KreuCelebrity

Christian Bale: Të jesh i mërzitshëm është mëkat…

Christian Bale: Të jesh i mërzitshëm është

Aktori Christian Bale vitin e shkuar e gjeti veten duke xhiruar tre filma të ndryshëm, dhe ky fakt e bën të lumtur. Teksa flet, shpërqendrohet nga shikimet e njerëzve, çka tregon qartazi se nuk i intereson vëmendja, përkundrazi ndihet si i zënë në grackë. Ai ka veshur një bluzë të errët dhe pantallona të errëta, një mjekër të madhe dhe nuk ngjan aspak me yjet e zakontë të kinemasë që shfaqen gjithnjë me pamjen e tyre të kuruar maksimalisht. Aktori, fitues i një çmimi Oscar për “The Fighter”, e ka nisur qysh 13 vjeç karrierën, kur luajti në “Empire of the Sun” të Steven Spielberg, rolin e tij të parë të madh në film.

Christian Bale: Të jesh i mërzitshëm është

Z. Bale, cila është gjëja më argëtuese që keni patur ndonjëherë në një film?

Nuk mund të mos mendoj menjëherë për përvoja të ndryshme, por do të veçoja me Werner Herzog në “Rescue Dawn”. Isha në xhirime dhe u befasova kur Werner tha, “Djema, sot mund të vdisni! Mund të kapni me dorë një gjarpër të egër dhe ndoshta mund të kafshoheni!”. Mbaj mend që xhirimet ishin reale, me pilotë të çmendur helikopterësh ku preknim majat e pemëve ndërsa fluturonim mbi xhungël.

A është rreziku që ju tërheq?

Më pëlqen kur është pak situatë ekstreme. Shpesh në disa filma jam gjendur në mjedise zhgënjyese. Por ama, sa më larg studios, aq më mirë ndihem. Kam kuptuar se sa më shumë rrezik dhe adrenalinë, aq më shumë je i përqendruar në film për të xhiruar edhe me një dubël të vetme. Në atë moment fillon e futesh në disa situata të këndshme por edhe të rrezikshme, të cilat të nxjerrin nga jeta monotone. Mua nuk më pëlqen monotonia.

Ju keni provuar filma të mëdhenj, por edhe me buxhet të vogël, ku gjendeni më mirë?

Pa hezitim te filmat e mëdhenj, por në fund të dy llojet dalin në ekran. Nuk mund ta mohoj se një film më të buxhet të vogël ka më pak njerëz, që janë nervozë për investimet e tyre, kështu që ata përpiqen të kënaqen. Me filmat e mëdhenj duhet të ulesh dhe ta vlerësosh më shumë nga ana financiare, sesa roli dhe rëndësia që ka.

Christian Bale: Të jesh i mërzitshëm është

Thonë që një rol i vogël është më pak impenjativ, ju si i zgjidhni ato?

Unë në të dyja rastet, pra qoftë rol i madh apo i vogël, imagjinoj se si duhet të ndërtoj personazhin dhe të vendos më shumë nga vetja në të. E drejtë kur mendon se ti je ylli i një filmi, por sido të jetë, kënaqësia më e madhe është kur ti përpiqesh të bësh një personazh prej nga i cili mund të marrësh. Unë kurrë nuk e kam ndjerë veten, nëse duhet të jetë një rol kryesor ose jo, punoj njësoj te të dyja rastet.

Ju jeni adhurues i filmave apo aktorëve?

Nuk jam një person që më pëlqen të jem në qendër të vëmendjes. Gjithmonë i kam admiruar aktorët, sesi ata arrijnë të reflektojnë punën e tyre përmes historisë së filmit, pra nuk jam adhurues i filmit, por roleve. Kur takoj dikë që thotë, "Oh, ti je një yll filmi tani" them se unë luaj thjesht rolin.

Po në film, çfarë ju pëlqen?

Më pëlqen emocioni. Kur lexoj për herë të parë një skenar dhe vendos se ka diçka që më pëlqen, dua ta ndiej para se të zhvendosem në sheshxhirime. Më pëlqen shumë të përpiqem ta vendos veten në vendin e të tjerëve.

Si nisi pasioni për kinemanë?

Erdhi duke u rritur, sepse gjithmonë kam dashur të bëhem gazetar. Ka qenë ëndrra ime më e madhe të raportoja lajmet, por në një moment, kuptova se mund të jem në ekran, por ndryshe, duke aktruar. Nga ai moment nuk kam reshtur së aktruari. Një profesori im më tha, “Bëje sa nuk është vonë, ndryshe do të përfundosh duke luajtur role burrash në moshë”.

