KreuArt

6 sugjerime librash të rinj!

6 sugjerime librash të rinj!

Numri dy

David Foenkinos/Çmimi: 1200 lekë

Në 1999 u zhvillua audicioni për gjetjen e aktorit që do të luante rolin e Harry Potterit, rol që do ta shndërronte djaloshin fitues në njeriun më të famshëm në botë. Qindra kandidatë morën pjesë në audicion, por në fund mbetën vetëm dy. Ky roman tregon historinë e djalit që nuk u zgjodh. Martin Hilli, një djalë 10-vjeçar, me një jetë të zakonshme. Aq sa mund ta lejojnë kushtet ku jeton pas divorcit të prindërve. Teksa ndjek të atin në një sheshxhirimi, Martini bie në sy të një producenti që po zhvillon sagën e Harry Potterit …

Të pandarat

Simone de Beauvoir/Çmimi: 900 lekë

Të pandarat është një roman i shkurtër autobiografik që ndjek me emocion miqësinë pasionante midis Simone de Beauvoirit (Silvia) dhe Zazës (Andre), që nga takimi i tyre në shkollë, në mes të Luftës së Parë Botërore, deri në vdekjen e Zazës në 1929. Silvia, nga këndvështrimi i së cilës rrëfehet ngjarja, joshet menjëherë nga Zaza, vajzë inteligjente dhe rebele: të dyja do të bëhen të pandashme, pavarësisht prej armiqësisë së familjes së Andresë, pjesë e një dinastie të madhe katolikësh militantë.

Trashëgimia e Vilës së Pëlhurave

Anne Jacobs/Çmimi: 1500 lekë

Augsburg, 1923. Pas Luftës, banorët e Vilës së Pëlhurave e shohin të ardhmen me optimizëm, sidomos kur i zoti i shtëpisë, Paul Melceri, kthehet nga Rusia dhe përqafon Marijen e tij të adhurueshme. Tashmë ka ardhur çasti që ai të marrë në dorë frerët e fabrikës së pëlhurave. Kthimi në jetën familjare nis ta mbysë Marijen dhe Pauli, vendos t’i realizojë një ëndërr: t’i hapë një atelie mode. Kur punët fillojnë ta mbajnë larg shtëpisë dhe fëmijëve, Pauli vendos t’i japë një ultimatum Marijes, me pasoja krejt të papritura.

Kumbari

Mario Puzo/Çmimi: 1200 lekë

Tiran, shantazhues, gjobëvënës, vrasës. Ndikimi i tij depërton në të gjitha shkallët e shoqërisë amerikane. Njihuni me Don Korleonen, një njeri miqësor, i drejtë, i arsyeshëm. Bosi më gjakatar i Cosa Nostra-s, Kumbari. Një rrëfenjë intime e familjes Korleone, e cila është njëkohësisht e lidhur, dhe e bërë copash, nga pozicioni unik që mban në zemër të Mafies Amerikane. Pesëdhjetë vjet pasi u botua për herë të parë, ky roman vijon të tronditë me njohuritë e thella mbi politikën e biznesin dhe urën lidhëse mes të dyjave, krimin.

Pengu im

Colleen Hoover/Çmimi: 1200 lekë

Morgan ka vendosur të mos e lejojë të bijën të bëjë gabimet që ajo vetë ka bërë në rini, duke u martuar shumë herët dhe duke i prerë në mes ëndrrat e saj. As Klara nuk e do këtë. Nëna e saj aq e parashikueshme nuk ka asnjë grimë spontaniteti në jetë. Me karaktere dhe qëllime të ndryshme, Morgani dhe Klara duket se me zor bashkëjetojnë në të njëjtën shtëpi. Njeriu i vetëm që sjell paqe në familje është Krisi, bashkëshorti i Morganit dhe babai i Klarës, por paqes së tyre i vjen fundi kur ai përfshihet në një aksident tragjik…

Një kufomë në bibliotekë

Agatha Christie/Çmimi: 900 lekë

Shën Mari Med, një mëngjes i zakonshëm. Të paktën derisa kolonel Bantri dhe gruaja e tij, Dolli, zgjohen nga një shërbëtore e tmerruar, e cila i njofton se në bibliotekën e shtëpisë është gjetur trupi i një gruaje të panjohur, veshur me fustan mbrëmjeje! Kush është kjo grua e re? Si arriti deri në bibliotekë? Kush e vrau? Askush nga banorët e shtëpisë nuk e njeh viktimën. Policia nis hetimin, por do të jetë Marpëll, e cila me syrin e pagabueshëm do të hedhë dritë në zonat më të thella të shpirtit njerëzor dhe do të zgjidhë çështjen.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF