
Opera e hershme e Giuseppe Verdit ‘Ernani’ çeli sezonin e ri të Festivalit Bregenz në Austri. Në mbrëmjen plot surpriza të festivalit të njohur të muzikës lirike personalitete të njohur të fushës së artit, biznesit e politikës austriake ndoqën nga afër interpretimin brilant të sopranove dhe tenorëve.
Në rolin kryesor të veprës së Verdit ‘Ernani’ ishte tenori shqiptar Saimir Pirgu i cili ka mahnitur publikun elitar me interpretimin e tij. Shprehës, i fuqishëm, me fraza të bukura dhe shprehje pasionante, tenori Saimir Pirgu në rolin kryesor i dha shkëlqimin që i duhet produksionit të një festivali të tillë.
Performanca e tenorit shqiptar u komentua gjatë në media të ndryshme vieneze, të cilët vlerësuan njëzëri tonin e fuqishëm të heroit magjepsës të veprës së njohur operistike.
“Shprehimisht i fuqishëm, me fraza të bukura dhe shprehje pasionante, tenori Saimir Pirgu në rolin kryesor i jep këtij “Ernani” shkëlqimin që i duhet një produksioni festivali”; ka shkruar zyra e shtypit austriak rreth interpretimit të Saimir Pirgu.
Më tej media të tjera kanë vlerësuar fuqinë e interpretimit të Pirgut, duke theksuar se ‘Verdi vështirë se mund të këndohet më mirë se kaq’.



















