Kaq shumë reagime negative mori traileri i filmit dokumentar të Netflix-it kushtuar mbretëreshes legjendare egjiptjane Kleopatra, sa platforma gjigande u detyrua të bllokonte komentet. Reagimet shpërthyen në mbarë botën, por sidomos në Egjipt ku ndaj dokumentarit ngritën zërin edhe autoritetet vendase. Arsyeja është aktorja e përzgjedhur për të intepretuar Kleopatrën: Ajo është me ngjyrë.
Por në të vërtetë, mbretëresha e famshme nuk ishte aspak afrikane. Kleopatra lindi në qytetin egjiptjan të Aleksandrisë në vitin 69 para Krishtit dhe ishte mbretëresha e fundit e dinastisë greqisht folëse të themeluar atje nga gjenerali i famshëm i Aleksandrit të Madhe, Ptolemeu. Ajo u ngjit në fron pas të atit, Ptolemeut të XII në vitin 51 BC dhe sundoi deri në vdekjen e saj në 30 BC. Nga ai moment, Egjipti kaloi nën dominimin romak.
Një jurist egjiptjan ka ngritur padi me pretendimin se filmi shkel legjislacionin e medias dhe synon të “fshijë identitetin egjiptjan”. Edhe arkeologë me emër insistojnë se Kleopatra kishte ngjyrë të celët lëkure, e nuk ishte zezake.
Jada Pinkett Smith, e cila është producente ekzekutive dhe narratore e dokumentarit është shprehur se “nuk dëgjojmë shumë histori për mbretëresha zezake, ndaj dhe ishte shumë e rëndësishme për mua dhe vajzën time e shumë të tjerë që të kemi histori të tilla”. Një deklaratë e tillë ishte akoma edhe më inkriminuese për aktoren, që u akuzua për shtrembërim të historisë dhe përpjekje për të vjedhur identitetin e një personazhi të njohur.