
Nga Nada Biraçi
Sapo futesh në galerinë e vogël ku Ambla mban pikturat e saj, si ornament mirëseardhje janë 3 punime, për të cilat artistja e vogël shprehet se e simbolizojnë. Ka vetëm pak minuta që ka mbërritur në galeri, ndërsa në dysheme mbi një shtroje qëndron e shtrirë një pikturë e nisur pak ditë më parë, e vetëm pak centimetra më tej, të hedhura aty-këtu janë një palë shapka spërkatur me bojë, të cilat artistja i mban gjatë punës. E shoqëron mami Nora, për të cilën nga biseda me Amblën kuptuam se është edhe mbështetësja e saj më e madhe. Mami është ajo që e mbush çdo ditë me besimin dhe guximin që do t’i nevojitet, ndërsa hyn në botën e artit. Ndërsa babi Blendi, duket se merret me pjesën menaxheriale, për të cilën Ambla nuk tregohet aspak e interesuar.
“Po kam shitur, por nuk e di sa lek, sepse me këtë pjesë merret babi. Kur është shitur piktura e parë, mami dhe babi si shpërblim më dhanë leje që të merrja një telefon”, tregon e ngazëllyer artistja e vogël me sytë e vegjël që qeshin nën syzet optike, kur e pyes nëse ka shitur ndonjë pikturë.
Për pak ditë mbush 11 vjeçe, e ndonëse me çiltërsi pranon se ende nuk e di se çfarë destinacioni do të ketë e ardhmja e saj si artiste, telajot e mëdha vendosur në mur flasin shumë. Fëmijë që pikturojnë ka shumë, madje Ambla përmend shokun e klasës Ahmedin, të cilit ja pëlqen shumë vizatimet dhe portretet që bën, por artin abstrakt rrallë fëmijë zgjedhin ta lëvrojnë. Udhëtimi krijues për piktoren e vogël ka nisur herët dhe Ambla kujton ka qenë diku te mosha 4-5 vjeçe kur nisi të tërhiqej nga abstraksioni, ndërsa në psikikën e saj prej fëmije, një pikturë perfekte nuk i tërhiqte vëmendje.
“Që fëmijë më tërhiqnin shumë ngjyrat dhe miksimi i tyre. Merrja bojëra dhe kur i hidhja në telajo emocionohesha shumë kur piktura niste të merrte formë”, bisedon fare natyrshëm artistja me “Bordo”.
Krijimi i parë i saj sot qëndron krenare në murin e shtëpisë së nënës, ndërsa në banesën e familjes Klosi tashmë çdo mur është veshur me pikturat e artistes së shtëpisë.
Çfarë ndjesie ke kur sheh pikturat e tua të vendosura diku?,- e pyes ndërsa më ka zgjuar kërshërinë një telajo me nuanca të errëta e aty-këtu ndonjë hije e gjelbër.
“Është një ndjesi që e kam pak të vështirë ta përshkruaj, nuk e besoj dot që ato piktura janë të miat. Shoqet e mia të ngushta kanë punimet e mia në dhomat e tyre dhe ndjej emocione të çuditshme sa herë shkoj atje”.
E mban mend kur e ke realizuar këtë pikturë,- i them pa e hequr vështrimin nga muri, ndërsa Ambla u mendua pak çaste dhe u çua vrik pranë meje.
“Hmm, nuk kam qenë shumë e gëzuar kur e kam krijuar atë pikturë dhe prandaj edhe mbizotëron ngjyra e zezë dhe lejla e errët aty. Mbaj mend që isha mërzitur pak në shkollë dhe ndjesitë i hodha të gjitha aty” .
Arti i paskematizuar i Amblës është vërtetë mbresëlënës, ndonëse me çiltërsi ajo rrëfen se ende nuk e ka kuptuar faktin se është piktore, e po ashtu e ka të vështirë të legjitimojë në psikikën e saj interesin që vizitorët dhe artistët e mëdhenj të artit pamor shfaqin kur shohin punimet e saj. Jehona e pikturave të artistes 11-vjeçare ka shkuar deri në Londër, ku një prej restoranteve të njohur atje ka shfaqur interes për të patur punimet e Amblës…



















