, por edhe nga veprimet apo fjalët që më janë dashur të bëj e përdor…, por ia kam dalë, duke u argëtuar me kuriozitetin e një fëmije në zbulimin e asaj që nuk jam.

A ka Adelina një rol ëndrrash?

Kam, edhe pse fatkeqësisht dramaturgjia shqiptare e botërore është shumë maskiliste. Figurat femërore heroina janë të pakta. Duke qenë pak natyrë romantike jam e dashuruar me dy personazhe që ngjajnë me njëra-tjetrën. Hedda Gabler nga Henrik Ibsen dhe Anna Karenina nga Lev Tolstoi, të ngjashme dhe me fatalitet të njëjtë. I bashkon klithja e femrës për liri, dashuri, të drejtën për të jetuar dhe vepruar në një botë maskiliste, ku morali i shoqërisë, thashethemnaja e turmës triumfon duke i çuar në një fund tragjik. Nëse do t’më jepej rasti do të isha e lumtur ta klithja dhe unë në skenë pozitën, lirinë dhe të drejtën e gruas në këtë Shqipëri maskiliste.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF