KreuBusull

Anketa: Gjysma e të rinjve evropianë i drejtohen Inteligjencës Artificiale për çështje personale

Anketa: Gjysma e të rinjve evropianë i drejtohen Inteligjencës
Një studim i realizuar nga kompania Ipsos BVA, me porosi të Komisionit Kombëtar Francez për Mbrojtjen e të Dhënave (CNIL), ka zbuluar se pothuajse gjysma e të rinjve në Evropë përdorin chatbot-et e Inteligjencës Artificiale për të folur rreth problemeve personale dhe çështjeve intime.

Sipas anketës, 51% e 3 800 pjesëmarrësve të moshës nga 11 deri në 25 vjeç deklaruan se e kanë më të lehtë të diskutojnë tema që lidhen me shëndetin mendor me një platformë dixhitale sesa me një profesionist të kujdesit shëndetësor.

Studimi tregon gjithashtu se 60% e të anketuarve i shohin chatbot-et e IA-së si një lloj “këshilltari për jetën”, duke sugjeruar se disponueshmëria e tyre gjatë gjithë kohës po plotëson boshllëqet e lëna nga format tradicionale të mbështetjes.

Sipas revistës teknologjike “The Next Web”, këto platforma po fitojnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në jetën e të rinjve, veçanërisht për shkak të aksesit të lehtë dhe komunikimit pa paragjykime.

Megjithatë, siç raporton Reuters, specialistët kanë ngritur shqetësime në lidhje me ndikimin që mund të kenë mjetet e Inteligjencës Artificiale te mirëqenia psikologjike e të rinjve. Ekspertët paralajmërojnë se këto sisteme kanë kufizime në identifikimin e emocioneve njerëzore dhe nuk mund të zëvendësojnë mbështetjen profesionale apo marrëdhëniet njerëzore në situata të ndjeshme.