Macja
Gabrielle Colette / 800 lekë
Aleni, djali i vetëm dhe i përkëdhelur i një familjeje të pasur, ka një mace shumë të bukur, Sahën, me të cilën ka një lidhje thuajse në simbiozë. Ndonëse vendos të martohet me Kamilën, një vajzë të hijshme dhe tepër moderne, Alenin e shqetëson shumë ideja se do të lërë shtëpinë e lindjes e mbi të gjitha macen e tij të adhuruar. Pas martesës, Saha fillon të dobësohet, prandaj Aleni vendos ta marrë me vete në apartamentin e ri të çiftit. Në një tension dhe xhelozi në rritje, prania e kafshës minon bashkëjetesën e tyre dhe Aleni do të jetë i detyruar të zgjedhë o njërën, o tjetrën.
Ordesa
Manuel Vilas / 1200 lekë
Manuel Vilas rrëfen historinë personale: e kaluara, venitja e dy familjeve, humbja e njerëzve të dashur, mungesa dhe distanca me njerëzit që do, Spanja në të cilën jeton dhe Spanja kur ai u rrit, kujtimet, ndjesia e çrrënjosjes! Me zërin e tij guximtar dhe transgresiv, përzien realitetin me trillimin, proza dhe poezia, autori ka shkruar romanin ku secili mund ta gjejë veten dhe të përshkojë rrugën e kundërt, nga e tashmja e pagabueshme deri në origjinën e imagjinuar. “Janë dy të vërteta të ndryshme, por të dyja janë të vërteta: ajo e librit dhe ajo e jetës. Të dyja bashkë themelojnë gënjeshtrën”.
Barnatorja e humbur
Sarah Penner / 1250 lekë
Fshehur në thellësitë e Londrës së shekullit XVIII, një barnatore sekrete ka klientë të pazakontë. Një njeri misterioz me emrin Nela, shet helme të maskuara mirë. Po fati i barnatares vihet në rrezik kur një 12-vjeçare bën një gabim të rëndë, duke shkaktuar një varg pasojash që ndihen nga shekulli në shekull. Ndërkohë, në Londrën moderne, Karolinë Parsiuell po e kalon vetëm 10-vjetorin e martesës, derisa i bie në dorë diçka për vrasjet e pazgjidhura që tronditën Londrën 200 vjet më parë, jeta e saj ndesh jetën e barnatares në mënyrë krejt të papritur dhe dikujt nuk do t’i shkojnë punët mirë.
Tangoja e Satanait
Laszlo Krasznahorkai / 1200 lekë
Tashmë komunizmi është në grahmat e fundit dhe në fushëtirën e përbaltur hungareze, ajo që mbetet nga një bashkësi individësh të përçunduar mezi e shtyn jetën e vet të pashpresë në një kooperativë bujqësore në shpërbërje e sipër. Të gjithë duan të ikin, me shpresën e një të ardhmeje më të mirë, falë parave që do të mund të fitojnë nga mbyllja e asaj ndërmarrjeje të përbashkët…! Romani “Tangoja e Satanait” konsiderohet si një nga kryeveprat e letërsisë botërore, i cili i dha shkrimtarit të njohur Laszlo Krasznahorkai edhe çmimin prestigjioz Man International Booker Prize.
Një verë italiane
Rebecca Serle /1200 lekë
Pas humbjes së të ëmës, Kejti ndihet e shkatërruar. Karola nuk ishte vetëm nëna, por edhe shoqja më e ngushtë. Ajo kishte përgjigje për gjithçka dhe tani që ka më shumë nevojë për të, nuk është më. Ato nuk mundën të realizonin as udhëtimin e planifikuar në Positano, një udhëtim që Kejti vendos ta bëjë e vetme. Sapo shkel në Brigjet e Amalfit, ajo fillon të ndiejë shpirtin e nënës. Nga deti i paanë, nga peizazhet me bukuri të pashoqe, mikpritja e njerëzve dhe, natyrisht, nga ushqimi i përsosur, papritmas, para syve i shfaqet nëna e saj. Kejti nuk po kupton më asgjë!
Pas asaj vere
Carley Fortune –1200 lekë
Thonë se e shkuara nuk kthehet dhe për Persi Frejzërin, kjo duket tepër e vërtetë. Në vend që të kalojë verat buzë liqenit të fëmijërisë, ajo qëndron në një apartament në qytet. Pastaj merr një telefonatë që e bën të kthehet me ngut në Gjirin e Berit dhe në orbitën e Sem Florekut – burrit, pa të cilin kishte menduar se nuk do të jetonte kurrë. Ajo kthehet në liqen për funeralin e mamasë së Semit dhe lidhja e tyre është po aq e pamohueshme sa ka qenë gjithmonë. Persi do të marrë një vendim, por ata nuk e dinë nëse dashuria e tyre është më e madhe se gabimi më i rëndë i së shkuarës.