Nëna juaj ishte balerinë dhe babai pilot, sa kanë ndikuar profesionet e tyre në karrierën tuaj?

Mendoj se do të më duhet të ulem në karrigen e një terapisti për këtë përgjigje. E di me siguri se me babain tim, kam patur gjithnjë një qasje shumë krijuese ndaj jetës. Unë prirem të mos habitem nga personazhet e çmendur, të cilët përfshihen në karrierën time. Motoja me të cilën më ushqeu babai im ishte: Të jesh i mërzitshëm është mëkat. Ai ishte një frymëzim shumë i madh për mua.

Christian Bale: Të jesh i mërzitshëm është

Spielberg ju besoi rolin kryesor në “Empire of the Sun” kur ishit 13 vjeç. Sa ndikoi kjo në vendimin tuaj për t'u bërë aktor?

Ai ishte roli që bëri kthesën e madhe dhe më bëri të mendoj për të ardhmen. Mbaj mend që ishte një eksperiencë shumë e bukur, por ishte përvoja ajo që më bëri të vendos. Sot mendoj se nuk është mirë që fëmijët të hyjnë në një profesion si aktrimi në një moshë të re. Ajo përvojë më bëri të mendoj se nuk doja të bëhesha aktor, edhe pse unë nuk u ktheva plotësisht deri disa vite më vonë.

Çfarë të bëri të vendosje të bëheshe aktor me gjithë zemër?

Të them të vërtetën, unë nuk joshem nga fama, as nga zhurma, por më pëlqen më shumë procesi sesi arrin të integrohesh në rol, sesi hyn nën lëkurën e një personazhi dhe të ndihesh për pak minuta në një burrë të një epokë të shkuar. Që kur nisa të punoj në kinematografi, arsyeja pse mezi prisja të merrja një rol ishte ajo atmosfera që mbështjell sheshxhirimin, orët e gjata në prova, udhëtimet, miqtë e rinj dhe ritakimi i atyre të vjetër. Pastaj me kalimin e kohës e kupton se kjo është bota jote dhe nuk do të dalësh prej saj.

A ka patur një moment kur ke dashur të largohen nga aktrimi?

Realisht unë nuk kam qenë gjithë kohës brenda në botën e aktrimit. Si të thuash nuk e ndiej veten profesionist, sepse nuk kam shkuar kurrë në një shkollë për aktrim, pra nuk kam arsimin përkatës. Por, kjo nuk do të thotë që kam hequr dorë, sepse gjej gjithmonë kohën për ndonjë rol që më pëlqen.

A është e vërtetë që një pjesë e roleve t’i ka “vjedhur” Leonardo DiCapro, përfshirë edhe Titanikun?

Nuk jam i vetmi unë që më ka marrë rolet DiCaprio, por duhet të keni parasysh diçka se dikush të merr rolin, do të thotë se ai ka kaluar para teje procesin e katingut. Në kinematografi, nuk ka rëndësi se sa mik je me regjisorin, ai do atë që i përshtatet më së miri. Por, mund të them faleminderit, Leo, fundja ai është nga ata aktorë që mund të zgjedhë gjithçka që dëshiron, sepse është fenomenal.

A është regjia një synim juaj në të ardhmen?

Është shumë e çuditshme, pasi shumë regjisorë më pyesin, a mendon se ka ardhur momenti të kalosh në regji, por unë mendoj se nuk jam i prerë për të drejtuar. Sigurisht që ka shumë aktorë të cilët kanë kaluar totalisht nën anën tjetër të kamerës, por mendoj se derisa të vijë ai ndryshimi i madh, do të mundohem të jem i qartë me idetë e mia. Sigurisht, unë e kuptoj shumë mirë regjinë, por mendoj se ka një ndryshim të madh midis të qenit në gjendje të qëndrosh pas kamerës dhe të bësh sugjerime, emocioni nuk është njësoj. Problemi im me regjinë ndoshta do të jetë fakti se aty ndihem i vetmuar. Një regjisor është si një piktor i cili i jep penelin e fundit një pikture, ndërsa aktorët janë gjithë ngjyrat, por të kesh aftësinë të kombinosh të gjitha ngjyrat duhet të kesh një sy të stërvitur.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF